E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në SHBA dhe Berisha

Eduard Zaloshnja 

Që prej fillimit të emigracionit shqiptar drejt SHBA-së, diaspora jonë  nuk ka patur ndonjëherë rastintë bëhet faktor i rëndësishëm në zgjedhjet presidenciale amerikane. Madje, ajo nuk arriti të luajë ndonjë rol të ndjeshëm as në zgjedhjet e vitit 2000, kur, në shenjë falënderimi për çlirimin e Kosovës, përkrahu në mënyrë masive pasardhësin e Presidentit Klinton. Në një vështrim të parë, kjo paaftësi e diasporës shqiptare për të ndikuar në zgjedhjet presidenciale amerikane mund të shpjegohet me peshën e vogël specifike të saj, krahasimisht me diasporat e tjera në SHBA. Por, nga një analizë më e thellë e sistemit elektoral amerikan, rezulton se ky shpjegim nuk është i plotë.
Në ndryshim nga shumë republika presidenciale, zgjedhja e presidentit në SHBA nuk bëhet drejtpërdrejt nga populli, por nga një kolegj elektoral me 538 përfaqësues të shteteve të ndryshme të federatës. Në vartësi të popullsisë së çdo shteti përcaktohet edhe numri i përfaqësuesve në kolegjin elektoral. Dhe çdo katër vjet, të martën e parë të nëntorit, votuesit amerikanë i drejtohen kutive të votimit për të përcaktuar se kush nga kandidatët presidencialë do ketë të drejtën të caktojë përfaqësuesit e vet nga secili shtet për në kolegjin elektoral. Kështu, p.sh., në qoftë se njëri nga kandidatët fiton qoftë edhe me 0.1% diferencë në shtetin e Pensilvanisë, ai ka të drejtë të emërojë të 21 përfaqësuesit elektoralë që i takojnë atij shteti.
Si rezultat i kësaj specifike të sistemit elektoral amerikan, rezultati i zgjedhjeve presidenciale shpesh përcaktohet në ato shtete ku balanca e votave është pothuajse në baraspeshë. Kjo, ngaqë shtetet e tjera janë paraprakisht të ditura se nga cili kandidat do anojnë. Dhe fati i diasporës shqiptare e ka dashur që ajo të ketë qenë e përqendruar pikërisht në shtete si këto të fundit. Por këtë vit, duket se fati po i buzëqesh më së fundi edhe diasporës shqiptare. Njëri nga shtetet që ka përqendrim relativisht të madh shqiptaro-amerikanësh, Pensilvania, duket se do të luajë një rol përcaktues në zgjedhjet e ardhshme presidenciale. Sondazhet parashikojnë që një diferencë e vogël votash mund të vendosë fitoren në këtë shtet, e për rrjedhojë, t’i hapë rrugën fitimtarit për në Shtëpinë e Bardhë.
Duke qenë në dijeni të kësaj situate, shqiptaro-amerikanët e Pensilvanisë mund t’i bëjnë presion shtabeve elektorale të të dy kandidatëve presidencialë në lidhje me politikën që ndjek administrata amerikane ndaj qeverisë shqiptare. Konkretisht, ata mund t’i kërkojnë që t’i shkohet deri në fund hetimeve të Gërdecit dhe lidhjeve të boshnjakut Fazlliç me qeveritarët e lartë shqiptarë. Këto përpjekje të shqiptaro-amerikanëve të Pensilvanisë mund të hapin perspektivën që akuzat e opozitës shqiptare ndaj Berishës të bëhen një faktor elektoral në zgjedhjet presidenciale amerikane.
Se sa të suksesshme mund të jenë përpjekjet e shqiptaro-amerikanëve të Pensilvanisë, mbetet të shihet. Ndërkohë, deri më 4 nëntor, shumë gjëra mund të ndryshojnë. Kështu, fushata zgjedhore amerikane, e cila është akoma në fillimet e saj, mund të ndikojë që votuesit e Pensilvanisë të anojnë hapur drejt njërit apo tjetrit kandidat, duke e bërë të pandjeshme votën e shqiptaro-amerikanëve të atij shteti - në vitin 2000, p.sh., fati i zgjedhjeve u vendos në Florida, e në vitin 2004 u vendos në Ohajo. Ndërsa një mundësi tjetër është që grupe etnike më të fuqishme në Pensilvani të organizohen për çështje që lidhen me vendet e tyre të origjinës, duke e eklipsuar kështu diasporën shqiptare të atjeshme.
Në qoftë se asnjëra nga këto dy gjasa nuk materializohet, mbetet të shihet se sa të aftë do të jenë shqiptaro-amerikanët e Pensilvanisë të organizohen dhe artikulojnë mirë kërkesat e tyre. Për këtë, mund t’iu vijnë në ndihmë kundërshtarët politikë të Berishës nga Shqipëria, të cilët, privatisht, mund t’iu ofrojnë materiale rreth aferave të mundshme të kryeministrit. Një ndihmesë mund të japin edhe gazetat anti-Berisha, të cilat mund t’i bëjnë reklamë faqeve të tyre të internetit në gazetat lokale të zonës metropolitane të Filadelfias (zona me përqendrimin më të madh të shqiptarëve në Pensilvani).
Jashtë rrjetës së probabiliteteve të gjërave që mund të ndodhin në Pensilvani, ekziston edhe probabiliteti që fati i zgjedhjeve presidenciale amerikane të vendoset para zhvillimit aktual të votimit atje. Në atë rast, çështja Berisha nuk do kishte asnjë shans të vlente si kartë elektorale në SHBA, duke i hequr kështu diasporës shqiptare shansin që, për të parën herë në historinë 230-vjeçare të zgjedhjeve presidenciale amerikane, të bëhej edhe ajo një faktor përcaktues i rezultatit të tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›