E Shtunë, 31 Tetor 2026

Qytetarët të hyjnë në sallë!

Përfaqësuesit e grevistëve kërkojnë mbrojtje nga qytetarët, në rast se garda do të kërkojë të nxjerrë jashtë sallës deputetët

Përplasja mes përfaqësuesve të LSI-së e PDK-së me partitë e tjera politike, kryesisht dy partitë e mëdha, pritet të acarohet edhe më shumë gjatë ditës së sotme. “Nëse do të goditen deputetët në sallë, patjetër që duhet të vijnë dhe njerëzit t’i mbrojnë në sallë”, - tha dje për “Korrierin” nënkryetari i LSI-së, Dritan Prifti, referuar mundësisë që garda të nxjerrë jashtë sallës deputetët grevistë. Në fakt, Konferenca e Kryetarëve nuk ka lënë të kuptohet nëse do të zhvillohet ose jo seance plenare e parashikuar për t’u zhvilluar ditën e enjte, ndërsa në krahun tjetër iu ka kërkuar deputetëve grevistë që të dalin nga ambientet e sallës së parlamentit, ndërsa burime thonë se gjithçka do të varet nga ecuria e ditës, nëse deputetët do të largohen apo jo. Në krahun tjetër, përfaqësuesit e grevistëve iu kanë kërkuar qytetarëve të hyjnë në sallën e Kuvendit për të mbrojtur deputetët, nëse ndaj tyre do të ushtrohet dhunë. “Konferenca shprehu shqetësimin për faktin që grevistët po e zhvillojnë grevën në kushte të papranueshme edhe për shëndetin e tyre, ndaj i fton ata t’i bëjnë thirrje arsyes dhe përgjegjshmërisë së tyre politike. Për këtë arsye, Konferenca e Kryetarëve u shpreh se duhet të kërkohen mjedise të tjera të përshtatshme”, - thuhej në deklaratën e përbashkët të konferencës. Sipas Dritan Priftit, ky qëndrim paralajmëron ushtrim dhune ndaj deputetëve, të cilët sipas tij, nuk kanë për të dalë nga salla e Kuvendit. “Do të vazhdojmë t’iu bëjmë thirrje qytetarëve dhe unë po iu bëj një thirrje qytetarëve, që nesër në orën 10, në kohën që do të jetë seanca plenare, të mblidhen të gjithë qytetarë e Tiranës dhe të gjithë qytetarët e Shqipërisë të cilët kanë shqetësim për votën e lirë, të mblidhen atje për t’i mbrojtur deputetët që janë në Kuvend, në rast se do të ketë ndonjë skenar dhune nga shteti”, - u shpreh Prifti. Por në deklaratën e Konferencës së Kryetarëve greva e urisë cilësohet si një mjet i njohur për sensibilizimin e publikut, por kurrsesi mjet legjitim për të ushtruar presion politik. “Duke shprehur bindjen se çdo tentativë për të bllokuar funksionimin e parlamentit është e papranueshme, Konferenca e Kryetarëve fton deputetët grevistë që të respektojnë rregullat e demokracisë, ligjet e shtetit dhe Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë”, - thuhet më tej në deklaratë. Sipas Dritan Priftit, ky qëndrim nënkupton një skenar dhune nga ana e shtetit. Por në asnjë rresht të deklaratës së Konferencës së Kryetarëve nuk përmendet mundësia që garda të largojë me dhunë deputetët. Pavarësish se situata duket e nderë, ende ka sinjale për mundësinë e gjetjes së gjuhës së përbashkët. Kryetarët e grupeve parlamentare vërejtën se në procesin e reformave është synuar të përfshihen të gjitha forcat politike dhe se deri tani të gjithë hapat e reformës elektorale janë arritur me konsensusin më të madh të mundshëm, por procesi nuk mund të pengohet nga askush. Megjithatë, procesi cilësohet ende i hapur nga ana e partive të tjera, por jo në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore. Edhe Prifti shprehu vullnet për të vijuar negociatat, por duket se vijimi i grevës së urisë në sallën e Kuvendit nuk e ndihmon çeljen e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›