E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shqipëria në NATO: Një ftesë e merituar

• Aldo Bumçi

Ndërsa ftesa për anëtarësim në Aleancën e Atlantikut
    Verior është përshëndetur nga të gjithë, nuk ekziston i njëjti konsensus për arsyet që çuan në marrjen e kësaj ftese. Këto kohë po artikulohen dy linja mendimi: E para e vë theksin tek faktorët e jashtëm gjeopolitikë dhe rajonalë që bënë të mundur marrjen e ftesës. Me fjalë të tjera, ftesa nuk u mor për shkak të zhvillimeve të brendshme në Shqipëri, e rrjedhimisht ishte e pamerituar. Ndërsa këndvështrimi tjetër, duke mos mohuar rëndësinë e faktorëve të jashtëm, i jep shumë më tepër rëndësi arritjeve të brendshme, në marrjen e kësaj ftese. Padyshim që pas të dy këndvështrimeve qëndrojnë pozicione të ndryshme politike. Por, pavarësisht nga pozicionet e ndryshme politike do të ishte më e dobishme që të merrnim në shqyrtim ato që quhen faktorë të jashtëm dhe të brendshëm dhe të vlerësonim peshën e rëndësisë së tyre.
Faktorët gjeopolitikë dhe rajonalë ndahen në dy grupe: në çështjet e sigurisë të Ballkanit Perëndimor, si dhe në çështjet që lidhen me marrëdhëniet e NATO-s me Rusinë. Për hir të kësaj analize le të shikojmë ngushtësisht vetëm grupin e parë. Anëtarësimi në NATO i Bullgarisë, Rumanisë dhe Hungarisë e ka transformuar hartën e Evropës Juglindore, duke i kthyer vendet e A3 në vende të ‘rrethuara’ nga vendet e NATO-s. Kjo premisë tregon qartë se NATO nuk i shikon dilemat e sigurisë të Ballkanit Perëndimor me të njëjtin shqetësim alarmues si më parë, që përkthehet në më shumë maturi dhe reflektim përpara anëtarësimit të këtyre vendeve në Aleancë. 
A i shërben forcimit të stabilitetit rajonal që NATO të ftojë vende, të cilat nuk kanë kredenciale demokratike? Një gjë e tillë mund të ndodhte gjatë Luftës së Ftohtë për arsye të sigurisë që ishin shumë akute, por jo sot kur dhe qytetarët e vendeve të rajonit janë bërë të vetëdijshëm që duhet të plotësojnë një sërë standardesh për t’u anëtarësuar. Në fakt, NATO nuk ka asnjë arsye që të ndërmarrë një hap të tillë sot në Ballkan. NATO ka më shumë se një dekadë që është e pranishme në Ballkanin Perëndimor, dhe është pikërisht këtu ku ka ndërmarrë aksionin e parë ushtarak jashtë hapësirës së saj territoriale; ka më mijëra trupa në rajon dhe ka treguar se ka të gjithë vullnetin politik për ta vazhduar këtë investim që ka bërë. Të gjitha vendet e rajonit dhe elitat e tyre politike janë të vetëdijshme për këtë fakt, dhe si rrjedhim NATO nuk ka nevojë, që për arsye sigurie, të bëjë lëshime duke ftuar vende që nuk e meritojnë ftesën. Ajo çfarë kërkon NATO dhe BE në Ballkan është transformimi i brendshëm i vendeve të rajonit duke konsoliduar demokracinë dhe shtetin e së drejtës. Përndryshe, një ftesë e pamerituar do të thoshte zbehje e mundësisë për të kushtëzuar dhe motivuar këto vende si dhe një shembull shumë i keq për vendet e tjera të rajonit se anëtarësimi mund të merret dhe pa bërë reforma. Në fakt transformimi i paprecedent që NATO dhe BE kanë realizuar në sistemin më të vjetër të shteteve në botë, kontinentin Evropian, është arritur duke nxitur transformimin e brendshëm të vendeve anëtare. E njëjta filozofi vlen edhe për vendet e Ballkanit Perëndimor.
Marrja e ftesës nga Shqipëria, edhe kur Maqedonia mbeti jashtë për shkak të vetos greke, ishte tregues i një ndryshimi të madh që ka ndodhur në mënyrën se si shikohet siguria rajonale. Pavarësisht nga problemet që Maqedonia pati me fqinjët e tjerë ishte e dukshme që faktori vendimtar për stabilitetin e Maqedonisë ishin shqiptarët. Numri i konsiderueshëm i shqiptarëve në Maqedoni, së bashku me ekzistencën e Kosovës dhe Shqipërisë, i kthenin shqiptarët në faktorin kyç për stabilitetin e Maqedonisë. Gjykimi që ekzistonte në fillim në radhët e vendeve anëtare të NATOS-s nëse ftesa nuk merrej nga Maqedonia, për shkak të vetos greke, atëherë duhej të merrej vetëm nga Kroacia, duke lënë në bllok jashtë edhe Shqipërinë me Maqedoninë, ishte pasqyrues i lidhjes së fortë ndërmjet këtyre dy vendeve. Kjo mënyrë e të menduarit ishte në vijimësi me perceptimin e deriatëhershëm për sigurinë rajonale. Me pavarësimin e Kosovës faktori shqiptar në Ballkan u fuqizua, nëse Shqipëria ftohej në NATO, ndërsa Maqedonia jo, kjo mund të lexohej si një mesazh kërcënues. Nuk ndodhi kështu, stabiliteti i Maqedonisë vazhdon të mbetet i rëndësishëm, por nuk shikohet më i lidhur me Shqipërinë në atë mënyrë se si ishte perceptuar deri tani. Si rrjedhim, zbehet edhe një faktor tjetër rajonal dhe gjeopolitik që mund të kishte ndikuar në marrjen e ftesës nga ana e Shqipërisë. Në fakt, po të kishte pasur ndonjë ndikim do të kishte qenë në anën e kundërt, në mosmarrjen e ftesës.
A ka faktorë rajonalë që kanë ndikuar në marrjen e ftesës? Po dhe mund të përmendim më të rëndësishmin. Anëtarësimi i Bullgarisë, Rumanisë dhe Sllovenisë edhe pse shume i rëndësishëm në dhënien e garancisë që Ballkani nuk ishte lënë jashtë hartës së NATO-s dhe BE-së, nuk prekte drejtpërdrejt shtetet e Ballkanit Perëndimor të përfshirë në një dinamikë tjetër zhvillimesh. Duke ftuar Kroacinë, Shqipërinë (dhe Maqedoninë) për t’u anëtarësuar në NATO, perspektiva Euro-Atlantike për këto vende si dhe për vendet e tjera, Serbinë, Bosnjën, Malin e Zi dhe Kosovën bëhet shumë e prekshme dhe konkrete, çfarë pritet që të çlirojë energji pozitive në drejtim të konsolidimit të demokracisë dhe shtetit ligjor në këto vende, dhe veçanërisht në Serbi.
Cilat kanë qenë zhvillimet e brendshme në Shqipëri që bënë të mundur marrjen e ftesës? Dhe këtu kriteret politike janë mbizotëruese. 1. Zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Zgjedhjet e vitit 2005, pavarësisht problemeve që patën mund të konsiderohen përgjithësisht të lira për faktin se nuk penguan rotacionin politik. Po kështu, në zgjedhjet lokale të vitit 2007 nuk pati ndërhyrje të shumicës qeverisëse për të manipuluar rezultatin e zgjedhjeve. Rezultati i zgjedhjeve në qytetet e mëdha, dhe kryesisht ai i Durrësit, ku opozita fitoi me rreth 300 vota dhe ku votat e pavlefshme ishin 1200, ose i Elbasanit ku opozita fitoi me mbi 700 vota dhe ku mbeti një qendër pa votuar me më shumë votues, tregojnë shumë qartë për mosndërhyrjen e qeverisë në procesin zgjedhor. Nëse shumica qeverisëse do të kishte ndërhyrë në zgjedhjet lokale të 2007, ftesa për anëtarësim në NATO nuk do të vinte.
2. Liria e medias. Kjo shumicë qeverisëse ka ndjekur një politikë të qartë të mos ndërhyrjes në politikën editoriale të medias. Mediat që kanë qenë kritike që në fillim të qeverisjes sonë vazhdojnë të ruajnë të njëjtin qëndrim, madje numri i tyre është shtuar. Qeveria mori një vendim politik, që e ndau me të kaluarën, që të mos bënte padi penale ndaj gazetarëve, si dhe mbështet në parlament projektligjin që realizon dekriminalizimin e shpifjes, pra heqjen e saj nga Kodi Penal dhe përcaktim më të saktë të dispozitave në Kodin Civil për këtë çështje.
3. Lufta kundër krimit të organizuar. Ky është një kriter shumë i rëndësishëm i vullnetit politik. Përveç standardit të zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, nuk ka pasur faktor tjetër më të rëndësishëm sesa mungesa e këtij vullneti që të ketë dëmtuar kaq shumë vendin tonë. Qytetarët shqiptarë janë penalizuar në shumë mënyra për shkak se vendi i tyre ishte i përfshirë në listat e vendeve që nuk luftojnë krimin dhe si vend transit i trafiqeve të ndryshme të paligjshme. Nëse ka pasur një fushë, ku suksesi i kësaj qeverisjeje ka qenë i dukshëm dhe i prekshëm, është pikërisht lufta kundër krimit të organizuar. Nuk është çështje propagande, por rezultatesh të matshme nga ana e partnerëve ndërkombëtarë, e veçanërisht të fqinjëve tanë, anëtarë të NATO-s dhe BE-së, si p.sh: Numri i personave që trafikohen, ose sasia e drogës që kalon transit nga Shqipëria dhe kapet në brigjet italiane; bashkëpunimi gjyqësor ndërkombëtar me vendet e ndryshme të BE-së; kalimi i ligjit për moratoriumin e skafeve; lufta kundër kultivimit të kanabisit, etj.
4. Kontributi me trupa i Shqipërisë në misionet e Afganistanit dhe Irakut, dhe rritja e buxhetit të mbrojtjes me 2 % përpara afatit të përcaktuar, ishin tregues të vullnetit të qartë politik për të arritur objektivat ushtarake edhe pse me një kosto jo të vogël për një vend me shumë probleme ekonomike.
5. Ndërtimi i një klime konstruktive bashkëpunuese ndërmjet qeverisë dhe opozitës në periudhën që parapriu marrjen e ftesës luajti një rol shumë të rëndësishëm në vendimin, që u mor në Bukuresht. Fillimi i reformës në fushën e drejtësisë, kalimi i ligjit të parë “për pushtetin gjyqësor”, i një rezolute të përbashkët dhe fillimi i diskutimeve me propozime konkrete për reformën elektorale përmirësuan ndjeshëm imazhin e vendit.
Anëtarësimi në NATO nuk ishte thjesht një retorikë boshe e debatit politik, por një objektiv madhor rreth të cilit u angazhua i gjithë aksioni politik dhe institucional i qeverisë. Si përfundim mund të themi se ftesa që iu dha Shqipërisë për anëtarësim në NATO ishte tregues i arritjeve të brendshme që përkojnë me një kontekst të përmirësuar rajonal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›