“Të rinjtë marrin kalori në nivele të ulëta”
Autori i Lajmit: Red.Të rinjtë në vendin tonë marrin kalori në nivele më të ulëta se normat e rekomanduara nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, konstaton Instituti i Shëndetit Publik (ISHP) në Ditën Botërore të Ushqimit, përmes studimit për mënyrën e ushqyerjes së nxënësve në shkollat e mesme të vendit.
Ky studim deskriptiv i kryer në 1011 nxënës (të moshës 14- 19 vjeç) të arsimit të mesëm në rrethet Tiranë (51%), Shkodër (26%), dhe Vlorë (24%), tregoi se niveli i ulët i marrjes së kalorive u vu re sidomos tek të rinjtë e seksit mashkull banues në zonat rurale dhe tek ato të rinj me një tendencë ushqyerjeje të njëanshme në shtresat me nivel ekonomik të dobët. Kalorazhi ditor mesatar tek meshkujt arrinte deri në 2647 (kkal/ditë), ndërsa te femrat arrinte deri në 2545 (kkal/ditë). Ndërkaq sipas ISHP, vlerat për qytet/fshat janë 2619/2548 (kkal/ditë) tregojnë diferencën e nivelit ekonomik që ekziston midis zonës urbane dhe asaj rurale në Shqipëri. Studimi evidenton se marrja e kalorive nga të rinjtë sipas shkallës së nivelit ekonomik renditej në: Niveli i mirë- 2666(kkal/ditë); Nivel mesatar- 2572 (kkal/ditë); Niveli i dobët 2884 (kkal/ditë). Nga këto të dhëna rezultoi se fëmijët që i përkisnin nivelit të ulët ekonomik, kishin tendencë vlerash më të mëdha kalorike, si rezultat i sigurimit të pjesës më të madhe të energjisë nga drithërat (kryesisht buka, baza e ushqimit të dietës së dikurshme shqiptare- 70% të totalit kalorik). Përsa i përket ushqimeve që gjenden më shpesh në menutë ditore të të rinjve ato janë: buka dhe drithërat e tjera (95.55 %); frutat dhe perimet (85%), djathi (64%, por me një konsum ditor shumë të ulët të qumështit 17%); mishi (48%); peshku (15% për shak të çmimit të lartë). Në gatimet ushqimore ISHP evidenton tendencën e përdorimit të yndyrës me origjinë bimore kryesisht vajit të lulediellit dhe të ullirit (ky i fundit sidomos në Vlorë 84% e lidhur me mënyrën tradicionale të gatimit).
Të rinjtë kryejnë jetë aktive
Studimi vë në dukje se 71% e të rinjve të anketuar bëjnë ecje me hap të shpejtë më shumë se dy orë në javë; 53% e tyre përdorin rregullisht biçikletën dhe 72 % e të rinjve marrin pjesë në aktivitete sportive më shumë se dy orë në javë. Reflektimi logjik dhe real i marrjeve të kalorive dhe nivelit të aktivitetit fizik janë edhe vlerat e raportuara mbi perceptimin e peshës trupore, ku vetëm 9% e të rinjve ndihen në risk për mbipeshë; 79% ndihen normal dhe 10 % nuk japin informacion. Pyetjes për ndryshimin e mënyrës së ushqimit, 69% e të rinjve kanë pranuar se nuk kanë pasur ndryshim të dukshëm, kundrejt 30.8%, të cilët kanë pohuar se e kanë ndryshuar mënyrën e të ushqyerit. Ky ndryshim u konstatua dukshëm te femrat (51%) për arsye të dietave, në raport me meshkujt (33%), si pasojë e tendencës së vajzave për t u ruajtur nga mbipesha. Dieta e vajzave korrespondon të jetë tipike mediterrane me devijime të konsumit të bukës, qumështit dhe peshkut. Sipas ISHP-së të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të bëjnë jetë aktive për sa i përket aktivitetit fizik, e shoqëruar me nivel të ulët të përdorimit të alkoolit.
ISHP
Të rinjtë shqiptarë vazhdojnë të bëjnë jetë aktive për sa i përket aktivitetit fizik, e shoqëruar me nivel të ulët të përdorimit të alkoolit.
STUDIMI
Studimi vë në dukje se 71% e të rinjve të anketuar bëjnë ecje me hap të shpejtë më shumë se dy orë në javë; 53% e tyre përdorin rregullisht biçikletën
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007