A do të qeshë Basha paskëtaj?
Andis Harasani
Lulëzim Basha është djalë i qeshur. Normalisht ministri i Jashtëm pa ...imunitet i ka të gjitha arsyet të jetë i qeshur. Ka qenë gjithmonë në vendin e duhur dhe në momentin e duhur. Ka njohjet e duhura dhe rrethin e duhur familjar. Pranon se është i pasur, është qytetar pothuajse evropian për shkak të familjes dhe flet mjaft mirë anglisht, pavarësisht se flet shumë dhe nuk thotë asgjë. Deri më tani jeta e tij i ngjan një ngjitjeje të paprerë në një nga brinjët e piramidës, asaj financiare, asaj politike dhe asaj hierarkike. Eshtë pranë kryeministrit Berisha dhe mik me të gjithë njerëzit që vetë Berisha i ka shumë për zemër. Eshtë bashkëpunëtor dhe më shumë se kaq me të gjithë njerëzit që Berisha ka vendosur të realizojë misionin e jetës së tij. Po cili është ky mision? Vetë Berisha nuk është personazhi më i përshtatshëm për të dhënë përgjigje, por duke i marrë me radhë, që nga kriza e thellë dhe e shumëfishtë ku po zhyt vendin, tek projektimi i Gërdecit dhe ecja kuturu e vendit, parashikimi bëhet i zymtë dhe i mistershëm. Njëlloj si vetë individi Berisha.
Ndaj Lulëzim Basha qesh. Ka shumë mundësi që Basha të ketë marrë me humor edhe shoqërimin në polici të Damir Fazlliçit, edhe zbulimin e detajeve ngjethëse të “miqësisë” së kunatit të tij me serbo-boshnjakun, edhe revoltën në burgun e Fushë-Krujës, edhe një ndërtim gjigant në të djathtë të mbikalimit për në Rinas. Nëse është kështu, kjo është punë për Lulin e qeshur, mund të jetë edhe produkt i lehtësisë marramendëse me të cilën ky individ, produkt i “katapultës” së fatit politik që mban në dorë kryeministri, ka marrë të gjitha gjërat serioze në këtë botë. Si për shembull, edhe çështjen e patriotizmit folklorik të rrugës Durrës-Kukës, ku po bëhet e qartë, edhe zyrtarisht, se shtetit i janë vjedhur mbi 200 milionë euro. E thotë edhe KLSH-ja, por kjo është megjithatë një histori tjetër.
Historia që duhet të bënte qoftë dhe një çast serioz Lulëzim Bashën është ajo çfarë ka ndodhur me kunatin e tij, që vendos të merret me urbanistikë, ndërtim dhe sende të tjera të lidhura me këto, pikërisht në kohën kur atij vetë i varej në qafë çelësi politik për ministrinë që merret po me këto veprimtari. Bashkë me të, edhe individi tjetër, serbo-boshnjaku Fazlliç, edhe studioja ligjore më e famshme në Shqipëri, edhe të afërm të kryeministrit, edhe të gjitha strukturat e tjera të shtetit shqiptar ku prodhohen para lehtësisht. E gjithë skema është ndërtuar kaq dukshëm sa ngjan se është e tillë pikërisht për t’u turbulluar; kaq budallenj të kenë qenë që t’i bëjnë të gjithë hapat kaq hapur? Edhe një vjedhës ordiner i një lokali periferik e di që duhet të hyjë në të i veshur me doreza për të mos lënë gjurmë, dhe i maskuar me kapuç në kokë për të mos u njohur. Këta përkundrazi, gjithçka e kanë bërë edhe përpara kamerave dhe e kanë shitur si nxitje të “investimeve” të huaja në Shqipëri, si thithje e këshillave të vyera për ndërtimin e Shqipërisë. Por nëse Luli e merr këtë punë me të qeshur, vetë Berisha sipas zakonit, e ka cilësuar si betejë të jetës së tij luftën kundër korrupsionit. Të kthehesh në vendin e krimit dhe të flasësh gjithë ditën pikërisht për krimin, është një version i shqipëruar i amerikanëve të hershëm Boni dhe Klajd. Vetëm se të shumëfishuar, vetëm se të hipur në makina të ndryshme dhe me kostume të ndryshme.
Në fundjavën e kaluar dhe në këtë fillimjavë po përmenden edhe publikisht emra të cilët kanë qenë personazhe shumë të lakuar në ambiente të ndryshme në Tiranë, ambiente politike apo dhe biznesi: Berisha, Luli, Argita, Shkëlzeni, Erjoni, Damiri, Doktori, Shpresa, Flutura, më tej edhe Rafi apo Muhameti me Fatmirin e kështu me radhë. Janë të gjithë të lidhur me njëri-tjetrin ose në lidhje gjaku, ose janë pjesë e të njëjtës familje politike. Në Itali, nuk do të hezitonin t’i jepnin një emër të bujshëm këtyre lloj lidhjeve që forcohen nga një qëllim i përbashkët, nga një mision i përbashkët, me mjete që publiku po i denoncon si të paligjshme.
Dikur, kohë më parë, kam dëgjuar për herë të parë nga kryeministri Berisha kompozitën Klani i Zemunit. Akuzonte një ministër socialist dhe vetë kryeministrin e atëhershëm si krerë të këtij klani. Sot ai ka harruar gjithçka ka thënë për ministrin, kurse të akuzuarin tjetër përpiqet ta kopjojë deri në detaje: hipën në kabinën e zetorit njëlloj si ai, por ndryshe prej tij, vetëm i shtrëngon dorën shoferit të zetorit, sepse nuk di ta lëvizë atë nga vendi. Tani, me gjithë Damirin nga Zemuni do të rreket të flasë sërish për luftën e jetës së tij. Por ky avaz i vjetër e qesharak që përmend litarin pikërisht në shtëpinë ku i varuri ndodhet ende në trarë, mund të bëjë për të qeshur vetëm të qeshurin Lulëzim Basha. Dhe ky për forcë zakoni. Dhe ky vetëm për pak kohë. Më pas me të parë dhe me të bërë. Ai është qytetar evropian i pasur. Mund të shkojë sërish në Roterdam dhe të bëhet punonjës i ndonjë banke aty, për shembull në sektorin e mbikëqyrjes së transfertave financiare. Ose të rriskut. Sepse rrisku po i vërtitet gjithë familjes që jeton në Tiranë, por shtrihet deri në zemër të Zemunit. Me Zemuntarë dhe zullumqarë.