Shqipëria, një treg me perspektivë për kompanitë e sigurimeve
Tregu shqiptar i sigurimeve konsiderohet si një treg i ri dhe me mjaft perspektivë në zhvillimin e tij, sipas kompanive më të fuqishme europiane të sigurimeve. Epërsi në tregun e Europës Lindore ka një prej udhëheqësve të tregjeve, “Vienna Insurance Group”, e cila ka aktivitet në Republikën Çeke, Sllovaki, Rumani, Bullgari, Shqipëri dhe Gjeorgji dhe është aktive në 23 shtete të tjera. Sipas një raporti, në këto vende rritja ishte 58 për qind, në krahasim me tregjet e tjera të Europës Perëndimore. Mes viteve 2002 dhe 2006 rritja ishte me më shumë se 128 për qind, krahasuar me 67 për qind në Europën Perëndimore. Sigurimi në krahasim me të ardhurat për frymë në 2006-n u rrit nga 212 dollarë në shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore krahasuar me 1,107 dollarë në shtetet e perëndimit. Ndërkohë që në Europën Perëndimore rritja është e drejtuar kryesisht nga produktet e sigurimit të jetës, të dyja klasifikimet e jetës dhe të jo jetës janë rritur fuqishëm në shtetet e Europës Qendrore dhe Lindore. “Është gjithnjë shumë më e thjeshtë për kompanitë e sigurimeve austriake që të bëhen pjesë e kompanive të shteteve të Europës Qendrore dhe Lindore, për shkak edhe të ngjashmërive në kulturë dhe mentalitet. Udhëheqësit e tregjeve austriake kanë lulëzuar në këtë ekspansion, duke e bërë më mirë se sa konkurrentët në vendet e tjera europiane”, - thekson raporti. Ky ekspansion pritet të vazhdojë më shumë akoma, duke i dhënë Austrisë një epërsi reale mes tregjeve të sigurimeve europiane.
AMF-ja, në 6 muaj tregu i sigurimeve u rrit me 16.72 për qind
Vitin e kaluar të ardhurat totale të sigurimeve të jo jetës ishin 61.07 milionë dollarë. Sa i përket sigurimit të automjeteve raporti thekson se kjo shifër llogaritet në mbi 75 për qind të totalit. “Të ardhurat e sigurimeve vullnetare llogariten vetëm 30 për qind të të ardhurave totale”, - thekson raporti. Gjithsesi, rritja e këtij tregu në Shqipëri në krahasim me vende si Italia, Franca, Austria, Zvicra, është më e lartë, deri në 12,85 për qind. Rritjen më të lartë e ka sipas grafikut Rumania me 40.28 për qind dhe pas saj vjen Bullgaria, me 17,06 për qind, vende këto të dyja anëtare të Bashkimit Europian. Në raport thuhet se potenciali i madh i tregut të sigurimeve përcaktohet si faktor themelor në tërheqjen e interesit të kompanive ndërkombëtare për të investuar në Shqipëri. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare gjatë periudhës janar-korrik 2008 tregu i sigurimeve ka një rritje në masën 16.72 për qind në krahasim me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Volumi i primeve të shkruara bruto është rritur me 575 milionë lekë dhe kap shifrën e 4 miliardë lekëve. Në vendin tonë INSING është kompania shtetërore e sigurimeve, e cila është në proces privatizimi. “Por grupet austriake të sigurimit kanë treguar një rritje shumë domethënëse me politikat e tyre të zgjerimit në vendet e Europës Qendrore dhe Lindore, edhe pse me vendndodhje në shtete të tjera europiane”, - thekson raporti. Gjatë këtyre viteve një ekspansion i gjerë u vu re në të dyja llojet e sigurimeve edhe në shtete si Hungaria, Polonia dhe Kroacia. Për shkak të vendndodhjes dhe lidhjes historike me Europën Lindore, Austria është një platformë ideale për t’u lançuar në rajon.
Ligji, kompanitë e transportit detyrohen të sigurojnë jetën e pasagjerëve
Shtetasit shqiptarë do të kenë mundësinë që të jenë të siguruar nga çdo lloj dëmtimi që mund t’u ndodhë kur ata udhëtojnë si pasagjerë, brenda ose jashtë vendit. Kjo është një nga kërkesat që Bashkimi Europian vendos si kusht për sistemin shqiptar të transportit dhe për kompanitë që veprojnë në këtë territor. Në këtë mënyrë, pronarët e mjeteve të transportit të pasagjerëve janë të detyruar të lidhin një kontratë për sigurimin e aksidenteve të pasagjerëve në transportin publik. Në projektligjin e prezantuar "Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit", minimumi i shumës për çdo pasagjer, për çdo rast dëmi apo humbjeje, për të cilën është lidhur një kontratë sigurimi për një mjet transporti, është: në rast vdekjeje 2 milionë lekë, ndërsa në rast të paaftësisë së përhershme, 4 milionë lekë. Në bazë të këtij projektligji parashikohet që kontrata të lidhet nga pronarët e autobusëve urbanë, interurbanë dhe transportit publik ndërkombëtar, duke përfshirë rastet kur merren mjete me qira. Në këtë lloj kontrate sigurimi futen edhe autobusët që transportojnë punëtorë për dhe nga qendrat e punës, autobusët e shoqërive turistike që përdoren për transportin e turistëve, si dhe taksitë dhe makinat me qira, edhe kur jepet bashkë me drejtuesin e mjetit.
Mjetet lundruese, pjesë e ligjit për sigurimin e udhëtarëve
Sipas relacionit shoqërues të këtij projektligjit “Për sigurimin e detyrueshëm në sektorin e transportit”, kontrata përfshin edhe të gjithë tipat e mjeteve lundruese detare, lumore dhe liqenore, përfshirë tragetet për transportin e pasagjerëve në linja të rregullta dhe transportin e turistëve si dhe mjetet lundruese pa motor. Këtu përfshihen të gjithë tipat e mjeteve, të dhëna me qira lundruese të sipërpërmendura me të paktën një anëtar ekuipazhi. Projektligji parashikon lidhjen e kontratave të sigurimit edhe për avionë të përdorur për transportin publik ajror të pasagjerëve dhe mallrave, si dhe të gjitha mjeteve të tjera të transportit, pavarësisht nga tipi i origjinës së fuqisë, të përdorur për transportin publik të pasagjerëve me pagesë, përfshirë këtu mjetet e transportit mbi shina dhe teleferikët. Detyrimi i një shoqërie sigurimi në kontratën e sigurimit, përfaqësohet nga shuma e siguruar e vlefshme në ditën e rastit të humbjes apo dëmtimit, nëse nuk është rënë dakord për një shumë më të madhe në kontratën e sigurimit.
11 Shtator 2008