E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha merr mesazhe urimi për fitoren nga politikanë të së djathtës



Kryeministri Berisha ka marrë dje disa mesazhe urimi me rastin e fitores në zgjedhjet e 28 qershorit nga disa figura të djathta të rajonit. Kështu, kryetari i Partisë Demokratike Shqiptare në ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë, Menduh Thaçi, i ka dërguar një telegram urimi me rastin e fitores në zgjedhjet parlamentare kryeministrit Sali Berisha. “Më lejoni që në emrin tim personal dhe në emër të Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni t’Ju përgëzoj për organizimin e zgjedhjeve të qeta, të drejta dhe demokratike. Shqipëria, si anëtare e NATO-s dhe vend kandidat për Bashkimin Europian, jo vetëm që plotësoi të gjitha standardet demokratike europiane, por edhe njëherë u tregoi të gjithë skeptikëve dhe armiqve të Shqipërisë se shqiptarët janë popull me virtyte demokratike, se dinë të kultivojnë demokracinë dhe dinë të organizojnë zgjedhje të lira dhe demokratike”, - shkruan Thaçi në mesazhin dërguar kryeministrit Berisha.
Edhe kryetari i Partisë Bashkimi Demokratik për Integrim në FYROM, Ali Ahmeti, i ka dërguar një telegram urimi kryeministrit Berisha. “Ndiej kënaqësi të veçantë që me rastin e përfundimit të procesit zgjedhor në Republikën e Shqipërisë t’Ju përgëzoj për suksesin e arritur. Deklarimi për formimin e koalicionit qeveritar shpreh gatishmërinë e subjekteve politike për të vënë interesin shtetëror para interesave partiake. Ky përcaktim dëshmon pjekurinë politike të udhëheqësve partiakë për të avancuar të përgjithshmen ndaj individuales”, - shkruan Ali Ahmeti në mesazhin dërguar Berishës, duke vlerësuar bashkëpunimin midis PD-së dhe LSI-së.
Berisha ka marrë një tjetër telegram urimi, kësaj here nga kryetari i Partisë Demokracia e Re në FYROM, Imer Selmani, i cili në fjalën e tij është shprehur: “Kam bindjen që bashkëpunimi PD-LSI do të sinkronizojë në mënyrën më të mirë të mundshme aspiratat eurointegruese dhe zhvillimore të Shqipërisë”.
Kryeministrin Berisha, për mandatin e dytë qeverisës, e ka uruar edhe kryetari i Partisë Ekologjike të Kosovës, Arif Krasniqi.
Edhe kryetari i Partisë për Veprim Demokratik, Riza Halimi, i ka dërguar një letër urimi kryeministrit Berisha.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›