Bushati kërkon fitore për të pastruar emrin
16/04/2005 Në prag të ndeshjes, Elbasani-Dinamo, atmosfera në klubin verdheblu paraqitet tepër optimiste. Futbollistët e drejtuar nga Artan Bushati, edhe gjatë ditës së premte i janë nënshtruar një stërvitjeje intensive, me qëllim përgatitjen sa më të mirë të këtij takimi që konsiderohet si më i rëndësishmi i kësaj jave të superligës. Ndërkohë, interesimi për këtë ndeshje është rritur edhe pas replikave që ka pasur mes dy klubeve në mesjavë, në lidhje me akuzat e drejtuesve të Dinamos, për përdorim dopingu nga ana e futbollistëve të Elbasanit. Pikërisht duke u nisur nga këto akuza, presidenti i Elbasanit ka kërkuar nga i gjithë ekipi, angazhim maksimal dhe fitore të padiskutueshme ndaj Dinamos, megjithëse kryeqytetasit kanë treguar gjatë kësaj faze të fundit të kampionatit se janë ndër ekipet më në formë të superligës. Megjithatë, duke parë gjithë atmosferën e krijuar, edhe trajneri Artan Bushati është optimist në një fitore të ekipit që ai drejton, që nga fillimi i këtij sezoni futbollistik. “Ne e dimë që kemi përpara një ekip tepër të konsoliduar tashmë të kampionatit shqiptar- është shprehur Bushati. Por, kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga objektivi i vetëm i fitores së takimit dhe sigurimit të tri pikëve të radhës”. Bushati ka deklaruar se synimi i vetëm i Elbasanit është fitorja, pasi duhet që ky ekip të ruajë tempin e kryesueses së kampionatit, gjithnjë duke shpresuar në një gabim të mundshëm të Tiranës. “Me gjithë gjërat që ndodhën në mesjavë- është shprehur Bushati- na nevojitet patjetër një fitore edhe për të justifikuar përpjekjet e presidentit Laze, por edhe për të pastruar emrin e çdo futbollisti që mbron ngjyrat e Elbasanit. Pikërisht akuzat ndaj nesh na kanë bërë më kërkues dhe këtë do ta tregojë edhe fusha e lojës”. Nga ana tjetër, tekniku i verdhebluve ka kërkuar edhe mbështetjen e tifozerisë vendase, e cila duhet të përkrahë skuadrën në këtë fazë të rëndësishme dhe në këtë ndeshje, e cila mbart me vete emocione të padiskutueshme. “Unë shpresoj se tifozeria do ta mbështesë Elbasanin, ditën e shtunë në “Ruzhdi Bizhuta”- ka thënë Artan Bushati, pasi ekipi do të tregojë vlerat e tij më të mira duke u përpjekur të bëjmë edhe një lojë spektakolare për të kënaqur publikun”. Ndërkohë, elbasanasit ndryshe nga javët e tjera, edhe stërvitjen e së premtes e kanë zhvilluar në ambientet e stadiumit “Ruzhdi Bizhuta” dhe jo në atë të pallatit të sportit “Tomorr Sinani”, ku kryenin vetëm një stërvitje të lehtë.