Aleanca me LSI-në, nis beteja e posteve brenda PD-së
Zgjerimi i koalicionit nxit xhelozitë brenda maxhorancës. Figurat kryesore të PD-së kërkojnë portofola ministrorë
Pas fitores në zgjedhjet e 28 qershorit nis një kapitull i ri për PD-në, ku kryetarit Berisha i duhet të kënaqë orekset e aleatëve, por dhe pretendimet e deputetëve të tij në mënyrë që të mos lejojë shteg për një betejë mediatike pakënaqësish. Zgjerimi i koalicionit me një parti të majtë dhe me kërkesat e larta të LSI-së për përfaqësim në Kuvend dhe në qeveri duket se ka trazuar ujërat brenda selisë blu. Megjithëse aktualisht situata paraqitet e qetë, kjo për faktin se shumica e kandidatëve fitues, pas një fushate të lodhshme, janë larguar me pushime, burimet pohojnë se situata do të ndizet me afrimin e shtatorit, kur pritet të formatohet qeveria e re. Gjithçka do të varet dhe nga përfaqësimi i LSI-së dhe numri i dikastereve që do të marrë kjo parti. Ndërsa pjesa tjetër e tortës qeverisëse do të ndahet midis deputetëve të selisë blu.
Ndarja
Nëse kryeministri Berisha firmos akordin me LSI-në që kjo e fundit të marrë postin e kryetarit të Kuvendit dhe dy portofola ministrorë në qeveri, PD-së i mbeten jo pak, por 10 dikastere për të drejtuar vetëm. Megjithëse aleatët e PD-së kanë ngritur zërin duke i kujtuar Berishës marrëveshjen për bashkëqeverisje, shumë pak shanse kanë që të marrin post ministror. Burimet pohojnë se Ceka, Xhuveli e ndonjë tjetër mund të marrin, e shumta, poste zëvendësministrash. Ndërsa ende në pikëpyetje vazhdon të jetë përfaqësimi i republikanëve, të cilët synojnë doemos karrigen e ministrit, duke e akuzuar PD-në për dëmtim të rezultatit gjatë fushatës zgjedhore. Edhe nëse Partia Republikane arrin të marrë një post ministror, sërish Berisha do të ketë në dispozicion për të vetët 9 ministri, ndarja e të cilave duhet të jetë e tillë që të vendosë ekuilibrat e përfaqësimit të të vjetërve dhe figurave të reja të PD-së.
Figurat
Ajo që pritet të ndodhë para krijimit të qeverisë së re është mbledhja e strukturave të larta drejtuese të PD-së. Ashtu sikurse është lënë para zgjedhjeve, pas zgjedhjeve pritet të mblidhet Kuvendi Kombëtar i PD-së, i cili do të mandatojë sërish Berishën në krye të kësaj partie. Do të zgjidhen anëtarët e Këshillit Kombëtar dhe më pas anëtarët e Kryesisë së re qendrore të PD-së. Më tej në këto forume pritet që të zhvillohen debate konstruktive për përfaqësimin në qeveri. Burimet pohojnë se problematik mbetet përfaqësimi i nënkryetares së PD-së, Topalli. Kjo e fundit ka pasur gjithnjë synim të marrë Ministrinë e Jashtme. Por, nga ana tjetër, një ndër figurat më të mbështetura të Berishës, Lulzim Basha, pret të ketë një përfaqësim dinjitoz në rast se largohet nga Ministria e Jashtme.
Në pikëpyetje janë figurat me kontribute në parti që rikthehen në Kuvend, siç është Arben Imami, i cili gjatë katër viteve të kaluara drejtoi kabinetin e këshilltarëve të Berishës. Imami, një ndër themeluesit e PD-së, pret të shpërblehet për vitet në PD dhe kontributin e dhënë. Një tjetër figurë që kërkon shpërblim është dhe nënkryetari i partisë, Astrit Patozi. Megjithatë, Berisha, gjatë këtyre viteve, ka treguar se është politikan i surprizave dhe në fillim të shtatorit të gjithë e dinë se do të ketë një të tillë.
10 Korrik 2009