E Hënë, 2 Nëntor 2026

Vritet Enver Haradinaj, vëllai i ish-kryeministrit të Kosovës

16/04/2005  Ngjarja ka ndodhur në një vendbanim në afërsi të qytetit të Pejës

Rreth orës 15.00 të ditës së premte, në një vendbanim të quajtur Raushiq të komunës së Pejës, u vra Enver Haradinaj, vëllai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj. Enver Haradinaj, 25-vjeçar, ishte vëllai i pestë i vëllezërve Haradinaj. Ai ishte pjesëtar i UÇK-së dhe gjatë luftës është plagosur. Vëllai i ish-kryeministrit ka qenë me proteza në këmbë, pasojë e plagëve të marra më parë. Enver Haradinaj, në momentin e vrasjes ishte duke udhëtuar me veturën e tij dhe burime të policisë njoftojnë se ndaj tij është shtënë me breshëri plumbash nga një veturë tjetër.

Policia

Burime të policisë së rajonit të Pejës njoftojnë se, Enver Haradinaj, rreth orës 15.00 të ditës së premte, po udhëtonte me veturën e tij prej Pejës dhe në afërsi të vendbanimit me emrin Raushiq, një veturë tjetër ka tejkaluar makinën në të cilën udhëtonte Haradinaj dhe në ato momente në drejtim të tij ka zbrazur një breshëri plumbash. Nga këto të shtëna, Enver Haradinaj merr plagë të rënda, nga të cilat vdes në rrugë për në spitalin e Pejës. Policia ndërkombëtare dhe ajo e SHPK-së kanë shtuar përpjekjet në ndjekje të autorëve të kësaj vrasje.

Vëllezërit

Dy vëllezër të familjes Haradinaj janë vrarë gjatë luftës (Shkëlzen dhe Luan Haradinaj), ndërkaq dy të tjerë gjenden në qelitë e burgut, njëri i arrestuar me akuzë të Tribunalit të Hagës për krime lufte, ish-kryeministri Ramush Haradinaj dhe tjetri, Daut Haradinaj, i dënuar me 5 vjet e gjysmë burg në një proces gjyqësor në Kosovë, po ashtu për krime lufte.

Ndërkombëtarët e UNMIK: Të ruhet qetësia dhe maturia

Zyrtarë më të lartë të strukturave ndërkombëtare në Kosovë u kanë bërë thirrje banorëve të Kosovës të jenë të matur dhe të kenë respekt për rendin dhe ligjin. Vetëm disa orë pas vrasjes së Enver Haradinajt, vëllait të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, zëvendëskryeadministratori Lary Rosin, komandanti i KFOR-it, Iv De Kermabon dhe komisioneri i Policisë së UNMIK-ut, Kai Virtup, e dënuan ashpër këtë akt. Ata kanë pohuar se, "të gjithë ne jemi të shokuar me vrasjen e sotme të Enver Haradinajt, duam të sigurojmë familjen Haradinaj dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, se policia është duke shfrytëzuar të gjitha burimet për t'i identifikuar autorët e kësaj ngjarjeje të rëndë". Rosin u ka bërë thirrje të gjithë qytetarëve në Kosovë, që të tregojnë maturi dhe ta respektojnë rendin e ligjin. Komandanti i KFOR-it, Iv De Kermabon, nga ana tjetër tha se dhuna si ajo e ditës së djeshme nuk ka vend në Kosovë. Ai pohoi se, "KFOR-i poseidon të gjitha kapacitetet dhe është në gjendje të marrë masat për ta forcuar rendin dhe ligjin në kuadër të misionit të tij për të garantuar mjedis të sigurt në Kosovë".

Rrugova shpall ditë zie ditën e varrimit të Haradinaj

Me rastin e vrasjes së luftëtarit të lirisë të UÇK-së, Enver Haradinajt, në shenjë nderimi për jetën dhe veprën e tij, Presidenti i Kosovës, Ibrahim Rugova, e shpall ditë zie në gjithë Kosovën ditën e varrimit të këtij luftëtari. Menjëherë pas kumtimit të lajmit kanë reaguar edhe përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës dhe të partive politike. Kështu në reagimin e Presidentit të Kosovës, dr.Ibrahim Rugovës thuhet se, "lajmi për vrasjen e Enver Haradinajt, luftëtarit të lirisë të UÇK-së dhe vëllait të ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, na ka tronditur të gjithëve. Ata që e bënë këtë akt mizor kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe janë kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë së vendit tonë, për të cilat vlera luftuan Enver Haradinaj dhe familja e tij. E dënojmë ashpër këtë akt mizor dhe kërkojmë nga organet e ndjekjes që aktorët e këtij krimi të kapen dhe të dalin para drejtësisë sa më parë.

Familjes Haradinaj i shprehim ngushëllimet tona dhe të popullit të Kosovës. Kërkojmë nga qytetarët e rrethinës së Deçanit dhe të Pejës të ruajnë qetësinë, sepse kjo është në të mirë të Kosovës". Me një ton të tillë ka reaguar edhe Qeveria e Kosovës si dhe të gjitha partitë politike shqiptare të Kosovës.

Ky akt i vrasjes së Enver Haradinajt ka shqetësuar tej mase popullin e Kosovës e veçanërisht atë të rrethit të Dukagjinit.

Nano në telefon me Kosumin

Kryeministri Fatos Nano, menjëherë sapo u informua për ngjarjen e ndodhur sot në Kosovë, ku mbeti i vrarë vëllai i ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, ka zhvilluar një bisedë telefonike me Kryeministrin e Kosovës, Bajram Kosumi, ku i ka shprehur atij ngushëllimet dhe solidaritetin e plotë në këtë moment të vështirë, duke shprehur besimin se, nën shembullin e ish-kryeministrit Haradinaj, familja e tij, populli i Kosovës dhe përfaqësuesit e zgjedhur të saj, do të jenë së bashku për të ndalur dorën e krimit, që tenton të veprojë kundër të ardhmes së Kosovës. Të dy kryeministrat theksuan se do të vazhdojnë edhe në të ardhmen të punonjë së bashku, në të mirë të stabilitetit, paqes dhe progresit në të gjithë rajonit.

AAK: Atentati ka motive politike

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një deklaratë të bërë dje thekson se, "AAK-ja ngushëllon familjen e madhe dhe heroike Haradinaj, ndan dhimbjen dhe bashkëndjen thellësisht me ish-bashkëluftëtarët e Enverit dhe të gjithë qytetarët e Kosovës, të goditur nga atentati tragjik i ditës së djeshme. AAK-ja konsideron se atentati është i motivuar politikisht dhe goditje e rëndë ndaj familjes Haradinaj, gjithsesi, ndaj proceseve në Kosovë, ndaj vlerave të sakrificës për liri që kanë bërë luftëtarët e UÇK-së, Enveri dhe familja e tij. AAK-ja u bën të ditur të gjithë përgjegjësve për rend dhe siguri në Kosovë, se janë përgjegjës edhe për jetët njerëzore këtu. Prandaj, kërkojmë me këmbëngulje nga organet e rendit dhe të drejtësisë së shpërfytyruar në Kosovë, që në afat sa më të shpejtë dhe pa asnjë alternativë, t'i zbulojnë dhe kapin autorët e këtij akti të shëmtuar dhe shkaktarët e kësaj tragjedie mbarëkosovare, ose, në të kundërtën përgjegjësia bie mbi ta. Vrasja në paqe e anëtarit të një familjeje, siç është familja e madhe Haradinaj, është kulmi i krimeve në Kosovën e pasluftës. Moszbardhja e këtij krimi është dështim, veçanërisht i drejtësisë dhe përgjegjësve për rend e siguri dhe testi i fundit i tyre para qytetarëve të Kosovës. Enver Haradinajt i qoftë i lehtë dheu i Kosovës, të cilën aq shumë e deshi dhe për të cilën aq shumë dhanë ai dhe familja Haradinaj!"

Shtabi i TMK: Vrasja, cënim i lirisë së Kosovës

Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së është i tronditur thellë nga lajmi për vrasjen e luftëtarit të UÇK-së dhe invalidit të luftës Enver Haradinaj, vëllait të dëshmorëve të kombit, Luan e Shkëlzen Haradinaj". Kështu ka deklaruar dje pas vrasjes komandanti i TMK-së, gjeneral Agim Çeku. Ai ka thënë se, "ne e dënojmë ashpër këtë akt kriminal, i cili ka goditur rëndë lirinë e Kosovës, për të cilin sakrifikoi aq shumë Enveri dhe familja e nderuar Haradinaj. Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së, i shpreh me këtë rast familjes së nderuar Haradinaj ngushëllimet më të thella për humbjen e birit të tyre dhe kërkon me ngulm nga organet që kanë për obligim mbrojtjen e jetës së qytetarëve të Kosovës, që të jenë më këmbëngulës dhe më efikas në luftimin e krimit dhe zbulimin e autorëve.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›