E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat që largohen nga qeveria dhe ata që do të qëndrojnë

Berisha pritet të mbajë për PD-në dikasteret kyçe

Më shumë se gjysma e ministrave aktualë pritet t’i lënë karriget e tyre në fillim të muajit shtator. Burimet nga PD-ja bëjnë të ditur se qeveria e re e demokratëve do të krijohet në javën e parë të shtatorit, kur të nisë punën Kuvendi i ri. Por ajo që pritet të ndodhë është një formatim i ri i kabinetit qeveritar, ku pritet të mos jenë ministrat përfaqësues të partive aleate dhe disa prej ministrave të PD-së. Burimet bëjnë të ditur se pritet të mos ndryshojnë emrat e ministrave që kanë drejtuar dikasteret kyçe gjatë katër viteve të kaluara. Ndërsa aleatët e rinj të PD-së, sipas burimeve nga selia blu, mendohet se do të marrin postet e ministrive që sigurojnë elektorat.
Qëndrimet
Burimet pohojnë se të paktën katër nga ministrat aktualë nuk do të largohen nga qeveria. Ata mund të bëjnë rokadë postesh duke zëvendësuar njëri-tjetrin nëpërmjet ministrive të ndryshme, por do të vazhdojnë të jenë në krye të karrigeve ministrore. Janë pikërisht figurat qendrore të PD-së ata që kanë mbajtur mbi supe peshën më të madhe të fushatës elektorale. Sipas burimeve nga selia blu, në kabinetin e ri qeveritar, në krye të Ministrisë së Financave pritet të jetë sërish Ridvan Bode. Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike e drejtoi këtë dikaster kyç të qeverisë gjatë katër viteve të kaluara. Ndërkaq, kryeministri Berisha, në daljet e tij publike, ka vlerësuar rritjen ekonomike të vendit, rezultat i reformave pozitive të ndërmarra nga qeveria e tij e veçanërisht nga ministri i Financave. Po kështu, në postin e ministrit të Ekonomisë dhe Energjetikës do të vazhdojë të qëndrojë Genc Ruli. Ky i fundit, ashtu sikurse Bode, e ka drejtuar këtë ministri gjatë katër viteve të kaluara dhe është një ndër ministrat e vlerësuar të kreut të qeverisë. Ruli është ministri që ktheu realitet premtimin elektoral të Berishës për 24 orë drita në mbarë vendin. Dy ministra të tjerë që do të vazhdojnë të mbeten në qeveri sipas burimeve do të jenë Lulzim Basha e Sokol Olldashi. Pikërisht për këto figura burimet pohojnë me siguri praninë e tyre në qeveri, por nuk dihet ende në cilat dikastere do të jenë drejtues. Kjo varet nga postet që do t’u lihen aleatëve.
Burimet pohojnë se në rast se kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, merr postin e kryetarit të Kuvendit, atëherë në postin e ministres së Jashtme pritet të emërohet nënkryetarja e PD-së, Jozefina Topalli. Në një skemë të tillë qeverie Bashës mendohet se do t’i rikthehet posti i ministrit të Transporteve nga i cili u largua për shkak të akuzave të opozitës për abuzime në fondet e rrugës Durrës-Kukës. Ndërsa ministri aktual i Transporteve, Sokol Olldashi, mendohet se do të rikthehet në Ministrinë e Brendshme. Megjithatë, ajo që është e sigurt, sipas burimeve nga PD-ja, është se katër ministrat e lartpërmendur do të vazhdojnë të qeverisin vendin bashkë me kryeministrin Berisha.
Largimet
Pjesa më e madhe e ministrave aktualë do të largohen. Në bazë dhe të rezultatit të zgjedhjeve pritet të mos përfaqësohet në qeveri me post ministri kryetari i Partisë Agrare Ambientaliste, Lufter Xhuveli. Po kështu do të largohet ministrja e Shëndetësisë, Anila Godo. Burimet pohojnë se ka shumë mundësi që Berisha t’u japë një post ministror republikanëve, të cilët në zgjedhje kanë marrë një mandat deputeti. Në kabinetin e ri do të mungojë edhe ministri aktual i Arsimit, Fatos Beja. Burimet pohojnë se ka shumë gjasa që ky dikaster t’i jepet LSI-së. Në pikëpyetje janë figurat e tjera qeveritare, si Genc Pollo, Jemin Gjana, Majlinda Bregu, Gazmend Oketa, Ardian Turku e Viktor Gumi. Sipas burimeve, gjithçka do të qartësohet në javën e parë të shtatorit, ndërsa pritet në ditët në vijim që të ndahen dikasteret që do t’i jepen LSI-së.

10 Korrik 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›