E Shtunë, 31 Tetor 2026

NATO 2008: Vizioni strategjik amerikan

• Kastriot Islami

Siguria globale dhe kryesisht ajo në Evropë ka qenë një prej temave kryesore të diskutuara në mbledhjen e NATO-s në Bukuresht. Kjo mbledhje ka shënuar një moment historik, por jo vetëm për Shqipërinë. Shumica e vendeve duken të kënaqur se kanë plotësuar objektivat e tyre madhore, pra ato strategjike. “Racionalisht e strategjikisht”, duhet të jenë të kënaqur mbi të gjithë amerikanët. Natyrisht emocionalisht duket sikur Maqedonia, Gjeorgjia dhe Ukraina duken jo plotësisht të kënaqura, ndërkohë që realisht objektivi i tyre strategjik është realizuar, ndërkohë që prekja e plotë është kthyer vetëm në çështje kohe.
Përsa i përket çështjes së zgjerimit dihet tashmë që kanë marrë ftesën për anëtarësim të plotë Kroacia dhe Shqipëria, kurse Ukraina, Gjeorgjia dhe Maqedonia, janë përcaktuar për t’u anëtarësuar, por ende në listë pritjeje. Për Maqedoninë ftesa do të bëhet efektive sapo të zgjidhet çështja e emrit, që mesa duket me vullnetin pozitiv të Greqisë dhe fleksibilitetin-mençurinë e Maqedonisë zgjidhja duket jo e largët. Përsa i përket Gjeorgjisë e Ukrainës, vendimi duket se i siguroi atyre anëtarësimin duke i mbajtur vetëm përkohësisht jashtë Programit të Veprimit për Anëtarësim, duke dhënë kështu mundësi që edhe këto dy vende të garantonin realizimin e objektivit të tyre strategjik, anëtarësimin në NATO, duke marrë në thelb ndoshta këtë radhë më shumë se çfarë prisnin. 
Aleanca e Atlantikut të Veriut miratoi gjithashtu, sistemin e mbrojtjes anti-raketë që amerikanët dëshironin të vendosnin në Poloni e Çeki, për të rritur sigurinë nga sulmet terroriste kryesisht të Evropës, por edhe të Amerikës. U vendos që numri i ushtarëve të aleancës të rritet në Afganistan, duke tërhequr me shumë forca nga vendet evropiane, konkretisht nga Franca, për vazhdimin e stabilizimit të këtij vendi nga rreziqet e bartësve të terrorizimit taliban. Franca iu bashkua komandës ushtarake të NATO-s nga e cila ishte larguar në vitin 1966. 
Nga vendimet e marra duket se, të gjithë vendet janë relativisht të kënaqura. Pas këtij samiti, marrëdhëniet e SHBA me Evropën duken më të relaksuara, bile mund të thuhet më konvergjente, ndonëse strategjikisht, diferencat nuk mungojnë. Sidoqoftë Franca dhe Gjermania, për momentin duken mjaftueshmërisht të kënaqura, sepse bazuar në “llogaritë e tyre pragmatike” për të mos “mërzitur Rusinë” që “ushqen me gaz e naftë jo pak nga kërkesat e evropianëve”, arritën të frenonin përkohësisht përfshirjen e Gjeorgjisë e të Ukrainës në programet e NATO-s.
Natyrisht më të kënaqurit duhet të jenë amerikanët e mbi të gjitha Presidenti Bush. Pavarësisht se në pamje të parë duket sikur nuk arritën maksimalisht objektivat, të gjithë vendimet historike të këtij samiti duket të jenë plotësisht në linjë me objektivat e tyre strategjikë.
Pra, rënies së murit të Berlinit, zgjerimi i Evropës drejt vendeve ish-komuniste përmes demokratizimit të tyre dhe zgjerimi i sigurt i NATO-s përmes hapave të njëpasnjëshëm drejt vendeve demokratike, konsiderohet sukses në drejtim të realizimit të objektivave strategjike amerikane. Po kështu ky zgjerim është më shumë sukses edhe i filozofisë amerikane të “Global Nato” që në perspektivën e sigurisë së globalizuar ta kthejë Aleancën e Atlantikut në mekanizmin e vetëm, ose të paktën kryesor, të sigurisë globale.
Natyrisht në funksion të arritjes së objektivit strategjik të “qeverisjes globale”, nisur nga situata aktuale unipolare, politike, ekonomike e ushtarake, vendimet historike të Samitit të Bukureshtit, duket të përkojnë me drejtimet kryesore të arritjes së këtij objektivi strategjik amerikan. Natyrisht mbetet në periudhën pasuese të testohen qëndrimet relativisht të ndryshme, ai amerikan për ndërtimin e “klubit të vendeve demokratike dhe të një tregu të përbashkët ekonomik-monetar amerikano-evropian” me atë “kryesisht gjerman” për një “rol moderator të Evropës midis SHBA dhe Rusisë”. Edhe në këtë aspekt, vendimet e këtij samiti duken momentalisht të orientuara nga opsioni strategjik amerikan....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›