E Diel, 1 Nëntor 2026

Rektori i Durrësit: “Avantazhet tona në njohjen e diplomave në Perëndim”

Flet Agim Kukeli, rektori i Universitetit “Aleksandër Moisiu”, në prag të vitit të ri akademik . Rreth 1270 studentë ulen për herë të parë. Si do të funksionojë FASTIP

“Kurrikulat e përdorura që në fillim të punës në universitetin tonë kanë lehtësuar punën për njohjen e diplomës në universitetet perëndimore”. Kështu është shprehur rektori i Universitetit të Durrësit, Agim Kukeli, në një intervistë të dhënë për “Albania”-n në prag të fillimit të vitit të ri akademik. Ai ka pohuar se 1270 studentë do të ulen për herë të parë në auditorët e këtij universiteti. Po ashtu, Kukeli shpjegon edhe mënyrën sesi do të funksionojë Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën, i cili është hapur me asistencën e qeverisë gjermane. Kukeli pohon se dega e specialistit të Rrjetave Kompjuterike është ndër më të kërkuarat nga studentët, ku për këtë vit akademik do të studiojnë në këtë disiplinë 200 studentë të rinj.

Tashmë ka mbetur më pak se një muaj për të filluar viti i ri akademik. Zoti rektor, sa do të jetë numri i pranimeve të studentëve me kohë të plotë në universitet? Po part-time? Krahasuar me vitin e kaluar, a do të ketë numër më të lartë pranimesh për vitin 2008-2009?
Këtë vit të ri akademik Universiteti “Aleksandër Moisisu” në Durrës do të hapë dyert për 3600 studentë “full-time”, nga të cilët 1270 do të ulen për herë të parë në auditorët e këtij universiteti. Numri i pranimeve këtë vite ka pësuar një rritje, e cila për këtë universitet është e ndjeshme. Kemi një numër të madh pranimesh në degën “Specialist Rrjetesh Kompjuterike”, ku 200 studentë të rinj do të regjistrohen në këtë degë këtë vit të ri akademik.

A do të hapen degë të reja në universitetin tuaj? Nëse po, cilat janë?

Këtë vit akademik, përveç 19 degëve në tre fakultete ekzistuese, hapet një fakultet i ri; Fakulteti i Studimeve të Integruara me Praktikën (shkurt FASTIP) që është i pari në llojin e vet që hapet në Shqipëri. Ky fakultet operon sipas përvojës së “Berufakademise” të Gjermanisë dhe është asistuar nga qeveria gjermane përmes një projekti të veçante dhe GTZ-së. Fakulteti synon që përmes alternimit periodik të mësimdhënies teorike (tre muaj në auditor) dhe praktikës në kompanitë vendase dhe të huaja (tre muaj internship pranë kompanive) për tre vjet radhazi të ofrojë një model të bashkëpunimit sektor privat-sektor publik edhe në arsimin e lartë. Përzgjedhja e studentëve për të tre degët e këtij fakulteti është ekskluzivitet i kompanive private të përzgjedhura nga Këshilli i FASTIP mbi bazën e kritereve të miratuara po nga ky i fundit.

Një ndër pikat më të rëndësishme është cilësia e mësimdhënies. A keni kapacitetet e duhura për ta realizuar këtë proces sipas standardeve?

Mësimdhënia është një nga çështjet kryesore në punën e personelit akademik në qarqet universitare në përgjithësi dhe një përparësi në universitetin tonë. Ne, aktualisht kemi një personel akademik “full-time” prej 50 vetash, ku një pjesë e konsiderueshme e të cilëve kanë përfunduar studimet universitare, mastera, dhe PhD në universitetet perëndimore. Trupa aktuale akademike siguron një cilësi të mësimdhënies të parametrave euro-amerikane. Por, nuk është vetëm mësimdhënia esenciale në përgatitjen e ekspertëve të ardhshëm. Po aq e rëndësishme është edhe mësimnxënia. Këtu, një rol kryesor luan studenti, i cili inkurajohet të jetë pjesë aktive e këtij procesi përmes vlerësimit që këto të fundit bëjnë për lektorët vlerësim, i cili është pjesë integrale e matjes së sasisë dhe cilësisë së punës së lektorit.

Shumë nga të rinjtë që mbarojnë studimet universitare, nuk kanë njohuritë e domosdoshme për tu përballur me tregun e punës. A mendoni se kjo është një e metë e fakulteteve? A keni ndërmarrë ndonjë hap për njohjen dhe ekuivalentimin e diplomës së universitetit tuaj në shtete të tjera?

Nëse çfarë ju deklaroni në pyetjen tuaj është e vërtetë, atëherë kjo lë hapësirë për një reflektim të punës së universiteteve, institucioneve politikëbërëse, fakulteteve dhe më tej. Është i natyrshëm edhe një diskutim më i gjerë. Gjëja e parë që do të më shkonte në mendje do të ishte: A janë universitetet të interesuara dhe të afta të ndjekin tregun? Interesi ka të bëjë me përgjegjësinë direkte të universiteteve në shpenzimin e fondeve të taksapaguesve. Kjo mund të lërë për të dëshiruara, por nuk mund të injorohet edhe fakti se universitetet shpesh nuk lejohen të kenë zhdërvjelltësinë e duhur. Për shembull; nëse universiteti mendon se një degë apo profil i caktuar duhet të ketë një numër po të caktuar studentësh, sa mbahet ky rekomandim parasysh në shpërndarjen e numrit të përgjithshëm të kuotave? Përsa i përket njohjes së diplomave, ne kemi avantazhin që kemi nisur që në fillim me kurrikula të krahasueshme me universitetet perëndimore, dhe nga rastet e pakta që kemi pasur, studentët tanë që kanë transferuar studimet, e kanë pasur të lehtë transferimin dhe njohjen e kurseve dhe vlerësimeve të marra në Universitetin “Aleksandër Moisiu” Durrës. Po kështu, një degë është “certifikuar” nga Universiteti i Shkencave të Aplikuara i Landshut të Gjermanisë. Studentët e diplomuar në UAMD, në degën Specialistë Rrjetesh Kompjuterike, (degë kjo 2-vjeçare), mund të transferohen në universitetin gjerman, të bëjnë dy semestra dhe të pajisen me Diplomën e Nivelit të Parë “Bachelor”. Kjo është një arritje e universitetit dhe një garanci për kualitetin e studimeve të ofruara.
Nga ana tjetër, studentët në UAMD pajisen me “triple bilingual certifikate”-certifikatë dygjuhëshe tresistemshe”, ku të gjitha elementët e certifikatës janë të shprehura në shqip dhe anglisht, në sistemin shqiptare, europian, dhe amerikan të krediteve dhe notave. Kjo është një tjetër garanci për njohjen e diplomave përmes bërjes sa më të lexueshme nga institucionet e arsimit të lartë analogë në botë.

Prej kohësh ka nisur një debat për cilësinë e arsimit të lartë në universitetet publike në Shqipëri. Çfarë hapash keni ndërmarrë për rritjen e standardeve në universitetin tuaj?

Sikurse shpjegova edhe në pyetjet e tjera, ne si UAMD operojmë në bazë të standardeve të ligjit dhe të Kartës së Bolonjës. Një pjesë e programeve janë “chekuar”, certifikuar dhe parë nga institucione të treta dhe janë vlerësuar me nota shumë pozitive. Ky është një “akreditim” jo formal i kurseve që ofrojmë. Shumë shpejt do të nisim procesin e vlerësimit të brendshëm dhe do të kërkojmë të akreditohemi nga institucione akredituese amerikane, pasi edhe sistemi që ne aplikojmë është i tillë.

Sa të pavarura janë realisht universitetet shqiptare në bazë të legjislacionit që është për Autonominë e Universiteteve?

Ka një pavarësi reale për sa i përket anës akademike, lirisë akademike të shprehjes, etj. Ka një pavarësi në formimin dhe zgjedhjen e organeve drejtuese akademike dhe administrative në universitet publike. Ka një minimum të numrit të fakulteteve dhe departamenteve e organeve kolegjiale e vendim-marrëse që sigurojnë një vijueshmëri, debat, dhe harmonizim të interesave të universitetit me atë të personelit dhe stafit si dhe të studentëve për sa i përket mbarëvajtjes së punës në tërësi. Pra, me pak fjalë ka autonomi të bashkërenduar me parimin “Check and balance”.
Ajo ç’ka nuk është arritur ende, ka të bëjë me pavarësinë ekonomike. Ndoshta është shpejt që universitetet ta kenë këtë hapësirë, veç të tjerash, ndoshta nuk janë të gatshme të shfrytëzojnë me rigorozitet dhe efektivitet atë.

Vitet e fundit janë hapur shumë universitete private. Si i vlerësoni standardet e tyre. Sa ka ndikuar kjo në rritjen e cilësisë së mësimdhënies në universitetet publike? A do të lejoni që pedagogët tuaj të punojnë edhe në universitetet private?

Universitetet private, si pjesë komplementare e atyre publike, për shkak të misionit të tyre të përbashkët: ofrimin e një të mire publike, “ndihmojnë” njëra-tjetrën. Privati ndihmon publikun, duke mundësuar që më shumë studentë të arsimohen: pra, në një mënyrë, shërben si “valvul” shkarkimi, ndërsa publiku ndihmon privatin me eksperiencën, kurrikulat, pse jo edhe me lektorë. Si çdo gjë e re, edhe universitetet kanë nevojë për mbështetje dhe mbi të gjitha, t’iu jepet mundësi të konkurrojnë në kushte të barabarta. Në konkurrencën e lirë (që njihet si forma me efektive e aktivizimit të burimeve për të prodhuar mallra dhe shërbime) të gjithë duhet të ndjehen të barabartë dhe të kenë të njëjtat mundësi konkurrence. Kjo pastaj do të hapë rrugë që tregu, përmes mekanizmit të cilësisë (në të cilin mund të gjejë mishërim edhe “çmimi”), universitet që kanë strukturë, cilësi, dhe performancë më të mirë të mbijetojnë.
Pedagogët e UAMD-së do të kenë një kontratë me universitetin dhe dekanët për kohën që duhet detyrimisht të harxhojnë në universitet (leksione dhe konsultime me studentët) dhe detyrimet për kërkimin shkencor, kualifikimin e mëtejshëm, dhe shërbimin ndaj universitetit dhe komunitetit. Pas kësaj, ata do të jenë të lirë institucionalisht të ndihmojnë universitetet e tjera publike dhe private.

Intervistoi: Albert Gjoka

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›