Shpërthejnë aleatët

Dy aleatë qeveritarë dalin nga rreshti dhe kundërshtojnë mënyrën e numërimit të votave që është përcaktuar në kodin e ri zgjedhor. Sipas tyre, partitë e mëdha kanë gabuar
Dy aleatë qeveritarë të Partisë Demokratike, Partia Agraro-Ambientaliste dhe Partia Bashkimi për të Drejtat e Njeriut kundërshtojnë partitë e mëdha për sa i përket mënyrës së administrimit të zgjedhjeve, sikurse është përcaktuar në kodin e ri zgjedhor. Këta dy aleatë, edhe pse kanë përfaqësuesit e tyre në qeveri, dalin në mënyrë të hapur në kundërshtim të vullnetit të partisë më të madhe parlamentare, duke kundërshtuar që votat e tyre të numërohen nga të tjerë. Edhe pse agraro-ambientalistët përgjatë tre viteve të qeverisjes së djathtë nuk kanë mbajtur asnjë qëndrim kundër PD-së, në këtë rast ata kanë vendosur që të ngrenë zërin dhe të kundërshtojnë atë që ata e cilësojnë si padrejtësi. “Për sa u përket komisioneve dhe komisionerëve, çdo mënyrë që afrohet si nga PS-ja, ashtu edhe nga PD-ja është një mënyrë shumë e gabuar dhe shumë larg demokracisë. Përderisa në fushatën zgjedhore hyjmë me të drejta të barabarta të gjithë, secili duhet të marrë atë që meriton, atë votë që i jep populli. Dhe nuk është fare e drejtë që votën e një force politike ta numërojë vetëm Partia Demokratike dhe Partia Socialiste. Pra, ne jemi që patjetër partitë parlamentare të kenë komisionerët e tyre”, thotë kryetari i grupit parlamentar i PAA-së, Petrit Gjoni, i cili është gjithashtu një nga figurat më të rëndësishme të kësaj partie. Ai vijojnë më tej, duke akuzuar dy partitë e mëdha, se kanë një marrëveshje të fshehtë mes tyre, duke thënë se kjo vërtetohet nga përjashtimi i partive nga komisionet zgjedhore. “Për sa kohë partitë e tjera përjashtohen nga komisionet zgjedhore dhe nga grupet e numërimit, kjo do të thotë se ka një marrëveshje të fshehtë mes PD-së dhe PS-së, për të mos u lënë asnjë lloj hapësire qoftë partive të vogla për t’u marrë votën, apo qoftë për t’i numëruar ato që do të futen në kuti nga zgjedhësit”, përfundon Gjoni. Po ashtu, edhe kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, i cili ka vite që mbron tezën që administrata zgjedhore të jetë e pavarur, thotë se në rastin konkret, ku dy partitë e mëdha kanë vendosur të kundërtën, atëherë nuk mund të pranohet asnjë zgjidhje tjetër, përveç asaj që të gjithë subjektet të përfaqësohen në mënyrë të barabartë nëpër komisione. “Qëndrimi im është i qartë, që ne nuk jemi për një administratë zgjedhore partiake. Nëse kjo nuk përbën në të njëjtën kohë edhe vullnetin e atyre që kanë shumicën parlamentare, dhe në rastin konkret, kemi një bashkëpunim mes PD-së dhe PS-së, që shkon përtej shumicës parlamentare, atëherë është normale dhe e vetëkuptueshme, që me një administratë zgjedhore partiake çdo parti pjesëmarrëse në ballafaqimin zgjedhor dhe në të njëjtën kohë parlamentare aktualisht duhet të ketë vend të barabartë përfaqësimi në komisionet e të gjithë niveleve. Nuk ka dhe nuk mund të pranohet zgjidhje tjetër”, thotë Dule, duke u shprehur se brenda kësaj jave partia e tij do të mbledhë strukturat e larta drejtuese për të mbajtur një qëndrim zyrtar, ku nuk përjashtohet edhe deklarimi i kësaj partie se do të dalë vetëm në zgjedhjet e ardhshme. I pyetur nga “Korrieri” se sa kanë ndikuar kodi zgjedhor në marrëdhëniet mes partive të mëdha dhe aleatëve të tyre, Dule thotë se beson që kjo do të jetë përcaktuese për marrëdhëniet e mëvonshme. “Zgjedhjet janë gjithmonë një gjenezë; lind një situatë e re politike, nga e cila buron pushteti i ri administr ues i jetës politike, shoqërore e ekonomike në vend. Rrjedhimisht pa arritur një kompromis, nuk mund të arrish kompromis në asgjë tjetër”, thotë Dule, duke shprehur mospajtueshmëri me partitë e mëdha.