E Diel, 1 Nëntor 2026

Katër vjedhje me çelësa kopilë brenda ditës, policia në alarm

 

TIRANE - Vjedhjet me çelësa të kopjuar, alarmojnë policinë e kryeqytetit ndërsa pak ditë më parë, blutë ndaluan një superhajdut që vepronte në këtë mënyrë. Të dielën, policia ka regjistruar disa vjedhje të njëpasnjëshme në disa zona të Tiranës, duke shkaktuar dëmtimin e dy dyqaneve, një lokali lojërash fati dhe një garazhi në rrugën “5 Maji”. Në të katër rastet e vjedhjeve të regjistruara nga policia, krimet janë realizuar pa thyerje, duke bërë që policia të hedhë sytë tek njerëz profesionistë në këtë kategori vjedhje. Vjedhja e parë është regjistruar në rrugën “Ferit Xhajko”, pranë restorant Durrësit, ku persona të panjohur kanë thyer një supermarket, duke vjedhur një sasi parash si dhe rreth 10 steka paketash. Policia pasi ka mbërritur në vendin e ngjarjes dhe ka kryer veprimet e saj, ka mundur të mbledhë prova që sipas saj, hedhin dritë drejt autorëve të mundshëm të vjedhjes. Pas ngjarjes policia ka shoqëruar disa persona të lagjes të njohur prej saj si elementë të njohur kriminalë, por pas marrjes së tyre në pyetje janë lënë të lirë. Vjedhja e dytë, ka ndodhur në rrugën “5 Maji”, ku në një garazh të mbyllur me qepena, janë vjedhur dy motorë me kubikë të vegjël. Edhe në këtë rast sipas burimeve të policisë, vjedhja është realizuar duke hapur qepenat e garazhit me çelës, dhe më pas autorët janë larguar qetësisht. Ndërkaq gjatë natës së të shtunës kur po gdhihej e diela, në afërsi të porcelanit, është vjedhur një lokal lojërash fati. Autorët kanë marrë nga lokali tre televizorë, plazma 20 polesh si dhe një sasi të vogël parash. Policia ka ngritur dyshimet e para se autorët e mundshëm të saj mund të jenë njerëz, që mund të kenë humbur para në këtë pikë lojërash, apo edhe vjedhës të rëndomtë. Ngjarja e fundit për të cilën është angazhuar policia ka qenë një banesë, për të cilën policia ka një person të dyshuar, ku është vjedhur një sasi prej rreth 15 mijë lekësh. Pak ditë më parë, policia arrestoi një superhajdut banesash, të cilit iu gjetën me vete një tufë çelësash.                 d.b

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›