E Diel, 1 Nëntor 2026

A do martohet Rama me Berishën?

• Dritan Prifti

Përgjigjen kësaj pyetjeje para se të ndodhte tragjedia e Gërdecit ia kishte dhënë vetë Rama. Ai kishte thënë se, “boshti i bashkëpunimit PS–PD është i patjetërsueshëm”, d.m.th., se ai kishte dhënë pëlqimin publikisht për këtë martesë, bile pa asnjë pikë hezitimi, pavarësisht se fisi i tij i madh socialist nuk e kishte me qejf me Berishën. 
Ditën e tragjedisë së Gërdecit, Rama u shfaq përkrah Berishës në Spitalin Ushtarak në Tiranë, duke i hedhur atij dorën në qafë, si për të treguar se ai nuk heq dorë nga ajo dashuri dhe pas kësaj tragjedie. Por atë ditë tragjedie një anëtar i rëndësishëm i familjes socialiste, Lëvizja Socialiste për Integrim, kërkoi dorëheqjen e dhëndrit Berisha dhe i përsëriti Ramës atë që kishte disa muaj që i thoshte: “Nuk duhet të martohesh me të paaftin dhe të korruptuarin Sali Berisha, kundër dëshirës dhe interesave të familjes sonë të përbashkët”. Kërkesa për dorëheqje të Berishës që bëri LSI ditën e tragjedisë gjeti përkrahje të madhe në gjithë të majtën shqiptare. Edi Rama i trembur shumë se do ta braktiste familja e vet, nëse nuk e prishte këtë martesë me Berishën, doli dhe deklaroi 2 ditë pas tragjedisë pezullimin e martesës, d.m.th., Sali Berisha duhet të jepte dorëheqjen. Bile një ditë më vonë ai tha se, “PS nuk do ta njohë në të ardhmen Berishën si kryeministër” (lexo dhëndër). E gjithë familja socialiste pas kësaj deklarate publike mendoi se plani për martesë me Berishën ishte shkatërruar përgjithmonë.
Urrah! Urrah! .... Hajde dalim në protestë ta largojmë njëherë e mirë këtë mostër të quajtur Sali Berisha – thërrisnin të majtët Disa ditë rresht familja e majtë mendoi se Rama kishte hequr dorë përfundimisht prej Berishës. Protestat e mëdha kundër qeverisë treguan dhe njëherë se, e majta nuk e pranon Berishën për dhëndër, dhe se ky opinion dominon në popull. Pas tragjedisë së Gërdecit, ku doli qartë se qeveria “Berisha” vret popullin e vet, askush nuk mendonte se Ramës i kishte mbetur peng të martohej me Berishën, megjithëse e konfirmoi që veçse i paaftë, dhe i korruptuar, Berisha doli të ishte dhe vrastar. Ka shumë socialistë që dhe sot nuk besojnë se Rama do t’i rikthehet asaj martese. Por ne që jemi në lagje me Ramën shohim që ai fshehurazi, nëpërmjet Kastriotit të vogël, i dërgon letra dashurie Berishës, duke i thënë, si një i dashuruar adoleshent, se ai e ka ndarë mendjen dhe asgjë s’mund ta pengojë martesën e tyre në të ardhmen. E çuditshme! Si nuk e kupton Edi që Berisha është 63 vjeç dhe ai s’mund të presë ndonjë gjë të madhe prej tij? Berishës i ka ardhur fundi dhe ai përpiqet ta ringjallë më kot.
Këto ditë Rama do dalë përsëri publikisht. Tellallët e tij të vegjël kanë disa ditë që nuk kërkojnë seriozisht largimin e Berishës. Ata thonë ndonjë fjalë sa për të mashtruar familjen socialiste se, lufta kundër Berishës vazhdon, por vazhdojnë me letrat e fshehta të dashurisë. Dhe Rama se shpejti do dalë të thotë publikisht se, do të bëjë një kontratë martese me Berishën për verën e vitit 2009.
Draftin e kësaj kontrate të hartuar në Spanjë ne e kemi parë dhe e njohim të gjithë. Eshtë një kontratë që favorizon më shumë dhëndrin. Favorizon pak dhe nusen, por familjes së nuses, sidomos asaj që është kundër martesës së çiftit Rama-Berisha tenton t’i bëjë dëm të madh. Them tenton, se në fakt dëmin e ka në dorë populli që voton, pavarësisht kontratës së çiftit. Populli mund të vendosë të mos e mbështesë këtë çift për shkak të fakteve që ata i njohin për dhëndrin dhe nusen. Dhëndrin Sali Berisha ata e njohin për të paaftë, për të korruptuar deri në kockë, për dhunues të drejtësisë, për hipokrit, mashtrues e vrastar. Nusen Edi Rama ata nuk e kanë njohur dhe aq shumë për shkak se, familja e tij socialiste, duke ditur se fjalët e këqija mund t’i lënë vajzat pa martuar, është përpjekur ta lustrojë dhe të mos e dëmtojë atë në publik. Megjithatë populli e di se Rama në fillim të demokracisë mori teserën e Partisë Demokratike të Berishës. Pasi Berisha e përzuri me dru nga PD-ja, Rama filloi të bashkëpunonte me Spartak Ngjelën për të ndërtuar një parti tjetër të ekstremit të djathtë. Kur dhe kjo tentativë nuk funksionoi sipas dëshirës së Ramës, ai u largua nga Shqipëria për në Francë.  Qëndroi atje si refugjat deri sa Fatos Nano, atëherë Kryeministër, i kërkoi të vinte në Shqipëri dhe të bëhej ministër i Kulturës, Rinisë dhe Sporteve në qeverinë e tij. Rama u kthye në atdhe si ministër. Punoi disa vjet ministër, pastaj kryebashkiak për Tiranën, por pavarësisht dhuratave të socialistëve, ai nuk pranonte të bëhej pjesë e familjes socialiste. Ai jepte intervista me krenari dhe thoshte: “Unë nuk jam socialist, por kushëri i socialistëve”. Nga viti 2003, kur e pa se Fatos Nanos po i vinte fundi, u fut në familjen socialiste.  E sabotoi sa mundi në zgjedhjet e 2005, dhe pas humbjes detyroi Nanon të dorëhiqej për t’i zënë vendin. Dhe arriti të bëhej kryetar i PS.
Këto ndryshime partish nga e djathta në të majtë nuk tregojnë bindje të qëndrueshme politike, por nuk tregojnë as besnikëri ndaj familjes apo qëndrueshmëri morale. Këto nuk janë cilësi të mira as për një femër që kërkon të martohet. Por në rastin e martesës Rama-Berisha, ky i fundit kërkon vetëm të arrijë t’ia fusë njëherë në zgjedhjet e 2009. Kaq i duhet Berishës 64-vjeçar në 2009.
Martesa Rama-Berisha nuk dallon shumë nga martesa Nano-Berisha, në 2005. Në zgjedhjet e 2005, e majta kishte mbi 100,000 vota më shumë se e djathta, por për shkak të kontratës së martesës (lexo Kodit Zgjedhor) që firmosi Nano, pushtetin e mori Berisha. Pra, fitoi Berisha pavarësisht se me vota popullore ai ishte mbi 100,000 më pak se e majta. 
Lëvizja Socialiste për Integrim, si një pjesë e shëndoshë e së majtës së vërtetë, kërkon që Rama të mos firmosë një kontratë martese (lexo ndryshimet në Kushtetutë dhe Kodin Zgjedhor) me Berishën, ku përsëri vota popullore të injorohet. Me kontratën spanjolle e majta rrezikon përsëri të humbë zgjedhjet në 2009, edhe pse mund të ketë rreth 200,000 vota më shumë nga e djathta.  Si socialistë të vjetër ne kemi numëruar disa herë anëtarët e familjes sonë dhe gjithmonë ka dalë që kemi minimalisht 100,000 anëtarë mbi të djathtën. Kur kemi fitoren të garantuar me një sistem zgjedhor të thjeshtë, p.sh., një proporcional kombëtar të thjeshtë, pse duhet të shpikim një sistem që nuk garanton respektimin e votës popullore? Sistemi spanjoll shtrembëron, po ashtu si sistemi aktual zgjedhor, votën popullore. Mbas ngjarjeve të Gërdecit sondazhet që bëjnë ndërkombëtarët e nxjerrin gjithë djathtën rreth 40%. Fitorja e së majtës në 2009 është e sigurt në popull. Rreziku i vetëm për këtë fitore është, jo vota popullore, por marrëveshja Rama-Berisha për zgjedhjet. 
Lëvizja Socialiste për Integrim nuk dëshiron që Rama të martohet me Berishën me kontratën spanjolle. Do ishte shumë më e ndershme të kishim një sistem zgjedhor të thjeshtë, ku të gjitha partitë politike të votoheshin veç e veç në popull, dhe pas zgjedhjeve krahët politikë, të majtë apo të djathtë, të mblidhnin votat, dhe shumica fituese të bënte qeverinë. Në këtë mënyrë e majta ka një fitore të garantuar. Në këtë mënyrë e majta nuk merr asnjë rrezik që cenon fitoren. 
Nëse Edi Ramës i ka mbetur kunj që nga 1992 marrëdhënia me Berishën, atëherë ai do tentojë të paktën të flirtojë serish. Një gjë është e sigurt: Martesa me Berishën nuk i bën mirë as Ramës dhe as familjes socialiste. Duke e pasur fitoren në dorë, nuk ka asnjë arsye që ta rrezikojmë atë. Si pjesë e familjes, ne kemi detyrimin që shqetësimin tonë ta bëjmë publik. Rama është madhor, me fuqi të plotë juridike për të vepruar në bashki apo Parlament. Nëse do të firmosë martesë apo jo, kjo mbetet për t’u parë e gjykuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›