E Shtunë, 31 Tetor 2026

Punësimi, një nga kushtet e BE-së për qeverinë e re



Nga Fatos XHEDIKU

Zgjedhjet e 28 qershorit nxorën produkt politik koalicionin e parë në historinë e tranzicionit shqiptar midis së djathtës dhe së majtës shqiptare. Duke iu referuar përvojave të shumta europiane nga Franca (republikanët me komunistët), Italia (demokristianët me socialistët), Gjermania (CDU me SPD), Austria (PP-SPD) - arrihet përfundimi se koalicione të tilla, të gjëra nga spektri politik, janë thirrur nga historia për t’i shërbyer stabilitetit, zhvillimit dhe sfidave ndërkombëtare.
Mendoj se një koalicion i tillë në këto momente në Shqipëri i shërben plotësisht zhvillimit të reformave demokratike të brendshme dhe integrimit të vendit në Bashkimin Europian. Çdo debat, diskutim, deklarim apo sajim individësh, grupesh apo klanesh që vë në diskutim një kompozicion të tillë të gjerë politik në Shqipëri është jorealist dhe anakronik. Pa marrë përsipër që të shkruaj për fusha e sfera jashtë kualifikimeve dhe përvojave të mia, do të shkruaj disa aspekte të politikave të punësimit, të cilat duhet dhe do të zënë vend në programin e koalicionit të pritshëm qeveritar.
Së pari, LSI-ja, së bashku me partnerin qeveritar, duhet dhe do e përfshijnë punësimin si prioritet themelor në katër vitet që vijnë. Për këtë është bërë një plan veprimi i qartë dhe modern, i cili synon që të krijohet një sistem i qëndrueshëm, gjithëpërfshirës, modern, dinamik dhe i ndryshueshëm në mënyrë permanente. Një sistem i tillë do të bazohet në teknologjinë moderne elektronike, përmes krijimit të një database qendrore në Tiranë dhe të një rrjeti mbarëkombëtar të shtrirë elektronikisht në të gjithë vendin brenda infrastrukturës së pushtetit vendor. Ky database dixhital do jetë gjithëpërfshirës, dinamik, i klasifikuar sipas zonave, moshave, sekseve, profesioneve, gjendjeve sociale dhe specifikave individuale. Dixhitalizimi i këtij database na krijon në çdo kohë tablonë dinamike të gjendjes së punësimit në Shqipëri.
Së dyti, në këtë sistem do të ndërtohet rrjeti i linkeve ndëragjencish ku do të ndërfuten gjendjet e punësimit në tërë sistemin e biznesit privat dhe të sektorit publik, sikundër edhe të kompanive dhe rezidentëve të huaj. Ky rrjet interagjencish do të normalizojë gjithë tregun e punës, do të sigurojë të dhëna dinamike për ndryshueshmërinë, do të konsiderojë kërkesat e tregut, nevojat e tij në çdo sektor dhe do t’i përgjigjet atij me informacion të pandërprerë.
Së treti, sistemi i dixhitalizuar dhe ai interagjenci i integruar do të synojë që të mbushë çdo vakuum në statusin e njerëzve në tregun e punës, duke u krijuar mundësi aftësimi profesional riaftësimi, modernizimi, kualifikimi dhe ndryshueshmërie profesionale - gjithnjë duke pasur parasysh kërkesat e tregut të punës dhe njëkohësisht interesat e punonjësve tanë kudo.
Së katërti, duke ndërtuar një sistem të tillë mbarëkombëtar, të dixhitalizuar, modern dhe dinamik, si dhe interagjencish, ne synojmë që të vendosim kooperacion më agjencitë e huaja europiane, shtetërore dhe private, me qëllim që hapësirat europiane të punësimit për shqiptarët të kanalizohen në rrugë ligjore dhe profesionale, duke hequr dorë njëherë e përgjithmonë nga praktikat antiligjore që janë ndeshur te ne përmes trafikut klandestin dhe kalimeve të paligjshme të kufijve.
Një projekt i tillë do të shoqërohet paralelisht me krijimin në të gjithë vendin të qendrave kualifikuese dhe të formimit profesional sa do të ketë nevojë tregu i brendshëm dhe ai europian. Nuk do të mbetet asnjë rajon, qytet e komunë pa pasur qendrat e veta të aftësimit dhe të riaftësimit permanent profesional. Ky rrjet ka dobi shumë të madhe sepse edhe në periudha kur njerëz të veçantë humbasin vendet e punës, ato nuk do të humbasin kurrë mundësitë për t’u rikualikifikuar dhe riaftësuar për vende të reja dhe profesione të reja që tregu publik dhe privat kërkon në dinamikë të vazhdueshme.
Projekti është bazuar në përvojat më të mira të vendeve të Bashkimit Europian. Natyrisht, ne mbajmë parasysh disa vështirësi specifike që kalon vendi për këtë fazë. Por ky projekt është shumë perspektiv, që u krijon shanse të drejta dhe të barabarta shtetasve shqiptarë dhe të huaj për tregun e punës në Shqipëri dhe kudo në Europë.
Personalisht kam bindjen se koalicioni i pritshëm qeveritar do të mbështesë me financa njerëz dhe logjistikë këtë projekt gjigant që i jep fund tranzicionit në tregun e punës në Shqipëri dhe u hapë perspektive europiane punonjësve të vendit tonë. Gjithashtu, Komisioni i Bashkimit Europian, tanimë ka deklaruar alokimin e një shume prej afro 265 milionë euro për vitet 2010-2011 për të mbështetur projekte të tilla kualifikuese për përgatitjen e kapaciteteve njerëzore.

27 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›