E Diel, 1 Nëntor 2026

9 dhjetori Dita Nderkombetare Kunder Genocidit

Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet dhe Shoqata „Çamëria“ organizuan në mjediset e Hotel Mondial një aktivitet me rastin e 9 dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Genocidit. Gjatë këtij aktiviteti u përkujtua genocidi ndaj shqiptarëve të Çamërisë, në vitin 1944, ku humbën jetën më shumë se 5 mijë shqiptarë dhe u dëbuan nga shtëpitë e tyre 30 mijë shqiptarë të kësaj treve.

Me këtë rast u prezantua edhe libri „Paramithia, qytetërimi mes tragjedive“ të autorëve Nexhat Merxhushi dhe Mehmet Minga që flet mbi historinë e qytetit dhe për Masakrën e Paramithisë më 27 qershor 1944, prejnga nisi edhe genocidi mbi shqiptarët e Çamërisë.
Kryetari i Shoqatës Çamëria, z. Ardian Tana theksoi gjatë fjalës së tij se Dita Ndërkombëtare Kundër Genocidit duhet të na bëjë të gjithëve të punojmë për zgjidhjen e çështjes çame.

„Çështja çame ka lindur si pasojë e një genocidi të ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë, të cilët u masakruan dhe u dëbuan nga trojet e tyre vetëm dhe vetëm pse ishin shqiptarë. Tashmë është momenti që të rivendosim në vend këtë padrejtësi historike dhe që ky genocid të marrë përgjigjen e duhur“ – deklaroi z. Tana.
Studiuesi Enver Kushi referoi mbi librin e prezantuar, duke vlerësuar punën e dy autorëve, të cilët kanë hulumtuar në arkiva origjinale për të sjellur në pah të vërtetat e kësaj treve shqiptare.

„Puna e dy autorëve është e lavdërueshme përnga pikëpamja shkencore. Botimi i librave të tillë i shërben më së miri zhvillimit të memories historike dhe vendosjes së bazave për zgjidhjen e kësaj çështjeje“ – tha z. Kushi.
Presidenti I Nderit I Partisë Drejtësi, Integrim dhe Unitet, z. Tahir Muhedini kërkoi që të gjithë shqiptarët të punojnë për çështjen çame, duke nxjerrë në dukje këtë padrejtësi.
“Ky genocid që është ushtruar ndaj shqiptarëve të Çamërisë duhet të vihet në dukje të të gjithëve. Kjo është mënyra se si çështja çame mund të zgjidhet. Botimi i këtij libri vjen në Ditën Ndërkombëtare Kundër Genocidit dhe shërben si një moment reflektimi për atë që kemi bërë dhe atë që duhet të bëjmë„ – deklaroi z. Muhedini.

Akademiku Beqir Meta deklaroi se puna më e mirë që mund t’i bëhet çështjes çame me qëllim zgjidhjen e saj është pikërisht puna e historianëve dhe u zotua se jemi në një rrugë të tillë.

„Nuk është rastësore që sot edhe Instituti i Historisë do të zhvillojë një mbledhje, ku ndër të tjera do të shihet mundësia e pasurimit të bibliografisë me një tjetër vëllim që ka të bëjë me genocidin e shqiptarëve të Çamërisë„ – theksoi z. Meta.

Në fund të aktivitetit folën edhe z. Nexhat Merxhushi dhe z. Mehmet Minga, autorë të librit të cilët theksuan përvojën e tyre në Paramithi, si pikënisje frymzimi për këtë botim. Nexhat Merxhushi dhe Mehmet Minga kanë lindur në Paramithi dhe janë larguar me dhunë nëpërmjet një kalvari në moshë 11 vjeçare.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›