E Shtunë, 31 Tetor 2026

A do të kemi turp kur të votojmë?!



Në muajin qershor do të zyrtarizohet konsiderata e shqiptarëve ndaj politikës në përgjithësi, përmes përqindjes së pjesëmarrjes në votime, kurse rezultatet e veçanta janë treguesit e vlerësimit konkret të elektoratit ndaj liderëve, pasi këta tek ne njësohen me partinë si në poemën e Majakovskit “Partia-Lenini binjak…” Testi i muajit qershor, ndryshe nga zgjedhjet brenda partive, të cilat përfundojnë me duartrokitjet e nja 500 oborrtarëve, nxjerr apo mban në politikë disa titullarë. Kontestimeve të pafund të zgjedhjeve u ka ikur moda, ato tashmë nuk do të shërbejnë si justifikim për humbjen, pasi Kodi Zgjedhor, komisionet përkatëse e të tjera punë elektorale janë sanksionuar me konsensusin e dy partive të mëdha. Partive u ka mbetur pak kohë për korrigjime efikase, platformat elektorale e premtimet për 4 vitet e ardhshme janë analoge, sepse dhe vetë këto formacione tashmë tek ne janë kthyer në grupime rivale të të njëjtit krah, ndaj propaganda e ngutur paraelektorale nuk po shitet sa duhet dhe koalicionet rezultojnë pa ndonjë qar. Ato që tani, pa u deklaruar zyrtarisht, kanë krijuar tollovitje në grigjat e partive të mëdha dhe mosmiratim nga militantët të cilët e shohin veten si instrumente të shpërdoruara. Nuk kanë kaluar shumë vite kur këta të shkretë demonstronin rrugëve kundër atyre që sot duhet t’i konsiderojnë miq të preferuar dhe të votojnë për ta. Në këtë situatë, kur për herë të parë zbatohet dhe sistemi elektoral proporcional çka largon zgjedhësit nga tradita mazhoritare e njohjes në njëfarë mase dhe e miratimit të kandidatit për deputet, tribuve të partive u mbetet veç një mundësi efikase ku mund të bëjnë diçka vërtet pozitive e kjo është përmirësimi i sinqertë i moralit në shpurën e tyre, e cila deri tani, hap pas hapi është përzgjedhur me parimin stalinist “të vartësit të bindur, por me pak integritet”. Për këtë shkak politika aktuale ka brenda vetes kaq shumë dukuri negative, sa dita-ditës fyen dinjitetin e shqiptarëve. Nga vetë politikanët si dhe nga zëdhënësit informalë të liderëve, të cilët i përdorin rast pas rasti për të ulur krenimin e vartësve, po kështu dhe nëpërmjet mediave të pavarura kemi mësuar me bindje të plotë dhe vërtetësi të kaluarën e të tashmen morale të oborrtarëve të politikës. Ky vendi ynë është i vogël, të gjithë njihen nga njëri-tjetri, ndaj, si i thonë fjalës, të lexohen letrat në xhep. Politikanët me gjenezë direkte nga shtresat e larta apo gjysmë të larta të sistemit diktatorial asnjë herë nuk u deklaruan të distancuar nga aktiviteti represiv i prindërve të tyre, ata rrinë si gjarpri nën gur, të heshtur, indiferentë ndaj të përgjithshmes, duke vëzhguar frikshëm liderin e tyre, të cilin në një situatë të sigurt, ndryshe mund ta kthejnë lehtësisht në pre. Nga argumentet e cituara pak më lart kemi mësuar emrat e pseudonimet për një tufë tjetër politikanësh unikë në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste, ata janë të kontraktuarit vullnetarë në këmbim të favoreve, me shërbimin e Sigurimit famëkeq të Shtetit. Këto mikrobe të rrezikshme për të afërmit e tyre, për shoqërinë e më gjerë, edhe sot nuk e kanë prishur ende atë kontratë të zezë, pasi nuk janë deklaruar publikisht për të kaluarën, si i thonë një fjale, nuk kanë bërë punën e pendimit, ndaj anëtarësimi i tyre në atë organizatë aktualisht ngelet në fuqi. Ata të dyzuar mundohen me mjete amorale të fshehin gjurmët e së kaluarës me një kompensim e gatishmëri false, duke intriguar, spiunuar dhe kafshuar keqas kur i paraqitet rasti për të treguar zellin e tyre ndaj liderit. Përgjithësisht, personazhet e tanishme të politikës, në mes interesave të vendit e atyre vetjake, kanë vlerësuar më tepër këto të fundit, me shpresë se do ta hedhin çdo përshtypje apo ballafaqim, duke u mbuluar me propagande të tepruar të tipit komunist, pra nga demagogjia. Natyrisht, as pinjollët e diktaturës, as informatorët vullnetarë të Sigurimit të viteve ‘80-‘90 dhe as disa të tjerë të reklamuar nga politika e sotme si marka të reja, por që sponsorizohen në skuta antishqiptare apo nga shoqata të veseve më të neveritshme, nuk u futën në klanet politike, vetë ata u thirrën nga tributë pikërisht për aftësitë e tyre të sipërpërmendura. Sovranët e partive që vrâjnë e kthjellin atmosferën politike të vendit pa marrë në konsideratë normat e shkruara të bashkësisë së tyre, kanë plotësisht dorë të lirë të fillojnë një politikë vërtet të re, të besuar e optimiste nëpërmjet përzgjedhjes me moral ndryshe si dhe të analizës së hapur e të sinqertë të bekgraundit të kandidaturave që ato do të rreshtojnë në listat e qarqeve. Sot politika ka arritur në zgrip, ndaj po urrehet nga një shumicë e konsideruar shqiptarësh. Sofizmat, si ajo e defektit të njohjes, e mangësive në dosje apo konsensusi për harresë të bëmave korruptive nën parullën “të shohim veç përpara” janë përralla naive që nuk gëlltiten nga qytetarët e lodhur e të shokuar nga imoraliteti i politikës. Ata kanë zgjedhur filozofinë e heshtjes, por dhe të mirëvrojtimit të rrugës politike drejt 28 qershorit. Ajo forcë ose, më konkretisht, ai lider i cili përmes kualiteteve të kandidaturave për deputet arrin të bindë elektoratin për një të ardhme politike me më shumë prosperitet, idealizëm e njerëzi, do të fitojë zgjedhjet. Të shohim, pastaj të vendosim. Do fati, kësaj here të mos turpërohemi nëse do të votojmë!

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›