E Shtunë, 31 Tetor 2026

99 vite nga Shtabi “Madhuer”!

 Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, gjeneralmajor Xhemal Gjunkshi, u shpreh se kushtet historike në të cilat u krijua, u organizua dhe veproi Shtabi i Përgjithshëm i FA gjatë 99-vjetëve përkojnë me sfidat më të mëdha të ekzistencës së shtetit dhe kombit shqiptar.

“Ndjehem krenar të them se Shtabi i Përgjithshëm e Forcat e Armatosura, në rrjedhat e këtyre 100-vjetëve të shtetit shqiptar, pavarësisht zhvillimeve politike, janë angazhuar të realizojnë më të mirën për kombin dhe atdheun, deri në sakrificat më sublime”, theksoi Gjunkshi. Ai foli edhe për gjendjen aktuale të Forcave të Armatosura, të cilat ndodhen të rreshtuara në krah të Aleancës më të fuqishme të globit, duke plotësuar misione në interes të mbrojtjes së vendit, paqes e sigurisë në botë. “Kontingjentet tona ndodhen sot në kufij gjeografik të paimagjinueshëm nga ato që krijuan në fillim Forcat e Armatosura dhe Shtabin e Përgjithshëm. Standardet e angazhimit të tyre janë cilësore dhe të krahasueshëm me ato të partnerëve, duke ngritur lart dhe nderuar emrin e tyre dhe të shtetit shqiptar”, theksoi Gjunkshi.

Ngritja dhe organizimi i Forcave tona të Armatosura ishte një ndër preokupimet e para të shtetit të porsakrijuar në Vlorë. Kështu, në 4 dhjetor 1912,  Qeveria e  Vlorës vendosi ngritjen e  Forcave të Armatosura. Pak muaj më vonë, pikërisht më 4 maj 1913, u krijua Shtabi i Përgjithshëm i FA, që në atë kohë u emërtua Shtabi Madhuer. Me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Mehmet Pashë Deralla, kryeministri i Qeverisë Provizore, Ismail Qemali, emëroi të parin shef Shtabi të Ushtrisë Shqiptare, major Ali Shefqet Shkupin. Shtabi Madhuer e kishte qendrën po në Vlorë, pranë Ministrisë së Luftës (të Mbrojtjes Kombëtare) të Qeverisë së Përkohshme të Vlorës.

Në fillimet e veta ky shtab ishte fare i vogël dhe përfaqësohej nga një zyrë që emërtohej “Zyra e Shtabit Madhnuer të Ushtrisë”, pranë Ministrisë së Luftës dhe ishte në përbërje e në varësi të kësaj ministrie. Ai përgjigjej për organizimin, përgatitjen dhe drejtimin profesional të veprimtarisë luftarake të FA Shqiptare. Përmes këtij shtabi kalonin të gjitha projektet, si dhe raportet për Ministrinë e Luftës, të cilat i dërgoheshin asaj nga ana e zyrave apo edhe nga vet qarqet e tjera ushtarake. Ndërkohë, ky shtab merrej edhe me organizimin e forcave dhe strukturave të ushtrisë, me hartimin e rregulloreve dhe udhëzimeve mbi organizimin, jetesën, stërvitjen dhe veprimtarinë e Ushtrisë dhe të Xhandarmërisë Shqiptare. /Start/

                                                                                             2012-05-04 14:09
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›