E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tragjedia në Gjirokastër, Prokuroria dërgon dosjen në gjyq



Shtatë persona dërgohen të pandehur, pushohen hetimet për katër

Shembja e pallatit me 30 familje, humbën jetën 3 persona

Përfundojnë hetimet për shembjen e pallatit në Gjirokastër, prokuroria dërgon për gjykim shtatë persona, ndërkohë që pushon hetimin për katër të tjerë. Përfundimi i hetimeve paraprake mban datën e dy ditëve më parë, ndërkohë që dosja është depozituar në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Gjirokastër. Shtatë të pandehurit akuzohen për veprat penale që parashikohen nga nenet 79 gërma “ë”; 150; 248; 248&25 të Kodit Penal. Të pandehurit e dërguar për gjykim në gjykatë dhe për të cilët pritet hedhja e dosjes në short për nisen e gjykimit janë Sotiraq Janora; Gjergji Meçe; Afërdita Papamihali; Alfred Mamani; Admir Shehaj; Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj. Hetimi ka nisur për këta shtetas mbi bazën e vendit të ngjarjes së ndodhur në lagjen “11 Janari” të qytetit të Gjirokastrës, ku një pallat është shembur dhe për pasojë kanë humbur jetën tre persona. Nga hetimet, sipas organit të akuzës rezulton e provuar se prej të pandehurit Sotiraq Janora janë konsumuar elementët e figurës së veprave penale të “vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79 germa “ë” si edhe “shkatërrimi i pronës me dashje”, parashikuar nga neni 150 i Kodit Penal; ndërsa i pandehuri Gjergj Meçe ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale “shpërdorim detyre”, vepër penale e parashikuar nga neni 248 Kodit Penal. Po sipas hetimeve rezulton se e pandehura Afërdita Papamihali ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal, ndërsa të pandehurit Admir Shehaj, Petrit Maksuti dhe Leonard Mustafaraj kanë konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, kryer në bashkëpunim dhe parashikuar nga nenet 248&25 të Kodit Penal. Referuar akuzës, në përfundim të hetimit rezulton se i pandehuri Alfred Mamani ka konsumuar elementët e figurës së veprës penale të “shpërdorimit të detyrës”, vepër penale e parashikuar nga neni 248 i Kodit Penal. Sipas prokurorit të çështjes, gjatë hetimeve paraprake janë mbledhur provat e nevojshme që vërtetojnë fajësinë e shtatë të pandehurve për veprat penale për të cilat akuzohen. Pallati në lagjen “11 janari” në Gjirokastër, në të cilin banonin 30 familje, u shemb më 9 nëntor, duke shkaktuar vdekjen e 3 personave.

Pushimi i hetimeve

Organi i akuzës ka pushuar hetimet për katër persona të arrestuar pas ngjarjes. Sipas hetimit, gjatë kryerjes së veprimeve hetimore, por kryesisht mbi konkluzionet e nxjerra nga akti i ekspertimit teknik, është konkluduar në pushimin e hetimeve ndaj shtetasve Luan Bufi ing. konstruktor, Njazi Çobani arkitekt, Thanas Llahana, ing. gjeolog, Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrëse “Arti” sh.p.k, të bazuara sipas akuzës, në nenin 328/1 germa “dh” Kodit të Procedurës Penale, pasi “vërtetohet se i pandehuri nuk e ka kryer veprën”.

Të pandehurit

Sotiraq Janora

Gjergji Meçe

Afërdita Papamihali

Alfred Mamani

Admir Shehaj

Petrit Maksuti

Leonard Mustafara

Pushohen hetimet

Luan Bufi, ing. konstruktor

Njazi Çobani, arkitekt

Thanas Llahana, ing. gjeolog

Aristotel Haxhi, aksioner i firmës sipërmarrëse “Arti” sh.p.k.

Akuzat

* “Vrasje në rrethana të tjera cilësuese”, parashikuar nga neni 79 germa “ë”

* “Shkatërrim i pronës me dashje”

* “Shpërdorim detyre” në bashkëpunim

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›