Dobjani: “KESH-i nuk duhej të kërkonte rritje çmimi të energjisë”
Rekomandimi për Berishën dhe Komisionin e Veprimtarisë Prodhuese. Korporata, rritje e çmimit për përmirësimin e financave
Laureta Rryçi
Tiranë - Energjisë elektrike nuk duhet t’i rritet tarifa. Përpara se KESH-i të ndërmarrë një nismë të tillë, më parë duhet të mendojë të plotësojë detyrimet që ka me konsumatorët. I këtij mendimi është Avokati i Popullit, Ermir Dobjani. Ky i fundit, nëpërmjet një shkrese zyrtare, pak ditë më parë i ka kërkuar drejtorit të Entit Rregullator të Sektorit të Energjisë, Bujar Nepravishtës, që ta refuzojë këtë kërkesë të KESH-it. Madje të njëjtin rekomandim ua ka dërguar dhe kryeministrit Sali Berisha, si dhe kryetarit të Komisionit për Veprimtaritë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin, Ylli Bufit.
Rekomandimi
“Arsyeja pse Avokati i Popullit ka qenë vazhdimisht kundër rritjes se çmimit të energjisë elektrike ka mbrojtur përpara së gjithash një parim themelor të vendosur mbi moralin, përgjegjshmërinë dhe humanizmin që duhet të tregojë administrata publike”, - thuhet në rekomandim. Sipas Dobjanit, një nga parimet bazë mbi të cilat ngrihen dhe funksionojnë këto organe është shërbimi në interes të publikut dhe sa më afër interesave të tij. Mirëpo në rastin konkret KESH-i mbetet ende shumë larg të qenit një model i tillë. Dobjani ka kërkuar caktimin e një afati konkret ndaj KESH sh.a për të realizuar një seri masash dhe veprimesh urgjente me qëllim përmirësimin e gjendjes së furnizimit me energji brenda të gjitha standardeve ligjore dhe kontraktore në favor të të drejtave të konsumatorëve.
Argumentet
Avokati i Popullit ka bërë publik qëndrimin e tij në lidhje me kërkesat e KESH-it. “Avokati i Popullit është kundër dhe do të mbetet i tillë përsa kohë nga ana e KESH-it nuk merren masat e duhura për të rritur dhe përmirësuar ndjeshëm standardet në miradministrimin e prodhimit, transmetimit dhe veçanërisht shpërndarjes së energjisë elektrike në favor të konsumatorëve”, - shpjegohet në rekomandim. Sipas Dobjanit, KESH-i vazhdon të veprojë në mënyrë të gabuar menaxheriale duke kërkuar që për përmirësimin e treguesve ekonomiko-financiarë të saj të rrisë tarifat e energjisë. Kjo praktikë është e dështuar për aq kohë sa kjo kompani vuan nga keqmenaxhimi i burimeve njerëzore dhe teknike dhe nuk mbledh pagesat që duhet të bëjnë të gjithë konsumatorët. Në të njëjtën kohë ,në kushtet e rritjes së çmimeve të tjera të shportës për konsumatorin shqiptar, rritja e energjisë do të kishte një impakt shumë negativ për ekonominë tonë.
Argumentet e Dobjanit pse nuk duhej rritur çmimi i energjisë
KESH-i vuan nga keqmenaxhimi i burimeve njerëzore dhe teknike dhe nuk mbledh pagesat që duhet të bëjnë të gjithë konsumatorët.
Në kushtet e rritjes së çmimeve të tjera të shportës për konsumatorin shqiptar, rritja e energjisë do të kishte një impakt shumë negativ për ekonominë tonë.
KESH sha dështoi në marrjen e masave për rritjen e arkëtimeve dhe nuk përmbushi detyrimin e saj ligjor për të vendosur matësat brenda vitit 2007. Shtyrja e këtij afati nga ana e ERE deri në fund të vitit 2008 do të thotë edhe një vit më shumë amulli dhe dëm të pallogaritshëm për xhepat e klientëve të KESH sha.
Duke faturuar afrofe, KESH sha nuk do të ketë të llogaritur asnjëherë në mënyrë reale fitimet apo humbjet, por çdo gjë do të vijojë të planifikohet dhe shifrohet sipas interesave të saj. (Në një raport të fundit të Kontrollit të Lartë të Shtetit kanë dalë mëse evidente shkeljet e KESH sha lidhur me faturimet e programuara për efekt përfitimi të kompanisë).
Ashtu siç ka qenë dakord edhe ERE, shqetësimi i Avokatit të Popullit për cilësinë e shërbimit që ofron KESH sha në mjaft zona rurale të vendit mbetet një problem i madh që nuk është marrë ende në konsideratë.
KESH sha vijon të mbajë disa analiza përllogaritjeje të kostos Dekon 2001 të energjisë, të cilat janë mjaft të dyshimta dhe jo aktuale. Kjo ka bërë që edhe propozimet e tyre të mos jenë në ato nivele realiste që kërkohen. Fakti që në llogaritë e saj ka një humbje teknike dhe jo teknike ende në masën e 40% tregon se me këto rritje ajo kërkon të përmirësojë bilancet e saj financiare.
19 Shkurt 2008