Lokalet, shkelin ligjin kundër duhanit
Autori i Lajmit: Silvana BalliuSuksesi në kontrollin e duhanit varet në një shkallë të lartë nga angazhimi i qeverisjes vendore, deklaroi drejtori i Drejtorisë së Shëndetit Publik në Tiranë, Gjergj Ndoja.
Sipas tij, zbatimi i ligjit kundër duhanit (që nisi më 26 maj) vuan mungesën e pjesëmarrjes së policisë bashkiake dhe komunare, si pjesë e strukturave përgjegjëse që janë ngarkuar të bashkëpunojnë me Ministrinë e Shëndetësisë për zbatimin e ligjit "Për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit".
Inspektimet
Ai tha se strukturat sanitare zhvillojnë çdo ditë inspektime (një detyrim që përcaktohet në nenin 19 të ligjit) dhe deri tani janë janë ushtruar 5013 kontrolle, duke gjobitur 58 subjekte private me 50 mijë lekë dhe janë plotësuar 1546 proces verbale paralajmërimi. Vendet rutinë të kontrolleve ditore të Inspektoriatit Shtetëror Sanitar janë hotelet, lokalet dhe baret më të mëdha në kryeqytet. Rreth 45 inspektorë janë ndarë sipas njësive bashiake të Tiranës dhe po ushtrojnë kontrollin e tyre në çdo subjekt. “Por nga Policia Bashkiake dhe Komunare nuk na jepet asnjë informacion lidhur me fatin e gjobave të vënë nga inspektoriati sanitar”, tha Ndoja, duke vënë në dukje se edhe Policia Tatimore duhet të tregohet më e angazhuar në zbatimin e detyrimeve që rrjedhin nga ligji. Sipas tij, me mungesën e bashkëpunimit midis strukturave të ngarkuara, zbatimi i ligjit kundër duhanit i mungon aktualisht rreth 2/3 e angazhimit. “Lufta ndaj produkteve të duhanit, një ligj mjaft i plotë është ende në fillesat e saj dhe ka gjetur mirëpritjen e qytetarëve. Por sfida ndaj duhanit nuk është detyrë vetëm e inspektoriatit sanitar. Mospjesëmarrja e strukturave të tjera shkon vetëm në dëm të ligjit”, theksoi Ndoja.
Pronarët e lokaleve
“Në përgjithësi, jam dakord me këtë ligj, por kam edhe disa kundërshti, pasi nuk më duket e drejtë që të gjobiten pronarët e lokaleve, në rastet kur klientët do të kapen duke pirë duhan. Nëse do të funksionojë në këtë formë, atëherë pronarët duhet të kthehen në policë për të mbajtur këtë rregull,” shprehet Landi, pronari i një lokali bastesh në zonën e ish-Bllokut. Ai mendon se do të jetë shumë e vështirë për ta zbatuar këtë ligj, pasi mund të pritet shumë keq nga duhanpirësit. “Natyra e lokalit tim është e tillë që klientët të jenë burra, të cilët në pjesën më të madhe të rasteve pinë duhan. Nuk e di se si do të arrij t ua mbush mendjen për të mos pirë duhan, ose çfarë do të bëj për ta ndaluar atë që mund të ndezë cigaren, edhe pasi unë ta kem paralajmëruar,” përfundon ai.
KONTROLLET
Janë ushtruar 5013 kontrolle, duke gjobitur 58 subjekte private me 50 mijë lekë dhe janë plotësuar 1546 proces verbale paralajmërimi
PENGESAT
Me mungesën e bashkëpunimit midis strukturave të ngarkuara, zbatimi i ligjit kundër duhanit i mungon aktualisht rreth 2/3 e angazhimitKy lajm është publikuar: 16/10/2007