E Shtunë, 31 Tetor 2026

Curri: Golin ia dedikoj Kosovës së Pavarur

• Debatik Curri i ka dhënë fitoren skuadrës së tij Vorskla Poltava teksa ka shënuar një gol në minutat shtesë (91) në ndeshjen kundër Metalurg Zaporozhies.

Jetmir Halialaj

Takimi u mbyll me shifrat 2-1 dhe ka qenë futbollisti i Kombëtares shqiptare, Debatik Curri ai që ka vendosur fatet e ndeshjes. “Këtë gol ia dedikoj Kosovës së Pavarur”, ka thënë futbollisti në një intervistë për “Panorama”. Ai ka shënuar një gol me kokë pas asistit që i ka dhënë Armend Dallku.
Ju nuk hiqni dorë nga goli, megjithëse edhe te Vorskla po luani si mbrojtës...
Po, e vërtetë është, sepse edhe këtu po luaj si mbrojtës i majtë, por unë e kam thënë edhe më parë se mund të luaj në çdo rol. Sot (dje) m’u dha mundësia dhe arrita të shënoj. Jam shumë i lumtur sepse ishte një gol që i dha fitoren skuadrës dhe kjo është shumë e rëndësishme.
Sa është shpërblimi nga ana e klubit në të tilla raste?
Zero. Nuk përfitoj asnjë shpërblim. Nuk është në rregulloren e klubit dhe nuk e kemi as në kontratë një gjë të tillë.
Kujt ia dedikoni golin?
Ia dedikoj Kosovës së Pavarur. Do të doja që ta kisha shënuar më parë këtë gol, por gjithsesi mirë është edhe kështu. Të gjithë kosovarët kanë pritur gati një shekull për t’u ndjerë të lirë dhe unë ua dedikoj atyre golin.
Më mirë një gol në “Amsterdam Arena” me Kombëtaren, apo një gol me vlerë tre pikë te Vorskla?
Më mirë një gol me Kombëtaren. Asgjë nuk mund të krahasohet me ndjesinë që të jep një gol me Kombëtaren.
Çfarë ju tha trajneri pas ndeshjes?
Asgjë, ishte shumë i hutuar nga gëzimi. As ai nuk po e besonte se arritëm të fitonim në minutat shtesë. Gjëra të tilla nuk ndodhin shpesh të Vorskla.
Si e realizuat golin?
Te goli im ka meritë të madhe edhe Armend Dallku. Ai më dha një pasim nga e djathta dhe unë që ndodhesha në zonën e rreptësisë së kundërshtarit kërceva mbi mbrojtësit dhe pasi gjuajta me kokë shënova.
Çfarë ju tha Dallku pas golit?
Nuk patëm mundësi të flisnim sepse ishim shumë të gëzuar, ishim në delir. Madje nga gëzimi hoqa edhe fanellën dhe u ndëshkova edhe me karton të verdhë. Nga momenti pas golit mbaj mend vetëm që ishim përqafuar të dy me Dallkun dhe fotografët i shkrepnin aparatët pa pushim.
Po shokët e tjerë të skuadrës çfarë të thanë?
Njëri nga sulmuesit më tha: Mos hajde nja dy ditë në stërvitje sa të qetësohet trajneri, se gjithë kohën ka për të na krahasuar ne sulmuesve me ty. Filluam të qeshnim të gjithë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›