Sollaku, Byroja e opozitës diskuton veprimet politike
Autori i Lajmit: Red.Drejtues të opozitës u mblodhen në një takim joformal në një nga ambientet e Hotel Tiranës, për të unifikuar qëndrimet e tyre rreth zhvillimeve të reja politike, pas deklaratës së mazhorancës për ngritjen e një komisioni të ri hetimor për çështjen “Sollaku”. Pas takimit nuk pati asnjë deklarim rreth përmbajtjes së bisedimeve, por burime të sigurta bëjnë të ditur se krerët e majtë janë përqendruar tek një aksion i ri politik parlamentar, te reforma në drejtësi. Për opozitën, komisioni i ri hetimor ndaj kryeprokurorit konsiderohet krejtësisht antikushtetues, por edhe presion mbi organin e akuzës, pas nisjes së hetimeve për abuzime me fondet publike në rrugën Durrës - Kukës. Klima politike duket se po ashpërsohet sërish, pas një shprese për zbutje me zgjedhjen e Presidentit të ri. Në këto kushte, reformat e mëdha në vend, që kërkojnë dhe konsensusin e opozitës, duken të rrezikuara. Në takimin e zhvilluar dje mes liderëve të opozitës merrnin pjesë Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, sekretari për Çështjet Ligjore në PS, Fatmir Xhafa, Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta dhe Kryetari i Partisë Socaldemokrate, Skënder Gjinushi. Në takim mungonte përsëri kreu i Partisë Demokracia Sociale, Paskal Milo, i cili ka konfirmuar se nuk gjendet në Tiranë.
Ky lajm është publikuar: 16/10/2007