E Hënë, 2 Nëntor 2026

Patushi: Vazhdimësi të serisë pozitive

16/04/2005  “Me Vllazninë kemi bilancin më pozitiv, të cilin duhet ta ruajmë edhe pas 90 minutave të ndeshjes së nesërme”. Pikërisht këtë, ka lënë të kuptohet deklarata e Saimir Patushit, mesfushorit të Tiranës, në prag të sfidës së nesërme me shkodranët, e vlefshme për javën e 31-të të Kategorisë Superiore. Lojtarët në fjalë janë përfolur për shtyp, për një incident me trajnerin, gjatë stërvitjes së pasdites së të enjtes, por që sipas vetë Patushit, nuk ka asgjë për t’u shqetësuar. Ai ka deklaruar se nuk ka asgjë kundër trajnerit. Ajo që ndodhi ishte thjesht një moment i humbjes së qetësisë, por që më pas gjithçka u sqarua. Ndërkohë, që ka kërkuar të lihet mënjanë një gjë e tillë, pasi ai dhe ekipi i tij duhet të jenë të përqëndruar te supersfida e kësaj jave të kampionatit. “Kjo është hera e 5-të që përballemi me Vllazninë në këtë sezon - u shpreh dje Patushi. - Në katër ndeshjet e para, tre për kampionat dhe një për Kupën e Shqipërisë, kemi mundur të marrim katër fitore. Të njëjtën gjë shpresojmë të arrijmë edhe në këtë ndeshje”. Kjo është edhe seria më pozitive e bardhebluve në këtë sezon, në përballjet e tyre me një nga rivalët më të egër të tyre, në këto vitet e fundit. Rezultatet e bardhebluve për kampionat, në tri fazat e para kanë qenë 1-2 (jashtë), 2-1 (brenda), 0-2 (jashtë). Ndërsa vetëm 10 ditë më parë do të përforconte këtë bilanc, edhe me fitoren e ngushtë 1-0, në “Qemal Stafa”, në ndeshjen e parë në gjysmëfinalet e Kupës. Vazhdimësia e kësaj serie pozitive është objektivi i Patushit me shokë. "Të vazhdojmë këtë serinë pozitive që kemi me Vllazninë, gjë gjë do të na ndihmonte akoma më shumë drejt sigurimit matematik të titullit”. Edhe pse janë favoritët kryesorë për të rrëmbyer trofeun më prestigjoz të këtij sezoni, për bardheblutë, jo gjithçka do të jetë e lehtë, pasi javët në vazhdim premtojnë duele të forta për Tiranën, e cila nuk duhet të nënvlerësojë asnjë takim. Një hap fals i tyre do të hapë “oreksin” e Elbasanit, i cili ndjek me interes zhvillimet në këto javë të fundit. Gjithsesi, një gjë e tillë duket se nuk shqetëson shumë Patushin, i cili ka besim se te Tirana shumë shpejt do të arrijë titullin. Për sa i përket asaj që pritet në ndeshjen e sotme, matjani ish-futbollist i Vllaznisë, garanton se do të jetë një ndeshje e bukur, pse jo dhe më e bukura e këtij sezoni. “Shkodranët kanë një skuadër të mirë, e cila ka ditur ta tregojë veten, edhe pse në javët e fundit nuk i ka buzëqeshur rezultati. Në skuadër ka futbollistë cilësorë, të cilët do të na e vështirësojnë shumë punën. Gjithsesi, them se do të jetë një ndeshje e bukur”, ka mbyllur Patushi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›