E Hënë, 2 Nëntor 2026

Borxhet, “plaga” e pambyllur e FSHF-së

16/04/2005  Shefi i Sektorit të Garave, Hito Hitaj, konfirmon vazhdimësinë e fenomenit: Pas pak ditësh presim të mbledhim këstin e dytë

Një ndër çështjet e përfolura gjatë në këto katër muaj të parë të këtij viti në Federatën Shqiptare të Futbollit, ajo e “borxheve” që klubet shqiptare të dy ligave kryesore, Kategoria Superiore dhe Kategoria e Parë, i kanë organit më të lartë të futbollit në vend, në lidhje me pagesat për anëtarësim në ligën e futbollit profesionist, dënimet, kartonat dhe gjyqtarët, vazhdon të mos ketë zgjidhjen e saj përfundimtare. Edhe pse optimizmi që gjithçka do të konkludohet me sukses nuk mungon, është vetë shefi i Sektorit të Garave në FSHF, Hito Hitaj, ai që ka sqaruar zhvillimet e fundit në lidhje me këtë çështje. “Kemi akoma disa klube që nuk janë likujduar me ne” - u shpreh dje Hitaj. Fenomeni “borxhet” doli në pah me mbylljen e fazës së dytë, kohë, kur dhe ishte parashikuar që klubet duhet të fillonin me shlyerjet e detyrimeve të tyre. Pikërisht pas mbylljes së gjysmës së parë të sezonit, në kohën e ndërmjetme, mes fazës së dytë dhe të tretë, FSHF-ja nxori dhe një ultimatum: “Të gjithë klubet duhet të paguajnë detyrimet financiare para datës 15 janar, kohë, kur dhe rifillonte kampionati. Në të kundërt, ata që nuk do të kenë bërë shlyerjen pranë zyrës së financës në federatë, nuk do të lejohen të vazhdojnë fazën e tretë të kampionatit”. Por, tentativa e parë ishte jo efikase. Dhe, këtu hyn zemërgjerësia e FSHF-së, e cila toleroi që të gjitha skuadrat të rifillonin aktivitetin, edhe pse shumica e tyre vazhdonin të ishin debitore. Edhe tentativat e mëpasme nuk kanë dhënë shumë rezultate. Sipas tij, deri tani kanë shlyer detyrimet, pjesa më e madhe e klubeve që kanë shlyer detyrimet e tyre për pjesën e parë të sezonit, dy fazat e para. Në këtë grup bënin pjesë Tirana, Partizani, Vllaznia e Dinamo. Këto klube nuk është se kanë zbrazur arkat e tyre për t’u likujduar me federatën, por “qeveria” e futbollit në vendin tonë është treguar e zgjuar në momentin e duhur: Të gjithë klubet e lart përmendur kanë marrë pjesë në Kupat e Evropës. Një gjë e tillë ka sjellë dhe përfitimet përkatëse për secilin klub, sipas kompeticionit, ku ka qenë pjesëmarrës dhe ndeshjeve që ka luajtur në edicionin e fundit. Këto përfitime, sipas rregullores, UEFA i derdh në arkën e FSHF-së, e cila më pas bën shpërndarjen. Po ashtu, pas shumë ndërhyrjesh të FSHF-së pranë klubeve apo dhe bashkive përkatëse, aktualisht është mësuar se kanë shlyer detyrimet, pjesa dërrmuese e klubeve. Një pjesë e mirë e këtyre “borxhlinjve” u likujduan, pasi federata vendosi që t’u mbante atyre paratë që u jepen nga shteti. Por, ende ka klube të Kategorisë Superiore dhe Kategorisë së Parë që nuk kanë shlyer asgjë. Edhe pse shefi i Sektorit të Garave nuk ka preferuar të bëjë publikë emrat e tyre, burime të brendshme në FSHF, kanë bërë të ditur se mes tyre është dhe Elbasani, i cili i detyrohet FSHF-së, me shumën prej rreth 2 milionë lekësh të reja. Hitoj ka rikujtuar edhe një herë dje, se nuk do të ketë falje “borxhesh”, edhe pse deri tani janë bërë tolerime. Kështuqë të gjithë janë të detyruar të paguajnë. Gjithsesi, shpresat për mbylljen e kësaj çështjeje ekzistojnë. “Tani pritet që të mbledhim dhe këstin e dytë, pas të cilit mendojme se do të likujdohemi me klubet e fundit - tha dje Hitaj, në përfundim të prononcimit të tij. – Gjithsesi, një gjë është e sigurt, nuk do të ketë falje për asnjë”.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›