"9 janari", kthehet dosja e tragjedisë
SHKODER/ RIDVAN DIBRA
Gjykata e Apelit në Vlorë vendos riha-pjen e dosjes së tragjedisë së 9 janarit 2004 në Karaburun. Kërkesa e familjarëve, të cilët akuzonin persona të tjerë në trafikun klandestin, me pasojë vdekjen e 21 personave, u pranua dje. Por, çështja pritet të kalojë sërish në Prokurorinë e Vlorës, jo te Krimet e Rënda, siç kërkojnë familjarët e viktimave, 4 prej të cilëve prej 17 ditësh në grevë urie. Në seancën e djeshme ka qenë i pranishëm përfaqësuesi ligjor i familjeve, Dodë Mehmetaj. Në një intervistë për gazetën, ai tregon pse është kërkuar rihetim i tragjedisë dhe enigmat e saj. Për familjarët, nuk ka asnjë dyshim se atë natë kanë qenë dy gomone, por ajo me trupat e 8 viktimave është zhdukur për të fshirë gjurmët e ngjarjes.
Zoti Mehmetaj, cili është komenti juaj në lidhje me vendimin e Gjykatës së Apelit në Vlorë?
Gjykata e Apelit shqyrtoi vendimin e datës 29 janar 2008 të Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, mbi pushimin e procedimit penal Nr.164 të vitit 2006, të Prokurorisë së rrethit Vlorë, që bënte fjalë për tragjedinë e 9 janarit 2004. Ne jo vetëm që nuk e pranuam vendimin, por kërkuam vazhdimin e hetimit për ngjarjen. Gjykata e Apelit në Vlorë nuk bëri gjë tjetër vetëm se ndërmori një vendim, të cilin ne e kërkonim prej kohësh.
Ku bazoheni ju që kërkuat rrëzimin e këtij vendimi dhe rifillimin e hetimeve?
Nisur nga hetimi i parë i bërë nga Prokuroria e Vlorës dhe mënyra se si e trajtoi gjykata e po këtij rrethi këtë çështje. Ne u bazuam në fakte dhe prova konkrete, por asnjëherë Prokuroria e Vlorës nuk mori parasysh kërkesën tonë për rihetim të kësaj ngjarjeje. Këmbëngulja jonë ka të bëjë me hetimin e cekët gjatë hetimit të parë, pasi nuk janë marrë në pyetje ata që duhet të merreshin të parët nën akuzë: ish-drejtori i policisë, Bajram Ibraj për deklaratat kontradiktore të dhëna në vende të ndryshme për të njëjtën ngjarje, ish-shefi i shtabit Pëllumb Qazimi dhe ish-komandanti i forcave detare, admiral Kudret Çela për mënyrën e organizimit të operacionit të kërkim-shpëtimit të asaj nate. Pa harruar këtu dhe zv/kryeministrin e asaj kohe Namik Dokle si dhe ministrat e rendit dhe të mbrojtjes. Të gjithë hetimet duhet të kishin filluar nga informacionet e asaj nate, pasi të dhënat e strukturave shtetërore janë "vrima e zezë" e kësaj tragjedie. Njëkohësisht janë edhe dëshmitë e personave me detyrë në atë kohë, të cilët edhe në ato raste kur kanë dëshmuar nuk u është marrë me qëllim dëshmia.
Tani që çështja është kthyer për hetim, sa besoni se do të zbardhet e vërteta?
Në fakt, sa u gëzuam kur morëm vesh vendimin e Apelit që çështja do të rigjykohet, aq u hidhëruam kur mësuam se do të jetë Prokuroria e Vlorës që do të hetojë sërish çështjen. Pasi ishte e njëjta prokurori e cila kërkoi pezullimin e hetimeve në Gjykatën e Vlorës herën e parë. Do të ishte në nderin e Prokurorisë së Përgjithshme, e cila pasi të shqyrtonte dosjen e kësaj prokurorie për këtë çështje, hetimin e saj ta delegonte në Tiranë pranë Prokurorisë së Krimeve të Rënda, pasi kështu nuk do të kishte asnjë shkelje ligjore. Por Ina Ramës kjo nuk i shkon për shtat. Këtu kemi dy pyetje: Ina Rama është e paaftë?! Apo: Ina Rama është e kapur nga krimi?! Besoj se do t'i kenë treguar Ramës se paraardhësi i saj, Theodhori Sollaku e rihapi një herë hetimin e kësaj çështjeje në vitin 2006, por e mbylli pas 2 vitesh pa asnjë shpjegim. Ky qëndrim i zonjës Rama, qëndrim i papërgjegjshëm në raport me ligjin po lë të vdesin ata dy persona që akoma edhe sot ndodhen në grevën e urisë në Shkodër.
Mehmetaj: Misteret e tragjedisë
*"Gjatë marrjes në pyetje, ish-drejtori i Përgjithshëm i Policisë pohoi se në atë kohë u bënë të gjitha përpjekjet për të bërë shpëtimin e njerëzve.
Natën e ngjarjes ai tha se në det ishte një gomone me dy trafikantë.
Ndërsa në një procesverbal të kërkuar nga stafi i Presidentit Moisiu, në atë kohë del se nuk janë zbatuar një sërë procedurash në operacionin e kërkim-shpëtimit dhe nuk ishin marrë masat e plota për të shpëtuar njerëzit në rrezik".
*"Gomonen e parë e ka gjetur një anije italiane. Gjatë procesit ka rezultuar që me urdhër të ministrit Pandeli Majko, një anije shqiptare ka tentuar ta marrë me forcë gomonen, por pas 4 orësh negociatash nuk mundën. Ajo do të kishte fatin e gomones së dytë të zhdukur".
*"Nuk ka asnjë dëshmi të të mbijetuarve të tragjedisë në dosje".
*"Drejtori i Policisë Kriminale në atë kohë, Sokol Bizhga ka treguar se gomonen me trupa që nuk lëviznin e ka parë pranë gjirit të Dafinës. Gomonia me trupat e tjerë u gjet në Karaburun. Kjo tregon se ka ekzistuar gomonia e dytë, me trupat e pajetë".