E Diel, 1 Nëntor 2026

Spitali, pajisje me vlerë 30 mijë euro nga Bashkia e Marsejës

Autori i Lajmit: Red.

Bashkia e Gramshit, në sajë të një kontrate të lidhur me bashkinë e Marsejës në Francë, ka bërë të mundur marrjen e një sërë pajisjesh mjeksore me një vlerë prej 30 mijë euro, për spitalin e qytetit. Drejtori i spitalit të Gramshit, Rudi Bardhoshi, tha se, nga Bashkia e Marsejës, janë sjellë dhurata si, aparatura inkubacioni, aparate narkoze, spirograma, si dhe një autoambulancë, e pajisur me të gjitha elementët e ndihmës së shpejtë. Kjo autoambulancë, do t i shërbejë edhe zonave të largëta malore si, Kukur, Lenie, Poroçan, Skënderbegas, etj. Gjithashtu edhe shoqata “Motrat Viçensiane” në Itali, kanë premtuar që së shpejti do të dhurojnë për këtë spital, një ashensor, me një vlerë të konsiderueshme parash. Ky ashensor do të shërbejë dhe për transportin e të sëmurëve nga njëri pavion në tjetrin, si dhe lëvizjen për në sallën e operacionit. Në sajë të këtij bashkëpunimi, drejtoria e shëndetit publik të rrethit do të dërgojë në Francë dhe dy mjekë për specializim. Aktualisht në këtë spital, problem mbetet mjeku reanimator, në të shumtën e rasteve pacientët detyrohen të shkojnë në spitalin rajonal të Elbasanit ose të Tiranës. Në spitalin e Gramshit për një vit trajtohen rreth 3000 të sëmurë, kryhen mbi 400 operacione dhe 1570 lindje, me nje vdekshmëri zero përqind. Ky spital ju shërben rreth 35 mijë banorëve të këtij rrethi, i cili është shumë i largët nga qendra administrative e Qarkut të Elbasanit.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›