Arresti te Krimet e Rënda, trafikoi 44 klandestinë nga Shqipëria në Itali
VLORE – Gjykata e Krimeve të Rënda caktoi masën e sigurisë “arrest me burg’ ndaj Dilaver Hajdinit, 42-vjeçarit të akuzuar për trafikimin e 44 klandestinëve nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Vendimi i Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë është marrë me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila ka marrë në hetim dosjen e 42-vjeçarit, që u arrestua në Vlorë tri ditë më parë nga policia lokale. Për shkak të implikimit të tij në një krim që bën fjalë për trafik të paligjshëm ndërkombëtar dosja ndaj Dilaver Hajdinit do të hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. I akuzuari, lindur në Burrel dhe banues në Vlorë, kërkohej për veprën penale të trafikut të qenieve njerëzore. Kjo akuzë i referohet ngjarjes së ndodhur më 11 janar 2008, për të cilën i dyshuari besohet se ka organizuar udhë-timin me gomone të 44 personave në drejtim të Italisë. Hetimet e policisë dhe Prokurorisë kanë zbardhur itinerarin e përshkuar nga klandestinët, që ishin organizuar të udhëtonin me gomone nga Dilaver Hajdini dhe disa bashkëpunëtorë të tij. Policia tha se grupi i klandestinëve është nisur nga plazhi i Patokut në drejtim të Italisë me gomone. Pasi kanë përshkuar brigjet shqiptare dhe kanë zbritur në bregun italian klandestinët janë kapur dhe gomonia që i transportoi është sekuestruar.