Biznesi, klienti i preferuar i bankave
Biznesi vazhdon të mbetet klienti i preferuar i bankave. Sipas të dhënave më të fundit nga Banka e Shqipërisë, kredia për ekonominë gjatë shtatë muajve të parë të vitit 2008 ka vijuar të rritet me një normë vjetore mesatare prej 45.5 për qind, duke arritur në 34 për qind ndaj PBB-së. Sipas BSH-së, normat e rritjes së kredisë kanë ndjekur përgjithësisht prirjen rënëse të prej më shumë se dy viteve, me përjashtim të muajve qershor dhe korrik, në të cilët u regjistruan norma rritjeje më të larta se në muajt paraardhës. Gjatë 7 muajve të parë të vitit 2008 kredia në valutë përbën rreth 72 për qind të portofolit të kredisë, ose rreth 2 pikë përqindje më shumë se mesatarja për vitin 2007. Kredia për sektorin privat shënoi një rritje vjetore mesatare prej 41 për qind, për shtatë muajt e parë të vitit. Kontributin kryesor e ka dhënë kredia për biznese, ku spikasin sektorët e tregtisë, të ndërtimit dhe të industrisë, të cilët thithin rreth 77 për qind të këtij klasifikimi.