E Diel, 1 Nëntor 2026

9 qeveritë “Berisha” dhe 10 ministrat e shkarkuar në katër vjet

Demokratët thyejnë rekordin në krijimin e kabineteve qeveritare

Vetëm pak javë para zgjedhjeve të 28 qershorit, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, dekretoi emërimin e ministrit të ri të Kulturës, i cili u mendua se do të ishte ndryshimi i fundit që Berisha bënte në qeveri në fund të mandatit 4-vjeçar. Por në fakt në javët e fundit Berisha u detyrua të ndryshojë ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale për shkak të largimit të PBDNJ-së nga koalicioni i djathtë dhe bashkimi me koalicionin e majtë. Pikërisht emërimi i Viktor Gumit në postin e ministrit të Punës shënoi ndryshimin e fundit të qeverisë “Berisha” për katër vitet e kaluara. Gjatë këtyre katër viteve në pushtet mund të thuhet me plot gojën se demokratët kanë thyer rekordin në krijimin e kabineteve qeveritare. Shumica e ndryshimeve në qeveri janë bërë si pasojë e skandaleve në të cilat janë përfshirë ministrat apo akuzave që kanë rënduar kundrejt tyre. Kryeministri Berisha është detyruar të bëjë ndryshime të paparashikuara në kabinetin qeveritar në jo pak raste. Në katër vite numërohen 9 kabinete “Berisha” dhe 10 ministra të shkarkuar gjatë katër viteve të PD-së në pushtet.
Pas zgjedhjeve të 3 korrikut 2005 Berisha krijoi kabinetin e parë qeveritar, i cili mori bekimin e Parlamentit në shtator të atij viti. Gati një vit pas zgjedhjeve të 2005-s, Berisha prezanton kabinetin e dytë qeveritar. Kështu, ai largoi Maksim Cikulin nga posti i ministrit të Shëndetësisë dhe në vend të tij vuri aleatin Nard Ndoka; largoi Arenca Trashanin si ministre Integrimi dhe afroi Majlinda Bregun; largoi Bujar Leskajn si ministër i MTKRS-së dhe vendosi Ylli Pangon; largoi Aldo Bumçin dhe në postin ministror të Drejtësisë vendosi Ilir Rusmalin, i cili mbante postin e zëvendëskryeministrit dhe në vend të Rusmalit u emërua Gazmend Oketa. Në prag të zgjedhjeve lokale të 2007-s jep dorëheqjen nga posti i ministrit të Brendshëm Sokol Olldashi, i cili kandidoi për postin e kryetarit të Bashkisë së Tiranës. Me largimin e Olldashit, i cili u vlerësua si i suksesshëm në drejtimin e Ministrisë së Brendshme, Berisha prezanton kabinetin e tretë qeveritar duke emëruar në vend të Olldashit Bujar Nishanin. Por, pas zgjedhjeve lokale, vetëm një muaj para vizitës historike të Presidentit të SHBA-ve, Xhorxh Bush, në Tiranë, jep dorëheqjen ministri i Jashtëm, Besnik Mustafaj, i cili njihej si krahu i djathtë i kryeministrit Berisha. Me dorëheqjen e papritur të Mustafajt, Berisha detyrohet të krijojë kabinetin e katërt qeveritar. Vendi vakant i Mustafajt u plotësua brenda 24 orëve nga kryeministri Berisha, duke e zëvendësuar Mustafajn me ish-ministrin e Transporteve dhe Punëve Publike, Lulzim Basha. Por largimi i Mustafajt krijoi dhe një rast të mirë për të kthyer në skenë ish-ministrin e Brendshëm, Olldashi. Sokol Olldashi u emërua në postin e ministrit të Transporteve. Pak muaj pas dorëheqjes së Mustafajt vjen një tjetër dorëheqje e papritur, ajo e ministrit të Drejtësisë, Ilir Rusmali. Publikimi i një bisede të regjistruar mes vëllait të tij dhe drejtorit të Burgjeve, për lehtësi në procedurat e një tenderi, bënë që Rusmali të jepte dorëheqjen. Largimi i Rusmalit detyron sërish Berishën që të prezantojë një tjetër kabinet qeveritar, këtë radhë kabinetin e pestë. Në vend të Rusmalit Berisha emëron Enkelejd Alibeajn në postin e ministrit të Drejtësisë. Vetëm pak muaj pas këtij ndryshimi ndodh tragjedia e Gërdecit. Më 15 mars të vitit 2008, 26 veta humbën jetën si pasojë e shpërthimit të një depoje të demontimit të armëve. Për pasojë jep dorëheqjen ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Për herë të tretë kryeministri Berisha ndryshon në mënyrë të detyruar qeverinë duke krijuar kabinetin e gjashtë qeveritar. Në vend të Mediut ai emëron Gazmend Oketën dhe në vend të Oketës ministrin e Arsimit, Genc Pollo. Në postin e ministrit të Arsimit emëron Fatos Bejën. Berisha shkarkon Nard Ndokën dhe në vend të tij emëron Anila Godon.
Konfliktet në gjirin e Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut detyroi kryeministrin Berisha që me kërkesë të kryetarit të PBDNJ-së të shkarkojë përfaqësuesin e kësaj partie në qeveri, ministrin e Punës dhe Çështjeve Sociale, Kosta Barka. Shkarkimi i Barkës dhe emërimi i Anastas Duros në këtë post sjell krijimin e kabinetit të shtatë “Berisha”. Publikimi i disa ditëve më parë i skandalit seksual në të cilin u përfshi ministri i Kulturës, Ylli Pango, shënon ndryshimin më të fundit të kabinetit qeveritar. Vetëm katër minuta pas publikimit të videos, kryeministri Berisha shkarkon ministrin Pango dhe brenda 24 orëve krijon kabinetin e tetë duke emëruar në vend të tij ish-kryetarin e Bashkisë së Elbasanit, Ardian Turku. Ndërsa në fund të mandatit Berisha krijoi kabinetin e nëntë pas largimit të Anastas Duros dhe emërimit të Viktor Gumit të Ministrinë e Punës.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›