E Shtunë, 31 Tetor 2026

Armët, Ylli Pinari shmangu kontrollin mbi ndërmarrjen

• Ndërmarrja shtetërore MEICO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes, e cila u vu në qendër të vëmendjes pas tragjedisë së Gërdecit, ka qenë vazhdimisht objekt dyshimesh dhe akuzash për abuzime.

I krijuar në vitin 1991, rreth 17 vjet më parë, ky subjekt shtetëror ka pasur vetëm tre drejtues nga të cilët pjesën dërrmuese të kohës, për gati një dekadë, ka “mbretëruar” Ylli Pinari. Ai është arrestuar më 18 mars 2008, bashkë me Mihal Delijorgjin dhe drejtorin teknik të fabrikës së çmontimit pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec. Shmangia e kontrolleve të hollësishme dhe niveli i llogaridhënies, duket se kanë qenë nga komponentët e jetëgjatësisë së Ylli Pinarit, në krye të ndërmarrjes MEICO. Ai duket të jetë ndihmuar edhe nga krijimi i një tradite të gabuar sipas specialistëve të vetë administratës, për të vepruar me fshehtësi larg vëmendjes së publikut, në rastet e një tregtie krejt të ligjshme armësh apo municionesh me jashtë. Të dhënat zyrtare tregojnë në fakt, se Pinari por edhe ndërmarrja e drejtuar prej tij deri pak kohë më parë, kontrollohen në veprimtarinë e tyre nga një kornizë e kufizuar dhe e paplotë ligjore. Një fakt i tillë ka shqetësuar edhe organizma dhe institucione ndërkombëtare, që në mënyrë të hapur ua kanë shprehur “merakun” e tyre rreth ndërmarrjes MEICO autoriteteve shqiptare. Sipas tyre, ka ende vend për të rregulluar veprimtarinë e MEICO-s me plotësime ligjore në drejtim të kontrollit më të madh të import-eksportit të armëve dhe municioneve luftarake. Ndërmarrja MEICO u akuzua fillimisht se nuk kishte kontrolluar zbatimin e kushteve të sigurisë nga firma “Alb Demil” në pronësi të Mihal Delijorgjit, por më pas akuzat mbërritën deri në abuzime me municionet e blera nga kompania amerikane AEY që hyri në marrëdhënie me ndërmarrjen MEICO, pasi u tenderua për blerjen fishekësh për armë AK-47 nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes.
Shmangia e kontrolleve
Pikërisht për shkak të problematikës që jo vetëm të huajt, por edhe institucionet vendase kanë parë në veprimtarinë e ndërmarrjes MEICO, më 23 janar 2003, ministri i Mbrojtjes firmosi një urdhër me nr.27. Shprehimisht në këtë urdhër thuhej se: Ndërmarrja MEICO është e detyruar duke filluar nga hyrja në fuqi e këtij urdhri, të dërgojë raport konfidencial për veprimtarinë e saj çdo tre muaj tek Presidenti, Kryeministri dhe Kryetari i Kontrollit të Lartë të Shtetit. Nëse ku urdhër i asaj kohe do të zbatohej më 1 mars 2008, ose para kësaj date, ndoshta në Gërdec nuk do të ndodhte katastrofa, pasi kreu i shtetit, i qeverisë dhe i KLSH-së do të ishin të informuar qartë për çfarë ndodhte atje. Fakti nëse ky urdhër është zbatuar ndonjëherë, përbën një mister për të cilin edhe Prokuroria nuk preferoi të japë një përgjigje të qartë rreth 25 ditë pas nisjes së hetimeve për abuzimet e ndërmarrjes MEICO. Megjithatë është e konfirmuar tashmë se urdhri i ministrit të Mbrojtjes i janarit 2003, është modifikuar më pas duke detyruar MEICO-n që raportin e saj konfidencial, çdo 3 muaj ta dërgonte edhe në adresë të Shërbimit Informativ Shtetëror si dhe tek dy ambasada të huaja në Tiranë, të cilat kishin të dhëna të azhurnuara lidhur me listën e vendeve nën embargo dhe marrëveshjet ndërkombëtare për armët dhe municionet. Pikërisht pasi ky urdhër është modifikuar, burimet nga hetimi thonë se drejtori i MEICO, Ylli Pinari ka reaguar. Ai ka tentuar të shmangë kontrollin që mund t’i vinte nga këto raportime 6-mujore, duke thënë se nëse raporti dërgohej në institucionet e kërkuara, kompanitë që kishin hyrë në marrëdhënie me MEICO-n do të largoheshin pasi pretendonin cenimin e konfidencialitetit të kontratave të shitblerjes së armëve dhe municioneve.

Prokuroria: Ylli Pinari dyshohet se ka kryer “shpërdorim detyre”

TIRANE – Prokuroria e Tiranës, e cila zhvilloi hetimet e para rreth tragjedisë së ndodhur në Gërdec më 15 mars 2008, deklaron se nga veprimet e kryera prej saj, është e qartë se Ylli Pinari, ka kryer veprën penale “shpërdorim detyre”, gjatë kohës që ka drejtuar ndërmarrjen shtetërore MEICO. Një ndërmarrje e tillë sipas ligjeve në fuqi, gëzon në fakt monopolin e import-eksportit të armëve dhe municioneve në vend. Sipas Prokurorisë së kryeqytetit, ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO mban përgjegjësi pasi ka hartuar projekt-vendimin në të cilin thuhet se, ushtria nuk kishte kompetenca pronësie, ruajtje, kontrolli dhe administrimi mbi ish-repartin e tankeve në Gërdec, ku u ngrit edhe fabrika e demontimit të predhave. Gjithashtu, Ministria e Mbrojtjes në urdhrin e saj, në mënyrë të qartë e kishte ngarkuar ndërmarrjen MEICO me kontrollin rigoroz të procesit të demontimit, në mënyrë që ai të kryhej në kushte të rrepta sigurie sipas rregullave ushtarake, por MEICO nuk e ka zbatuar këtë. Ndërmarrja MEICO ka qenë objekt akuzash, dyshimesh e kontrollesh nga organizma të huaj dhe institucionet shqiptare lidhur me shitjen e avionëve MIG-15,17,19 dhe 21 por edhe për shitjen e mbi 1200 tankeve të ushtrisë shqiptare pasi ata u nxorën nga përdorimi si teknologji e vjetëruar ushtarake dhe jashtë standardeve të NATO-s. Vetë ndërmarrja MEICO dhe strukturat e saj, e kishin konsideruar procesin e përafrimit të ushtrisë shqiptare me strukturat euroatlantike si një proces që do të kishte pasoja. Integrimi nënkuptonte uljen e numrit të efektivave të ushtrisë dhe ndryshimin e teknologjisë ushtarake. Kjo nënkuptonte se një numër i madh armësh dhe municionesh do të mbeteshin në gjendje stoku dhe të pa papërdorshme.                             tr.so

“Drejtori i MEICO nuk pranoi akuzat”
TIRANE – Kishte vetëm pak orë që në Gërdec të Vorës kishte ndodhur tragjedia, që shkaktoi 25 të vdekur e mbi 300 të plagosur, kur Prokuroria mori në pyetje Ylli Pinarin. Për herë të parë ai dëshmoi në zyrën e tij në Ministrinë e Mbrojtjes, ku u mor në pyetje nga Prokuroria Ushtarake e kryeqytetit. Që në momentet e para kur është marrë në pyetje Ylli Pinari, ka mohuar akuzat që janë bërë ndaj tij. Një linjë të tillë të mohimit të akuzave ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes ka mbajtur edhe mbrëmjen e vonë të 18 marsit, kur u ndalua në polici dhe më pas u arrestua. Pinari ka hedhur poshtë akuzat e bëra ndaj tij edhe gjatë seancës gjyqësore për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën e Tiranës. Gjithashtu Pinari nuk ka pranuar akuzën edhe pas vendimit të gjykatës kur është marrë në pyetje në ambientet e paraburgimit 313 në Tiranë. Ylli Pinari konsiderohet deri më tani, si një nga personat kryesorë me dijeni për rrethanat e hetimit, jo vetëm për ngjarjen e ndodhur në Gërdec të Vorës, por edhe për abuzimet e ndodhura gjatë shitjes së fishekëve të kalibrit të vogël për firmën amerikane AEY, që ishte tenderuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Dëshmia procedurale e Ylli Pinarit ende nuk është marrë nga Prokuroria, e cila po mbledh prova e fakte, me qëllim që më pas të ballafaqojë Ylli Pinarin me këto të dhëna në seanca të mirëfillta të marrjes së deklarimeve prej tij, të cilat më pas do të administrohen në dosjen penale.

Kasaforta e MEICO-s, zbulohen sekretet

Dëshmia e gjatë dhe e hollësishme e biznesmenit Kosta Trebicka në Prokurorinë e shoqëruar edhe me dokumente, që gjenden edhe në duart e hetuesve të FBI-së, pasohet me një listë të gjatë zyrtarësh që do të pyeten nga hetuesit për tregtinë e municioneve jashtë Shqipërisë.

 Nga ana tjetër, faktet e gjetura në kompjuterin e zyrës së ish-drejtorit të ndërmarrjes së import-eksportit të armëve dhe municioneve MEICO, dhe në kasafortën e tij, kanë ngritur pikëpyetje të tjera rreth tregtisë së fishekëve, që presin përgjigje nga Prokuroria. Hetuesit pak ditë më parë zhvilluan një kontroll të autorizuar nga gjykata në zyrën e Ylli Pinarit, ish-drejtorit të arrestuar të ndërmarrjes MEICO. Verifikimet në zyrën që ndodhet në katin e parë të Ministrisë së Mbrojtjes, përfunduan me sekuestrimin e kompjuterit të markës “IBM” dhe kasafortës ku zyrtari i arrestuar mbante “sekretet” e tregtisë së armëve dhe municioneve shqiptare. Burime të Prokurorisë thanë se, pas kontrollit të bërë në zyrën e Ylli Pinarit janë gjetur të dhëna dhe dokumente me vlerë për hetimin e çështjes, konkretisht edhe për procedurat e ndjekura nga MEICO në rastin e shitjes së avionëve MIG, tankeve të këmbyera në Greqi, armëve të lehta shitura për relike në SHBA e Gjermani e disa vende të tjera, por edhe municioneve të tregtuara për përdorim jashtë vendit apo të shitura për asgjësim vitet e fundit. Në dokumentet e gjetura në zyrë, të cilat flasin për fishekët ndodhen edhe disa shkresa lidhur me procedurat që MEICO ka ndjekur me firmën AEY të tenderuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Prokurorët thanë se, kanë indiciet e para rreth momenteve ku është abuzuar por saktësimi i këtyre rasteve duhet të bëhet pas pyetjes së personave që kanë dijeni, mes tyre Ylli Pinari dhe zyrtarë të tjerë të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Ushtrisë.
Dëshmitë
Organi qendror i akuzës ka vendosur në këtë mënyrë të thërrasë për të dëshmuar ish-sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, i cili më parë është pyetur edhe në Prokurorinë e Tiranës lidhur me tragjedinë e ndodhur në Gërdec. Ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, ngarkohet me ligj t’i japë ndërmarrjes MEICO autorizimin dhe licencën e importit, eksportit të armëve, apo municioneve jashtë Shqipërisë. Licenca apo autorizimi bëhet vetëm pasi verifikohet kush është blerësi apo shitësi dhe cili është destinacioni, origjina e artikullit ushtarak. Verifikimi bëhet në mënyrë që transaksioni të jetë brenda kushteve ligjore e kontraktuale dhe në destinacione që nuk preken nga embargo ndërkombëtare. Sekretari i Përgjithshëm është gjithashtu instanca, e cila sipas ligjit, komunikon drejtpërdrejt me ndërmarrjen MEICO lidhur me importimin apo eksportimin prej të saj të armëve dhe municioneve. Në këtë mënyrë, pas të dhënave të gjetura në kompjuterin e ish-drejtorit të MEICO, Ylli Pinari dhe shkresave të bllokuara në kasafortën e tij, pritet që ish-sekretari i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, të japë sqarime në Prokurori. Objekti i hetimit lidhet me rastin e shitjes së fishekëve kinezë nga ndërmarrja MEICO tek kompania amerikane AEY, e cila dyshohet se ka shkelur ligjin vendas, pasi ka tregtuar municione të prodhimit kinez në emër të Departamentit të Mbrojtjes në SHBA, kur një gjë e tillë ndalohet me ligj në Amerikë. Prokurorët e cilësojnë të nevojshme dëshminë e ish-sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Mbrojtjes, edhe lidhur me deklarimet e dhëna nga biznesmeni Kosta Trebicka, kompania e të cilit u nënkotraktua nga firma amerikane AEY për të paketuar në Shqipëri fishekët që niseshin drejt Kabulit. Një tjetër zyrtar që pritet të japë sqarime në Prokurori këto ditë, është edhe Komandanti i Forcave Ajrore. Ai do të pyetet përsëri lidhur me nisjen e ngarkesave me fishekë nga Rinasi, pasi rezulton se avionët transportues kanë vepruar në një zonë të aeroportit, që kontrollohet nga Forcat Ajrore të ushtrisë shqiptare, të cilët duhet të certifikojnë gjithçka ndodh aty.

YLLI PINARI
Ish-drejtori i ndërmarrjes MEICO në Ministrinë e Mbrojtjes, që u arrestua tri ditë pas tragjedisë së Gërdecit, akuzohet zyrtarisht se ka shkelur rregullat e trajtimit të lëndëve plasëse, duke u bërë shkak për tragjedinë. Hetohet për akuzën e shpërdorimit të detyrës dhe akuzohet publikisht nga Kosta Trebicka për abuzime dhe ndërhyrje në tregtinë e fishekëve të ushtrisë shqiptare që janë shitur tek kompania amerikane AEY, e tenderuar nga Departamenti Amerikan i Mbrojtjes. Ylli Pinari akuzohet se ka nxjerrë nga veprimtaria në mënyrë “private” pa i komunikuar asnjë vendim zyrtar, kompaninë e Kosta Trebickës dhe ka futur në lojë Mihal Delijorgjin dhe subjekte të tjera, duke dyfishuar kështu çmimin e shitjes së fishekëve.

KOSTA TREBICKA
Pronari i kompanisë “Xhoi”, e cila u nënkontraktua nga shoqëria amerikane AEY e Efraim Diverolit, për të paketuar fishekët shqiptare nga arkat e drurit dhe të hekurit në kutitë e kartonit, që ngarkoheshin në avionë transporti në zonën ushtarake të Aeroportit të Rinasit. Kompania e Trebickës u shmang nga ndërmarrja MEICO, e cila angazhoi në aktivitetin e paketimit të fishekëve firmën e Mihal Delijorgjit. Kosta Trebicka ka bërë publike një bisedë të zhvilluar mes tij dhe Efraim Diverolit lidhur me veprimet “e paligjshme” të drejtorit të MEICO në tregtinë e fishekëve për të futur në lojë kompaninë e Delijorgjit dhe për të dyfishuar çmimin e shitjes për palën amerikane.

MIHAL DELIJORGJI
Biznesmen i njohur i skrapit në Shqipëri, u arrestua tri ditë pas tragjedisë së ndodhur në Gërdec, pasi ishte marrë dy herë në pyetje nga Prokuroria e Tiranës. Konsiderohet si një biznesmen, që pas vitit 2003 ka pasur aktivitet të lidhur ngushtësisht me ushtrinë dhe veçanërisht me ndërmarrjen MEICO, në varësi të Ministrisë së Mbrojtjes. Delijorgji dyshohet se ka 20 për qind të aksioneve në kompaninë EVDIN me seli në Qipro, e cila dyshohet se është përdorur nga Ylli Pinari për të dyfishuar çmimin e fishekëve, që i shiteshin shoqërisë amerikane AEY për të furnizuar ushtrinë afgane. Delijorgji i akuzuar më parë për shmangie doganore kishte në pronësi fabrikën e çmontimit në Gërdec, ku besohet se janë paketuar fishekë për në Kabul.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›