Strategji për rifitimin e hapësirave të zëna publike
Autori i Lajmit: Red.Bashkia e Tiranës prezantoi dje Strategjinë për Rikualifikimin Urban, e cila është një strategji mbi hapësirën publike në kryeqytet. Strategjia e paraqitur për publikun është një ambicie e re e Bashkisë së Tiranës për të çuar më tutje punët në kryeqytet, por nga ana tjetër synon përfshirjen e komunitetit në mënyrë shumë më aktive, përmes një cilësie të re jetese; synon ndërtimin e projekteve të cilat të kenë në esencën e tyre bashkëpunimin mes qytetarit aktiv dhe administratës së Bashkisë. Të ftuar në këtë prezantim ishin edhe urbanistë dhe arkitektë spanjollë, prej të cilëve synohet të thithet mendimi dhe sugjerimet teknike mbi këtë strategji. Kryebashkiaku Edi Rama përpara prezantimit të kësaj strategjie, u shpreh mes të tjerash: “Ne sot kemi nderin dhe kënaqësinë që të prezantojmë një strategji të re të Bashkisë së Tiranës mbi hapësirën publike, që në mënyrë provokuese, hartuesit tanë e kanë quajtur Hapësirë e Hapur, pasi sot në Tiranë, por edhe në të gjithë Shqipërinë, kur flitet për hapësirë publike të hapur dhe të zënë është një strategji e cila është shprehje e një kohe dhe vetëdijeje të re, sepse qyteti ynë sot është në një stad të ri që ka në themelin e vet punë të jashtëzakonshme të bërë në gjithë këta vite”.
Ky lajm është publikuar: 17/10/2007