E Diel, 1 Nëntor 2026

A do votoni PS-ne

Derë më derë, fushatë në rrugë, autobus, lokale e në mjedise publike. E re dhe e pazbatuar më parë këtu në Shqipëri, por një praktikë e njohur në Evropë e sidomos në Amerikë. Partia Socialiste ka përveshur mëngët për të gjetur të gjitha mënyrat e “rekrutimit” të njerëzve apo thithjes së mendimit të tyre në muajt në vijim. Rezultati: PS-ja kërkon të ketë një ide më të qartë se çfarë e pret në zgjedhjet e përgjithshme të 2009-ës. Fushatat elektorale amerikane, veçanërisht ato presidenciale, bazohen tek puna e vullnetarëve e në rastin e zgjedhjeve të fundit, puna e vullnetarëve ishte një faktor i rëndësishëm për fitoren e Obamës. Këtë strategji do të ndjekë edhe PS-ja për të arritur deri te fitorja. Është “kopje”, por selia rozë duket se ia ka dalë më së miri. Për t’ia arritur qëllimit, ashtu si Obama, ka vendosur të ndjekë has pas hapi elementë tipikë të fushatës së Presidentit amerikan. Kështu, PS-ja prezantoi dje rrjetin e vullnetarëve, që nuk ndryshon shumë nga grupet e vullnetarëve e fushatës së Barak Obamës në mënyrën se si është bërë formatimi, pavarësisht punës që ata do të bëjnë në terren. Grupi i vullnetarëve përbëhet nga të rinj të FRESSH-it, fondacionit “Qemal Stafa”, të Forumit të Gruas, shoqërisë civile. Detyra e tyre është përhapja e mesazhit të kësaj partie, por edhe organizimi i një sondazhi përmes një formulari tip. Duke ndaluar njerëz në çdo mjedis publik, vullnetarët do të kërkojë plotësimin e këtij formulari i cili përmban disa pyetje, mes të cilave edhe performancën e Partisë Socialiste e të liderit të saj. Konkretisht, formulari mban pyetje të tilla si ç’mendojnë për Edi Ramën dhe PS-në, për kë do të votojnë: për PD-në apo për PS-në etj. Në fund, çdo person ka të drejtë të vendosë nëse pranon të bëhet vullnetar i PS-së, duke lënë mundësi kontakti si adresë e-mail-i apo numër telefoni. Të paktën në pamje të parë nuk ndryshon shumë nga ajo që bëjnë shumë kompani që kërkojnë të shesin produktet e tyre: të dalësh derë më derë apo të telefonosh shtëpi më shtëpi për të bindur të blejnë produktin e tyre. Në këtë rast, vullnetarët e PS-së duhet që jo vetëm të bindin të japin votën pro PS-së, por edhe të identifikojnë të lëkundurit. Së bashku me prezantimin e rrjetit të vullnetarëve, PS-ja filloi de facto fushatën elektorale për zgjedhjet e ardhshme. Në takim merrnin pjesë kryetari i PS-së, Edi Rama, drejtues të tjerë, si Valentina Leskaj e Blendi Klosi, si dhe Saimir Tahiri e Ajola Xoxa, mjaft aktivë në organizimin e rrjetit të vullnetarëve. Madje për herë të parë, Rama artikuloi premtime konkrete, tipike për fushata elektorale. Edi Rama garantoi se me ardhjen në pushtet të PS-së do të garantohet liberalizimi i vizave. Ndër të tjera, ai premtoi se në qeverisjen e majtë "do t’i bëjmë gjimnazet dhe universitetet hapësira të konkurrencës. Së bashku do garantojmë ushqimin normal të familjeve duke normalizuar çmimin. Nuk do të lëmë fshatin në mëshirë të fatit. Do të ulim papunësinë, do rrisim arsimin profesional, do rrisim dritën e shpresës tek të gjithë shqiptarët". Rama sulmoi qeverinë aktuale dhe Berishën për korrupsion dhe fajtore për regres të vendit. "Këto vitet e fundit tregojnë qeverisjen më të keqe të diktatit të korrupsionit, sepse në krye kanë Berishën që në 2009-ën do të zbresë nga drejtimi i vendit për shkak të punëve të tij të pista". Në fund të fjalës së tij kryesocialisti deklaroi se "është koha që asnjë qytetar të mos kthejë shpinën nga politika e politikanëve, që askush të mos kursehet për t’i dhënë politikës përmasën e ëndrrave të reja, është koha për politikën e qytetarëve për qytetarët, me qytetarët".

Kodheli: Kryeministri po përdor Metën për diversion

Partia Socialiste reagoi dje pas deklaratës së Kryeministrit Berisha që kjo parti të hyjë në negociata me LSI-në dhe Kodi të bëhet gjithëpërfshirës. Zëdhënësja e kësaj partie, Mimi Kodheli, tha dje se Kryeministri vazhdon të jetë i dyfytyrë, ndërsa konsideroi se po përdor Ilir Metën për diversion ndaj PS-së. “Nuk na çudit fare shfaqja e dyfytyrësisë së radhës që Sali Berisha dha sot duke i qarë hallin Ilir Metës. Në derexhenë ku është katandisur Kryeministri, Iliri është vërtet shpresa e fundit që i ka mbetur për të spostuar vëmendjen e opinionit publik nga skandalet e tmerrshme të korrupsionit qeveritar”, - tha ajo. Edhe një herë ajo rikonfirmoi qëndrimin e PS-së për të mos hyrë në negociata me LSI-në për kërkesat e saj. “Përgjigja jonë është e thjeshtë: Parlamenti duhet të votojë pa humbur kohë vetëm për dekretin e Presidentit. Të tjerat janë politikë e vjetër kulisash e diversionesh që Saliu dhe Iliri mund të vazhdojnë t'i bëjnë me njëri-tjetrin”, - tha Kodheli.

Meta: Kodi, pres akoma reflektimin e Ramës

Kryetari i LSI-së, Ilir Meta, i bëri thirrje dje kryesocialistit Edi Rama që të reflektojë për të sanksionuar standardet e duhura në Kodin Zgjedhor.

Ai tha se është ende në pritje të një përgjigjeje zyrtare të PS-së, skundër ka qenë edhe ftesa e tij për takim. “Ftesa ime ndaj zotit Rama, e cila ka qenë zyrtare dhe nuk ka qenë për mediat, por ka qenë për të, si kryetar i Partisë Socialiste, mbetet e hapur, sepse unë ende nuk kam marrë një përgjigje zyrtare dhe unë besoj në reflektimin e tij, se unë u jam përgjigjur të gjitha ftesave të tij, sikurse ju e dini”, - deklaroi Meta. Edhe pse publikisht, gjatë një debati televiziv, Rama ka refuzuar të takojë Metën për Kodin Zgjedhor, Meta u shpreh se beson ende tek reflektimi i ish-aleatit të tij. “Unë nuk kam asnjë arsye që të paragjykoj në mënyrë përjashtuese. Çdo njeri, çdo forcë politike reflekton dhe unë nuk dua të besoj se ata kanë humbur aftësitë reflektuese”, - tha Meta.

Ndërsa në lidhje me deklaratat e Kryeministrit Berisha,i cili i kërkoi sërish dje Edi Ramës që të hynte në dialog me LSI-në, Meta tha se “nuk besoj se Berishës i qan zemra vërtet për zgjedhje të lira apo për LSI-në. Unë jam i bindur që Berisha, së pari e ndien kontestimin e gjerë brenda vendit, jo vetëm të faktorëve politikë, por edhe të shoqërisë civile, që duket qartë se ky debat veçse dëmton procesin e ardhshëm zgjedhor, ende pa nisur akoma, ende pa hyrë Kodi në fuqi”.

Braçe: Ligji për dosjet, asgjë nga modeli çek

Socialistët akuzuan dje mazhorancën se mashtron kur thotë se për ligjin e dosjeve ka marrë për shembull modelin çek. Sipas nënkryetarit të grupit parlamentar të PS-së, Erion Braçe, Berisha gënjeu kur tha që ligji i tij ishte binjak më atë çek. “Në origjinalin çek nuk ka asnjë germë për prokurorë e gjykatës. Berisha gënjeu kur tha se pastrimi i drejtësisë prej gjykatësve e prokurorëve politikë ka qenë qëndrimi i tij i hershëm. Faktet tregojnë qartazi:

Në ligjin e ‘95-ës ai flet për prokurorë e gjykatës pjesëmarrës në gjyqe politike speciale, një status i veçantë ky. Në ligjin e ‘97-ës, ai vetë përjashtoi gjykatësit e prokurorët nga qëllimet e këtij ligji”, - deklaroi Braçe. Numri dy i grupit parlamentar theksoi se “mungesa e reflektimit nuk dëshmon vetëm kokëfortësinë folklorike të Sali Berishës, as vetëm padijen e veshur në të zeza të Jozefina Topallit, as tmerrin nga transparenca mbi errësirën e një mazhorance peng i së shkuarës, por tregon qëndresën jetike të të gjithëve bashkë, në qëllimet antikushtetuese, kriminale, të dhunimit të ligjit dhe pengimit të drejtësisë për familjen Berisha”.

Beqja: Qeveria, asnjë qindarkë për të përndjekurit

Nënsekretari për programin e Partisë Socialiste, Ilir Beqja, tha dje se për të tretin vit radhazi qeveria nuk shpenzon asnjë qindarkë për të përndjekurit.

Sipas tij, të dhënat zyrtare dëshmojnë se për periudhën 11-mujore, qeveria e Sali Berishës nuk arriti të shpenzonte asnjë qindarkë për të kompensuar të përndjekurit politikë. “Nuk arriti të shpenzonte asnjë qindarkë nga 650 milionë lekë të miratuar nga Kuvendi për vitin 2008. Ashtu siç nuk arriti të shpenzonte asnjë qindarkë nga 400 milionë lekë të miratuar nga Kuvendi për vitin 2007. Ashtu siç nuk arriti të shpenzojë asnjë qindarkë nga 400 milionë lekë të miratuar nga Kuvendi për vitin 2006”, - tha Beqja. Ai deklaroi se në të tri vitet së bashku asnjë prej 17 500 të përndjekurve në Shqipëri nuk mori prej qeverisë së Sali Berishës asnjë qindarkë nga 16 milionë USD të vënë në dispozicion nga buxheti i shtetit. “Me paratë e të tri viteve së bashku mund të kompensoheshin 2000 vite burgu ose 4000 vite internimi. Me paratë e vitit 2008 mund të kompensoheshin 890 vite burgu ose 1780 vite internimi”, - përfundoi Beqja.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›