“90 për qind e trafikantëve, përdorues droge”
25/12/2004 “Mbi 90 për qind e personave që merren me trafikimin dhe shitjen e sasive të vogla të drogës, janë përdorues të saj”. Ky është konkluzioni i statistikës vjetore të Prokurorisë së Tiranës, lidhur me trafikun dhe shpërndarjen e drogave. Sipas kësaj statistike, trafikantët dhe shpërndarësit e dozave të vogla janë përdorues të drogave të forta, si kokaina, heroina dhe amfetamina. Burime nga Prokuroria e Tiranës, thanë se ky konkluzion është arritur gjatë hetimeve të çdo rasti të kapjes së personave me drogë. Në kuadër të klasifikimit të veprës penale, hetuesit kanë kërkuar kryerjen e analizës toksike për të arrestuarit me drogë. Analizat janë kryer në repartin e toksikologjisë pranë Spitalit Ushtarak në Tiranë. Sipas këtyre analizave, për çdo rast, përgjigjja e dërguar në Prokurori për 90 për qind të rasteve të ekzaminimit, është përdorues droge. Pas këtyre analizave, Prokuroria e ka klasifikuar akuzën për të arrestuarit, duke përcaktuar në hetim se të pandehurit nuk janë vetëm trafikantë të narkotikut, por edhe përdorues të tij. Sipas Prokurorisë, numri më i madh i të arrestuarve me drogë në Tiranë është i moshës 15-25 vjeç. Prokuroria tha se gjatë këtij viti, janë shënuar më shumë se 650 raste të arrestimit të personave që mbajnë drogë, për qëllime përdorimi, shitje dhe shpërndarje. Shpërndarësit e drogës kanë përfituar lehtësira ligjore pas analizave që i kanë nxjerrë përdorues të lëndëve narkotike. Numri i përdoruesve të arrestuar të drogës gjatë këtij viti, llogaritet me rritje. Prokuroria, thotë se mungesa e profesionalizmit dhe seriozitetit të policisë, vazhdon të jetë një ndihmesë e mirë për futjen e drogave dhe qarkullimin e tyre në Shqipëri. Në të gjitha pikat kufitare dhe portet e Shqipërisë, janë vënë pajisje moderne që zbulojnë ngarkesat me drogë. Këto pajisje janë dhuruar nga Qeveria amerikane, në kuadër të ndihmës dhe bashkëpunimit në luftë kundër trafiqeve.