E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ish-polici: Si na vranë kolegun në pritë

 

Armand Bajrami

“Më ka vdekur në dorë Gjon Paçuku. Më mirë se unë nuk e di askush atë histori”. Me këto fjalë ka nisur rrëfimin e tij përpara togave të zeza Bardhok Jaku, një prej 7 policëve që ranë në një pritë të armatosur në qershor të vitit 2000, ku u vra një dhe u plagosën tre të tjerë. Në seancën e djeshme në Gjykatën për Krimet e Rënda në ngarkim të Dritan (Ndoit) Syziut, Nikoll Syziut, vëllezërve të tij Bardhok, Tom Syziut, si dhe Tom Gjokës e Arjan Reçit, anëtarët e të ashtuquajturës “banda e Mirditës”, u dëgjuan dëshmitarët e thirrur nga pala e akuzës. Për ngjarjen ku vdiq polici Gjon Paçuku dhe u plagosën tre të tjerë, kanë dëshmuar vëllai i viktimës, Frank Paçuku, si edhe dy prej të plagosurve të pritës, Bardhok Jaku dhe Igli Prenga. Sipas prokurorisë mbrëmjen e 28 qershorit 2000 të pandehurit u përplasën më policinë, teksa ishin duke grabitur me armë në ish-SMT-në e Rrëshenit.
DESHMIA
Me një zë të fortë dhe të qartë, duke bërë ndalime herë pas here, Bardhok Jaku ka risjellë edhe njëherë përpara trupit gjykues gjithçka ka ndodhur në 28 qershor të vitit 2000 në portën e ish-SMT-së së Rrëshenit. “Unë u betova që do them të vërtetën, këtë detaj nuk e kujtoj dot saktë”, theksonte ai gjatë dëshmisë kur ndonjë moment nuk i kujtohej. Ish-polici tregoi ngjarjen në të cilën ka rrezikuar edhe jetën e tij. “Ishte qershor i vitit 2000. Kishim shërbim 24 orë. E kishim marrë turnin në orën 08:00 dhe do ta dorëzonim pas 24 orësh. Në turn përveç meje ishin Gjon Paçuku, Ndue Çupi, Igli Gjoni, Dritan Mjeshtri, Preng Tuci dhe Nikollë Marku. Ishim në komisariat kur na lajmëruan se tek parkingu i Ndue Kaçorrit ka grabitje. Ishte ora rreth 02:00. U nisëm shumë shpejt drejt vendit të lajmëruar. Lëvizëm me fugonin “Volswagen” të policisë dhe makina ndaloi paralel me portën e parkingut. Tek dera e parkingut na doli përpara roja Preng Kaçorri. Për shumë pak sekonda ai na shpjegoi se brenda në parking ndodheshin disa persona të maskuar dhe të armatosur. Ai ishte kërcënuar të largohej prej aty. Nga ana tjetër fliste e shoqja e tij, pasi roja jetonte tek godina përballë hyrjes së parkingut. Ajo çirrej me zë të lartë dhe na thoshte: Mos u hidhni se do ju vrasin. Ne zbritëm në një formë të paorganizuar. U futem tek porta. Në ato momente unë pashë një person me maskë në brendësi të parkingut. Qëllova rreth 4 herë në formë breshërie më automatikun që kisha në dorë në formë paralajmërimi për të. Ai nuk u ndal, por u fut prapa murit të rrethimit. Në këto momente një tjetër koleg i yni thërriti të largoheshim, pasi ishte hedhur një granatë drejt nesh. Unë e pashë me sytë e mi granatën duke u rrotulluar përpara meje. Vrapova për t’u larguar dhe të hidhesha barkas, por shpërthimi më zuri në këmbë. Dy cifla të granatës më plagosën në shpatull dhe në këmbë. Pastaj pati edhe breshëri automatiku drejt nesh. Dëgjova fjalët e Gjonit: “Jam plagos, jam plagos”. Iu afrova pa marrë parasysh rrezikun, që më kanosej nga plumbat dhe e gjeta të mbytur në gjak më fytyrë përmbysur. Ishte vetëm 2 metra larg vendit të shpërthimit dhe ishte dëmtuar rëndë. Nuk fliste. Qitja u ndërpre shumë shpejt. Pranë meje erdhi edhe Ndue Çupi. Për ta ngritur Gjonin në makinë e kapa nga rripi i pantallonave, pasi duart më rrëshqisnin nga gjaku. E hipëm në furgonin e policisë dhe u nisëm për në spital. Shpërthimi i kishte shkatërruar tre goma të makinës dhe kemi arritur si varkë në spital. Kur arritëm mjeku na tha që Gjoni kishte vdekur dhe se nuk mund të kthehej më në jetë”. 

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›