E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edhe këtë ma bëre ore Sali...?!



Reagimi i opozitës dhe mediave pas shkarkimit nga Kryeministri Berisha të ish-ministrit Pango ka qenë nga më të pabesueshmit, por gjithsesi, autentik. Të shokuar nga reagimi spektakolar i Kryeministrit që paralizoi çdo mundësi për përfitim politik e elektoral nga skandali banal, opozita dhe mediat rrotull saj po mundohen të politizojnë dhe përgjithësojnë një incident distancimi ndaj të cilit ishte veprimi i parë i qeverisë dhe krejt mazhorancës. Lidhja që opozita dhe mediat e saj po i bëjnë çështjes “Pango” me Sali Berishën, politikave dhe qeverisjes së tij, më kujton një anekdotë që doli në Vlorë gjatë ngjarjeve të vitit 1997. “Një militanti të së majtës, ish-oficer, që ishte radhitur në bandat e armatosura , i kishin mbushur mendjen se gjithçka që ndodhte, ishte vepër e Sali Berishës. Saliu na vodhi paratë. Saliu kërkon të na vrasë, Saliu bëri atë e Saliu bëri këtë... I ishte bërë mendja dhallë të shkretit. Një ditë qëlloi që u kthye në shtëpi në një moment të papërshtatshëm dhe kapi gruan në flagrance me një burrë tjetër. Momenti ishte aq rëndë, saqë mund të merret me mend reagimi i një njeriu normal. Mirëpo fatziu i shokuar nga propaganda e partisë së tij vetëm vuri duart në kokë, duke thirrur me të madhe: “Edhe këtë ma bëre ore Sali!?”

Morali i anekdotës është i përputhur tërësisht me reagimin e sotëm të opozitës dhe mediave të saj në raport me reagimin e Kryeministrit nga incidenti “Pango”. Përpjekjet për ta lidhur Berishën dhe qeverisjen e tij me një incident të izoluar përbën pa dyshim përpjekjen më donkishoteske politike e mediatike të manifestuar ndonjë herë kundër tij. Personalisht, nuk shoh ndonjë ndryshim midis oficerit idiot të anekdotës me politikanët dhe gazetarët e kollarisur e të fryrë të opozitës në Tiranë. Me gjithë përpjekjet për të heshtur ndaj reagimit të admirueshëm të Kryeministrit, duket qartë se kanë ngelur të befasuar prej tij. Ndoshta skenari ka qenë përgatitur që në befasi Kryeministri të mos reagonte menjëherë për ta paraqitur një reagim të mëvonshëm të tij si fitore e presionit politik e mediatik të tyre, gjë që duket se Berisha ua ka djegur në dorë. Kaq keq e kanë përjetuar reagimin e Kryeministrit, sa tani çështja e tyre nuk është më incidenti “Pango”, por krijimi i insinuatave shpeshherë përtej kufijve të fantazisë për ta lidhur me çdo kusht me të. Shumë njerëz shprehin habinë për egërsinë deri në kryqëzim që opozita dhe mediat e saj po e trajtojnë incidentin “Pango”. Duke parë moralin politik e personal, si dhe historitë personale e familjare të atyre që kanë marrë përsipër fushatën e “kryqëzimit”, vihet re lehtësisht se janë në të njëjtin nivel me të, në mos më keq. Situata post-Pango është bërë më e pështirë e, sidomos, shoqërisht, më e dëmshme se vetë skandali. Të berit moral nga ata që nuk kanë lidhje me moralin, është sa e papranueshme, aq edhe e trishtueshme. Nuk mund ta mendosh se si mund të dalin në media e të diskutojnë për moral njerëz të tillë. Mirëpo duket se nuk arrijnë ta kuptojnë se vetëm i kujtojnë publikut historitë dhe veset e tyre. “Ky shkon, me kunatën”. “Ky është homoseksual. “Djali i këtij që përgjonte çiftet , etje ” . Këto dhe të tjera janë reagimet e njerëzve sa herë në ekrane shfaqen perversë politiko-mediatikë në leksionet nga më hipokrite të moralit.

Mirëpo, le të kthehemi tek argumenti fillestar. Përpjekjet e opozitës dhe mediave të saj për të përfshirë Berishën në përgjegjësinë e skandalit, përveç komikes, kanë edhe anën e sajë tragjike. Kjo situatë manifeston pamundësinë e opozitës për të konkurruar politikisht me mazhorancën, gjë që ka çuar në degjenerimin e luftës politike deri në këtë shkallë. Në te njëjtën mase kjo situatë nxjerr ne mejdan edhe natyrën dhe funksionimin e medies së përfshirë në fushatë që i ka zvendesuar kriteret profesionale me korrupsionin dhe mercenarzmin . E parë ftohtë, përpjekja për të zhvleftësuar arritjet politike e elektorale të mazhorancës me efektet e stisura të një skandali seksual, shpreh varfërinë ideopolitike dhe trishtimin paraelektoral që ka kapluar opozitën në prag të zgjedhjeve të ardhshme parlamentare. Nuk besoj se ka shqiptar normal të besojë një opozitë, alternativa reale, politike , mediatike e elektorale e së cilës, të paktën tani për tani, rezulton të jetë batuta e fabulës: “Edhe këtë na e bëre ore Sali?”

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›