E Shtunë, 31 Tetor 2026

Intervista djallëzore e mikut tim Namik Dokle

 

Gjergj Koja

Në fakt e mora me shumë interes intervistën e Namik Dokles tek gazeta “Panorama”, për ta lexuar, jo vetëm se kemi qenë miq të mirë në PS prej shumë vitesh (në opozitë e në pozitë), por edhe sepse ai kishte kohë që kishte humbur publikisht.
Me thënë të drejtën, u zhgënjeva, jo sepse prisja që ai të shprehej siç dëshiroja unë, por sepse ai nuk kishte shkruar si Namik Dokle. E kishte ngarkuar intervistën me shumë djallëzi, e cila nuk bën gjë tjetër veçse e rëndon situatën tek partia e Ramës. Nuk ka dyshim që është një intervistë fund e krye kundër PS-91. Në të vërtetë kjo më gëzon, pasi paskemi qëlluar në shenjë. Megjithatë sa për sqarim:
Djallëzia e parë e madhe drejtohet kundër Fatos Nanos, me të cilin, pasi ironizon se duhet të presë kohën e duhur për t’u bërë president (pra në 2007, sipas Namikut, ishte shumë më mirë të bëhej president Bamiri sesa Fatosi), kërkon t’i kundërvërë Nanon pikërisht socialistëve të PS-91-shit për të dekurajuar shumë socialistë që vazhdojnë me të drejtë ta duan e ta vlerësojnë Nanon. A thua Namiku do t’ia hedhë Nanos kësaj radhe? Po kur e dashke Nanon president, pse nuk hodhe firmën tënde të deputetit për kandidaturën e tij vjet mor zotëri?
Djallëzia e dytë e madhe lexohet kur Namiku përmend disa emra socialistësh, për t’i mbushur mendjen lexuesit se socialistët e vjetër dhe të vërtetë janë te godina e Ramës dhe jo te PS-91. Edhe kjo djallëzi tingëllon shumë përçarëse. Ti Namik përmend vërtet aty Moikom Zeqon, por a ke pyetur Moikomin ç’mendon për Ramën? Ti përmend vërtet Bardhyl Agasin, por pse nuk shqetësohesh fare kur Bardhyl Agasin e lënë në fund te sallës së mbledhjeve të PS së Qarkut të Durrësit, edhe pse Bardhyl Agasi është kryetar i Asamblesë së Qarkut??!! Pse nuk e kujtove ti tre vjet ku ushqehej Maqo Lakrori?? Sa për Gramozin apo Kaçin ke të drejtë...
Po ti miku im Namik, meqë je vërtet një socialist i vjetër dhe me përvojë në PS, duhet të kishe kurajon të përmendje shumë emra të tjerë, si Petro Koçi, Halil Lalaj, Rexhep Meidani, Afërdita Stefani, Luan Hajdaraga, Luan Rama, Majlinda Keta, Makbule Çeço, Sokrat Ikonomi, Enver Reçi, Paqësor Zeneli, Tare Hamo, Marika Çakerri, Jetnor Hysolli, Lekë Çukaj, Kolë Malaj, Gëzim Podgorica dhe shumë e shumë figura të tjera të spikatura socialiste që e njohin mirë PS-në e vitit 1991 dhe që sot kanë gjetur veten pothuajse të gjithë tek “PS-91”.
Pra, jo kaq cinik me shokët e tu Namik!
Dhe së fundi, i dashur Namik:
Mos ki frikë, se në çdo kohë ti nuk mund të krahasohesh me Çim Hysën, prandaj mund të votohesh kudo;
Nuk të shkon ty të krahasosh Ilir Metën me një fabul për bretkosën;
Po të më dëgjosh mua, ti duhet të shqetësohesh shumë, por shumë ama, pse kryetari yt që ti paske filluar ta quash lider, nuk po guxon as edhe një herë të vetme t’i kërkojë dorëheqjen publikisht Kryeministrit Sali Berisha!
Respekte miku im,
Gjergj Koja
Sekretar i Marrëdhënieve me Publikun
PS-91

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›