Në gjyq infermierja, paralizoi 8-vjeçaren
TIRANE – Mjekimi i pakujdesshëm ka dërguar para togave të zeza një infermiere, ku sipas organit të akuzës ajo është bërë shkak për paralizimin e një vajze, tashmë 8-vjeçare. Ngjarja për të cilën akuzohet infermierja F. Agastra ka ndodhur në shtator të vitit 2006, kur fëmijën atëherë 5 vjeçe, gjyshja e dërgon në urgjencën e QSUT-së për shkak të temperaturës së lartë. Pasi e viziton mjeku urdhëron injektimin e një medikamenti për të ulur temperaturën, për të cilën ngarkon infermieren për ta bërë këtë. Por siç duket, infermierja nuk ka treguar kujdes duke bërë që pak çaste më pas vajzës t’i nxihej krejt këmba dhe brenda pak minutash të mbetej e paralizuar, gjendje në të cilën ka mbetur aktualisht. Seancën e kaluar të procesit para gjykatës u pyeten ekspertë mjeko-ligjorë, të cilët pohuan se pas këqyrjes së vajzës është vërejtur fakti i imitimit përfundimtar të nervit të këmbës. Sipas tyre, infermierja kishte zgjedhur një zonë të gabuar për të injektuar medikamentin në këmbën e vajzës së mitur. Kësaj i shtohet edhe fakti që ilaçi i përdorur krijon ulje të menjëhershme të temperaturës dhe shkaktonte paralizë, ndaj për pasojë përdoret në mënyrë të kufizuar. Pas krijimit të këtij defekti gjyshja e ka dërguar mbesën në pediatri, ku pas analizave dhe kontrollit shtrohet për 10 ditë nën trajtimin e masazheve, por pa mundur të riparohet. Tashmë infermierja e paditur në gjykatë mban qëndrim mohues ndaj akuzës, ndërsa prokuroria pohon se ajo ka konsumuar elementë të veprës penale të “mjekimit të pakujdesshëm”, për të cilën rrezikon një dënim deri në dy vite burg nëse gjendet fajtore nga togat e zeza. fa.ma.