E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërthejnë fantazistët e Kombëtares

• Ata janë gjithnjë truri i skuadrës dhe pa fantazinë e tyre një ekip e ka të vështirë që të arrijë objektivat, prandaj mesfushorët fantazistë janë ndër më të paguarit, por edhe ndër më të pëlqyerit nga tifozët.

Kjo vlen edhe për mesfushorët e avancuar të Kombëtares shqiptare, të cilët në javët e fundit kanë shpërthyer në gola dhe janë shndërruar në liderë të skuadrave ku luajnë. Ervin Skela ka shënuar tre gola gjatë dy ndeshjeve të fundit të Kotbusit dhe i ka dhuruar skuadrës së tij gjashtë pikë të çmuara në luftën për mbijetesë në Bundesligën 1. Gjithsej këtë sezon vlonjati ka realizuar 6 gola dhe aktualisht cilësohet lideri i ri i Kotbusit. Klodian Duro ndërkaq, ka realizuar 12 gola me Tiranën dhe javën e fundit shënoi një dopietë që i dha frymëmarrje skuadrës bardheblu. Pas dëmtimit të Mukës ka qenë elbasanlliu ai që ka marrë përsipër rolin e regjisorit te kampionët e Shqipërisë dhe deri tani ka qenë padyshim ndër futbollistët më të spikatur të kampionatit. Tejet aktiv në këtë fazë të sezonit ka qenë edhe Jahmir Hyka, një tjetër mesfushor me tipare ofensive, i cili nuk e ka problem të thotë se ka idhull Ervin Skelën. Një javë më parë ishte ai protagonisti i përmbysjes spektakolare të Tiranës kundër Elbasanit. Por bumi i fantazistëve të Kombëtares shqiptare nuk ndalet këtu. Dy ditë më parë ishte Dorian Bylykbashi ai që ndihmoi skuadrën e tij, Krivbas, të fitonte përballë Zorias me rezultatin 2-1. Ish-kapiteni i Partizanit është shndërruar në lider te skuadra ukrainase dhe të shtunën realizoi golin e tij të katërt me fanellën e Krivbasit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›