E Diel, 1 Nëntor 2026

Rreziqet natyrore dhe frika nga zjarri rrisin me 50 për qind nivelin e sigurimeve



Ervin Koçi

Shqiptarët kanë nisur që të bëhen më të kujdesshëm për jetën, pronën dhe pasuritë e tyre, duke u kujdesur që t’i sigurojnë ato. Këtë vit, vetëm gjatë 6 muajve të parë, niveli i subjekteve dhe individëve që kanë siguruar jetën, pronën apo mjetin e tyre është rritur ndjeshëm në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Lajmin për gazetën “Albania” e kanë bërë të ditur përfaqësuesit zyrtarë të disa prej kompanive të sigurimeve më të fuqishme të vendit. Sipas Klajdi Çitozit, përfaqësuesit të njërës prej kompanive kryesore të sigurimeve në Shqipëri “SIGMA”, “vetëm gjatë 6-mujorit të parë të vitit 2008 niveli i policave të sigurimeve në të gjitha zërat është rritur mbi 50 për qind”. Ai ka sqaruar më tej, se në këtë rritje të nivelit të të siguruarve kanë ndikuar mjaft arsye, njëra prej të cilave është sensibilizimi gjithmonë në rritje i individëve dhe subjekteve për të siguruar pronën dhe aktivitetin e tyre nga çdo rrezik, natyror apo human qoftë. “Numri i firmave private dhe subjekteve që sigurojnë pronat, aktivitetin, pasuritë dhe pajisjet është rritur ndjeshëm këtë vit, në krahasim me një vit më parë”, -thotë më tej përfaqësuesi i “SIGMA”-s, Çitozi. Sipas tij, janë shërbimet e shumta, niveli i sensibilizimit, por dhe nevoja për të qenë më të sigurt për pasurinë dhe jetën, ato që po detyrojnë gjithnjë e më shumë firmat dhe individët (këta të fundit më pak) që të vijnë dhe të bëhen pjesë e skemave të sigurimit. Sipas specialistit të “SIGMA”-s, mjafton pagesa e një shume fare modeste, pranë një kompanie sigurimesh, nga një individ apo subjekt, për jetën, për shëndetin, për pronën, makinën apo dhe pajisjet e shtëpisë, dhe ato janë të garantuara në çdo moment në rast të një fatkeqësie apo dëmtimi.

Sigurimi nga zjarri

Gjithnjë e më shumë bizneset po sigurojnë pronën e tyre nga zjarret, pasi pasojat që kanë krijuar rastet e viteve të fundit në ekonominë vendase i kanë ndërgjegjësuar ata për nevojën e sigurimit të pronave të tyre. Sipas Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, në portofolin "Zjarri dhe rreziqet shtesë", ndihet një rritje prej 46 për qind e numrit të kontratave të sigurimit dhe ulje me rreth 2 për qind të volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli, që shpjegohet dhe me marrjen në sigurim të përgjegjësive me vlera të vogla. Të dhënat e AMF-së tregojnë se numri i subjekteve që kanë lidhur kontrata për sigurimin e pronës nga zjarri është rritur, por kompanitë e sigurimeve nuk kanë përfituar rritje të vlerave monetare nga ky lloj sigurimi, për shkak se kontratat kanë pasur vlerë të vogël.

Leverdia e sigurimit

Sipas Klajdi Çitozit, përfaqësuesit të kompanisë “SIGMA”, janë më tepër firmat dhe kompanitë ato që kanë bërë dhe sasinë më të madhe të volumit të policave për sigurimin nga zjarri, në një kohë që individët dhe veçanërisht ata që sigurojnë shtëpinë, apo prona të tjera, janë në nivele më të ulëta. Por sipas tij, tragjedia e Gërdecit, që ndodhi më 15 mars 2008, ishte një mënyrë mjaftë e mirë për të bërë sensibilizimin sidomos të familjarëve për të siguruar pronat e tyre, qoftë edhe nga zjarri. “Të sigurosh shtëpinë nga zjarri kur ajo ka një vlerë të madhe dhe normalisht shkon nga 50-70 apo dhe 80 ose 90 mijë euro, në një kohë që për sigurimin paguan vetëm 40 euro për të gjithë vitin, ky është vërtet një investim me mend që duhet ta bëjë kushdo që blen një shtëpi të re”,-thotë specialisti i “SIGMA”-s, Klajdi Çitozi. Ai sqaron më tej për gazetën se kompania “SIGMA” ofron për të gjithë klientët e saj edhe sigurimin për pajisjet e shtëpisë (mobilie, elektroshtëpiake etj.) nga çdo lloj dëmtimi dhe rreziku përfshi zjarrin, shumë kjo që shkon jo më shumë se 60 euro në vit.

Sensibilizimi

Edhe pse shërbimet që ofrohen nga kompanitë e sigurimeve në vend për lloje të ndryshme sigurimesh, si për individët, ashtu dhe për kompanitë dhe subjektet, janë të shumta dhe me mjaft leverdi, mungesa e informacionit mban larg mjaft qytetarë që do të ishin të interesuar. Për të afruar këtë pjesë të interesuar që mund të blejnë llojet e ndryshme të policave të sigurimit, kompanitë e sigurimeve në vendin tonë ndërmarrin herë pas here fushata të ndryshme publicitare, si dhe shpërndajnë informacione të shkruara gjithandej. Por një gjë e tillë, sipas specialistit të “SIGMA”-s, Çitozi, nuk mjafton akoma kur kihet parasysh se tregu shqiptar është një treg i ri në fushën e sigurimeve, dhe për pasojë është prapa vendeve të tjera në këtë lloj eksperience. “Shqipëria ka vetëm 17 vjet që ka hyrë në këtë fushë shërbimesh, në një kohë që edhe vendet e Europës Lindore kanë mbi 60 vjet me këtë lloj eksperience”, - thotë Klajdi Çitozi. Shqipëria është një treg i vogël, por ka mundësi të zgjerohet në të ardhmen. Sipas një raporti të kompanisë “AXCO”, vendet e Europës Qendrore dhe Lindore janë pasur një zhvillim shumë herë më të lartë në krahasim me ato të Europës Perëndimore. Gjatë viteve të fundit në Shqipëri ka pasur tendenca pozitive për zhvillimin e tregut të sigurimeve, sidomos për sigurimin e jo-jetës.

11 Shtator 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›