E Hënë, 2 Nëntor 2026

Bashkiakët i marrin mjaltin, zë rrugën me një derë të vjetër

16/04/2005  TIRANË- Bllokon qarkullimin e makinave për gjysmë ore, pasi Policia Bashkiake i sekuestron mjaltin. Kjo ngjarje e rrallë në kryeqytetin shqiptar ndodhi dje në orën 15.00, disa metra larg diskos "San Paolo", poshtë Presidencës, kur bashkiakët ndërhyjnë në një aksion, duke i marrë shitësit shkodran të quajtur Fadil, 30 vazo me mjaltë, të cilat kushtojnë rreth 120 mijë lekë të vjetra, gjalpë dhe disa nënprodukte të tjera, që ai i shiste buzë rrugës. Fillimisht nga furgoni dolën disa policë të Bashkisë, të cilët morën mallin dhe futën në makinë shkodranin, i cili te fqinjët tregtarë ishte prezantuar thjesht me emrin Fadil, ndërkohë që askush nga të pyeturit nuk kishte dijeni për mbiemrin e tij. Të pyetur nga "Metropol", autoritetet e Bashkisë thanë se nuk e kishin idenë për emrin e tij, pasi u la i lirë, për shkak të gjendjes së tij të dehur. Mirëpo, kur furgoni u kthye në vendin ku shkodrani shiste, ata e zbritën atë në tokë, pa dhënë shpjegime të tjera rreth sasisë së mjaltit dhe gjalpit të bllokuar. Këtu, sipas tregtarëve të tjerë, nisi edhe irritimi i ligjshëm i tij. Fadili gjeti një derë të vjetër, e cila ishte hedhur në koshin e plehërave dhe e hodhi atë në njërën anë të rrugës. Pasi u ul në të, ai filloi të bërtiste me të madhe, duke kërkuar mjaltin, ndërsa shante autoritetet e qeverisë, ku ndër ta përmendeshin anëtarë të Këshillit të Ministrave dhe të Bashkisë. Gjendja e tillë vazhdoi për disa minuta, derisa Policia e Rendit e largoi dhe qarkullimi i mjeteve vazhdoi normalisht. Fqinjët e 50-vjeçarit shkodran thanë se, ai vinte aty tri herë në javë dhe shiste mjaltë, gjalpë, djathë, etj. Sipas tyre, ai në disa raste ishte konsumues i pijeve alkoolike.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›