E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtyhet me 2 muaj të tjerë hetimi ndaj reperit “Stresi”

22/08/2011  Nevojiten disa veprime procedurale, në shtator dosja në gjykatë

TIRANE-Zgjaten me dy muaj të tjerë hetimet për katër personat mes të cilëve dhe këngëtari “Stresi”, që mendohen se kanë gjobitur financiarisht regjisorin e njohur Leonard Bombaj. Vendimi për shtyrjen e afateve hetimore mësohet se është marrë para datës 15 gusht nga prokurori i çështjes Ardian Nezha. Ky i fundit ka argumentuar para Gjykatës së Krimeve të Rënda se për hetimin e plotë të kësaj çështjeje i nevojiten dhe dy muaj kohë, për shkak se në dosje momentalisht ende nuk janë kryer disa veprime procedurale. Zgjatja e afateve hetimore ndaj të pandehurve Arkimed Lusha ose siç njihet me emrin artistik “Stresi”, Rolado Kurti, Elis Bashës dhe Sebastian Ukcamajt vjen në një kohë kur Prokuroria është në fazën përfundimtare të hetimeve dhe se pritet që në muajin shtator dosja penale në ngarkim të tyre do i kalojë gjykatës për shqyrtim gjyqësor. Vendimi për shtyrjen e afateve u është komunikuar edhe avokatëve mbrojtës të të pandehurve, të cilët janë njohur me argumentet e Prokurorisë lidhur me shtyrjen e hetimit me dy muaj të tjerë.

Mosekzekutimi i arrestit

Momentalisht katër të pandehurit e përmendur janë duke u hetuar në gjendje të lirë për shkak se policia e Tiranës refuzoi të kryejë ekzekutimin e katër mandate-arresteve të firmosura nga përfaqësuesit e organit të akuzës. Pavarësisht shkresave-kujtesë të dërguara nga ana e Prokurorisë, policia sërish s’ka bërë arrestimin e katër personave, duke pohuar se nuk kishte mundur t’i gjente në banesë. Ndërkohë që gjatë kësaj periudhe të pandehurit kanë mundur të ankimojnë masën e sigurisë “arrest në burg” të dhënë nga Gjykata e Apelit në Gjykatën e Lartë, ku kjo e fundit ka vendosur rrëzimin e vendimit të apelit dhe vijimin e hetimeve ndaj të katër personave në gjendje të lirë.

Kallëzimi i regjisorit

Çështja në ngarkim të Arkimed Lushës ose siç njihet me emrin artistik “Stresi”, Rolado Kurtit, Elis Bashës dhe Sebastian Ukcamajt nisi fill pas kallëzimit të regjisorit të grupit artistik “Kripëzmjaltëzat”, Leonard Bombaj. Në fakt historia e kallëzimit nisi pas presioneve të vazhdueshme të të pandehurve, duke i kërkuar 20 mijë euro. Në rast se nuk paguante gjobën atëherë regjisori do e paguante me jetën e tij. Kjo gjobëvënie sipas Prokurorisë kishte zanafillën në një pretendim që ngrinte i pandehuri këngëtari “Stresi” se regjisori Bombaj e kishte detyruar nxënësen e tij 15-vjeçaren me inicialet B.D të kryente marrëdhënie seksuale. Mirëpo B.D ishte mikesha e “Stresit”, e cila siç duket i ka treguar mbi marrëdhënien seksuale. Menjëherë Arkimed Lusha në bashkëpunim edhe me tre personat e tjerë kanë shkuar në banesën e regjisorit Leonard Bombaj duke i pohuar se në rast se nuk i dorëzonte 20 mijë euro, atëherë ai punët e kishte keq. Të gjitha këto veprime kriminale ndodhnin në një kohë kur minorenia me inicialet B.D ishte përjashtuar një vit më parë nga grupi artistik “Kripëzmjaltëzat” me urdhër të regjisorit Bombaj. Pasi i kanë shkuar në banesë katër të pandehurit i kanë marrë automjetin regjisorit dhe se e kanë detyruar atë që të tërhiqte nga një bankomat që ndodhet tek qendra tregtare ETC një shumë parash, të cilën pas presionit ja ka dorëzuar personave të sipërcituar.

Kallëzimi i vajzës, hakmarrje

Kallëzimi penal ndaj regjisorit Leonard Bombaj për akuzën e përdhunimit të një 15-vjeçare është bërë për hakmarrje. Ky është konkluzioni i Prokurorisë, e cila pas hetimeve të kryera dhe përgjimeve telefonike të 15-vjeçares me inicialet B.D, ka konstatuar se i gjithë skenari për implikimin e regjisorit Bombaj në një histori përdhunimi është një veprim hakmarrës që u iniciua nga ish-nxënësja e tij B.D dhe këngëtari Arkimend Lusha që njihet me emrin artistik “Stresi”. Më pas në këtë histori u implikuan dhe tre personat e tjerë shtetasit tashmë të pandehur Rolado Kurtit, Elis Bashës dhe Sebastian Ukcamajt. Mësohet se vitin e kaluar 15-vjeçarja është përjashtuar nga grupi artistik “Kripëzmjaltat” që drejtohet dhe administrohet nga regjisori Leonard Bombaj. Nuk dihen me saktësi motivet e këtij përjashtimi, por sipas Prokurorisë kjo ka qenë indicia kryesore që 15-vjeçarja ka ndërmarrë një plan hakmarrës ndaj ish-pedagogut të saj.

Përgjimi i 15-vjeçares B.D

Në disa biseda që Prokuroria ka arritur të përgjojë, ka rezultuar se 15-vjeçarja komunikon me këngëtarin “Stresi”, duke i pohuar këtij të fundit: “Tani e kam në dorë profesorin, mbaje mend çfarë do i bëj. Kam për t’ia nxirë jetën”. Këto fjalë, por dhe shumë të tjera i kanë krijuar bindjen prokurorëve se kallëzimi i 15-vjeçares është një skenar hakmarrës i saj dhe në këto kushte kanë vendosur të pushojnë hetimet për këtë vepër penale, duke vijuar procedurat e tjera lidhur me kallëzimin e bërë nga regjisori Bombaj ndaj katër personave të lartpërmendur. Momentalisht, Prokuroria pothuajse ka mbyllur të gjitha veprimet hetimore ndaj katër të pandehurve. Në fashikujt hetimore Prokuroria ka administruar një sërë provash duke filluar nga pamjet filmike të sekuestruara në qendrën tregtare “ETC”, video përgjime që janë dorëzuar nga vetë i dëmtuari Leonard Bombaj, si dhe një sërë provash material të tjera.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›