E Shtunë, 31 Tetor 2026

87 vite burg për bandën e Niklës

Tiranë - Gjykata e Krimeve të Rënda i ka cilësuar fajtorë të shtatë të arrestuarit që akuzohen për një sërë veprash penale. Flamur Haka dhe të cilësuarit si bashkëpunëtorët e tij do të vuajnë rreth 87 vite burg nga 91 vite që pati kërkuar Prokuroria e Krimeve të Rënda. Një seancë më parë, katër prokurorët e çështjes paraqitën konkluzionet përfundimtare në 47 faqe, duke përmbledhur edhe veprimtarinë përreth 11 ngjarje kriminale. Mes krimeve edhe atentati i dështuar ndaj djalit të ish-biznesmenit Abaz Ulliri, i cili mbeti i plagosur, si dhe grabitja e tre biznesmenëve të tjerë. Trupi gjykues i “Krimeve të Rënda” i ka cilësuar dje fajtorë Petrit Lleshin, Flamur Hakën, Kreshnik Berishën, Mustafa Xhekën, Edmond Sinën, Tafnin dhe Ervin Belbën. Të pandehurit e kësaj çështjeje akuzohen se kanë nisur veprimtaritë e tyre kriminale në vitin 1998. Sipas dosjes hetimore, ata kanë kryer vepra penale të ndryshme dhe më e rënda është ajo e vrasjes me paramendim e mbetur në tentativë e djalit të ish-biznesmenit Abaz Ulliri.

19 Shkurt 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›