E Hënë, 2 Nëntor 2026

900 gramë tritol në shkallët e "Venecias"

16/04/2005  Sërish shpërthim në mesnatë. Një makinë ndaloi dhe hodhi një pako me eksploziv. Atentatorët të paidentifikuar

TIRANË- Nëntëqind gramë tritol shkaktojnë një shpërthim të fuqishëm në shkallët e bar-pastiçeri "Venecias". Në orën 04.30 të ditës së djeshme, disa persona ende të paidentifikuar ndalojnë makinën përballë shkallëve të barit dhe hedhin me shpejtësi një pako me tritol. Fitili ndezës, sipas burimeve policore, u dogj në një kohë relativisht të shkurtër dhe shpërthimi që ai shkaktoi ishte i fuqishëm. U dëmtuan pjesërisht disa shkallë të pastiçerisë, xhamat e saj dhe disa vazo me lule, të cilat ndodheshin jashtë. Banorët e zonës përreth janë tmerruar nga zhurma e madhe dhe menjëherë dolën nga banesat e tyre për të parë çfarë kishte ndodhur. Tymi i dendur, ciflat e xhamave, shkallëve dhe çakordimi i veprimeve paraprake të policies, ishin disa nga pamjet që paraqitej dje në vendngjarje, ndërsa uniformat blu të Komisariatit numër 1 mbërritën në vendngjarje disa minuta më vonë.

Hetimet

Grupi hetimor i ngritur posaçërisht për këtë ngjarje i ka shtrirë hetimet në disa pista të mundshme, pasi për këtë ngjarje kishte vështirësi në grumbullimin provave të mjaftueshme. Kështu që u morën parasysh të gjitha dëshmitë e mbledhura në vendngjarje. U shoqëruan në polici të gjithë rojet private që ndodheshin me shërbim tek aktivitetet private te kjo zonë dhe u administruan dëshmitë e tyre. Në njërën prej tyre, sipas burimeve policore, përmendej fakti që një makinë kishte ndaluar përballë vendit ku ndodhi shpërthimi dhe prej dritares së saj, një person i paidentifikuar hodhi një pako, ku prej saj dilte flakë e tym. Disa sekonda më vonë, sipas dëshmisë, pakoja shpërtheu. Ndërkaq, burime nga kriminalistika bërë të ditur për gazetën "Metropol" se, paraprakisht mendohet se sasia e tritolit ka qenë rreth 900 gramë, gjë e cila do të vërtetohet nga hetimet e mëtejshme. Ndërsa, përsa i përket faktit të objektivit të shpërthimit dhe shkakut të tij, ekspertët ende nuk kanë arritur në ndonjë përfundim, pasi në këtë zonë ka aktivitete të rëndësishme private e shtetërore.

Shpërthimi i parë më 28 shkurt

TIRANË- Pasi kishin kaluar 40 minuta nga mesnata e 28 shkurtit të këtij viti, Vajdin Lame, i shoqëruar nga miku i tij i fëmijërisë, Artan Arsi, humbën jetën nga një shpërthim i fuqishëm me eksploziv C4, të komanduar me celular. Si pasojë e shpërthimit mbeti i vdekur në vend presidenti i Federatës së Boksit, Lame dhe u plagos shumë rëndë Arsi, i cili më vonë vdiq rrugës për në spital. Sasia e eksplozivit ishte vënë në pjesën e sipërme të ashensorit, në një çantë. Zhurma e fortë zgjoi gjithë banorët e pallatit, të cilët zbuluan të plagosurit dhe u rrekën t’i jepnin ndihmën e parë. Policia ka mbërritur në vendin e ngjarjes pak minuta më pas, por gjithçka kishte marrë fund. Ndërsa uniformat janë përballur me pamjen rrënqethëse që ofronte trupi i pajetë i Lames, Arsi u dërgua në spital. 37-vjeçari humbi jetën gjatë rrugës. Paskëtaj, në kullën shumëkatëshe mbërritën dhe familjarë të viktimave, të lajmëruar nga banorët e pallatit. Për grupin hetimor ishte shumë e vështirë të kryente veprimet në një skenë të tillë. Të njëjtat burime saktësojnë se vendi ishte mbuluar i gjithi nga gjaku dhe kasa e ashensorit ishte copëtuar keqas, deri në shpërbërje. Për këtë ngjarje kaq tragjike janë zhvilluar hetime intensive nga Prokuroria, e cila deri më tani nuk ka arritur në ndonjë përfundim zyrtar, përveç grumbullimit të disa provave të rëndësishme.

Dervishi: Tritoli është hedhur me shpejtësi

TIRANË- Shpërthimi i fuqishëm jo vetëm që ka alarmuar sërish krerët e Policisë së Tiranës, të cilët përballen për së dyti me një situatë të tillë, por i ka detyruar ata të ndërmarrin disa veprime paraprake. Elementi zyrtar që pranohet deri më tani, është ai i një akti kriminal. I pyetur nga "Metropol", drejtori i Policisë së Tiranës, Albert Dervishi tha se, "sasia e tritolit nuk ka qenë e vendosur paraprakisht në shkallët e bar ‘Venecias’. Ajo është hedhur me shpejtësi në to nga persona për të cilët po punohet për identifikimin e tyre. Policia po punon me seriozitet për zbardhjen e ngjarjes dhe të personave që fshihen pas tij". Prononcimi i drejtorit të Policisë së Tiranës, Albert Dervishi, tregon më së miri faktin që, tashmë është pranuar edhe nga grupi hetimor që ishte në vendngjarje, atë të një paralajmërimi, pasi pastiçeria nuk kishte pësuar ndonjë dëmtim serioz, përveç thyerjes së disa xhamave, shkallëve dhe vazove të luleve që ndodheshin jashtë. Kreu i Policisë së Tiranës ka urdhëruar autoritetet e Komisariatit numër 1, të cilët kanë në juridiksionin e tyre këtë zonë, që të marrin masat e duhura për të zbardhur në një kohë sa më të shkurtër këtë ngjarje të rëndë, e cila tronditi banorët e pallatave përreth.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›