E Hënë, 2 Nëntor 2026

A duhen ulur kontributet e sigurimeve

25/04/2005  Institucionet ndërkombëtare e rekomandojnë me forcë këtë. Zyrtarët e lartë të vendit sugjerojnë ende pritje deri në “pjekje të kushteve”. Informaliteti i lartë shaku iI pensioneve qesharake.

Shkalla e lartë e evazionit në pagimin e kontributeve të sigurimeve shoqërore ,është kthyer për Shqipërinë në një shqetësim të madh. Institucionet ndërkombëtare, disa herë me radhë lëshojnë alarmin për rrezik. Madje në një studim të kohëve të fundit për skemat e sigurimeve shoqërore në rajon, të realizuar nga ekspertë të FMN theksohet qartë se, me nivelin e mbledhjes së të ardhurave, skema është në rrezik. Në këto kushte, pas rreziqeve që kanosen vijnë edhe rekomandimet. Së pari, ajo që duhet të bëjë shteti është ulja e masës së kontributit që paguajnë qoftë punëdhënësit e qoftë punëmarrësit. Argumentimi i këtij rekomandimi bëhet me faktin se, nëse do të ulet kjo masë, njerëzit do të jenë më shumë të interesuar që të përfshihen në skema. Të njohur me këtë kërkesë, jo rastësisht përfaqësuesit e biznesit në kërkesat e tyre për paketën fiskale 2006, pretendojnë që qeveria të ulë kontributin për punëmarrësit nga 32 për qind në 25 dhe, për punëmarrësit nga 10 në 5. Po sa shanse ka që kjo kërkesë të merret parasysh?...

ISSH

“Ne kemi dalë në konkluzionin se duhet patjetër që të ketë një ulje të shkallës së kontributit, duke u bazuar edhe në të dhënat e studimeve të bëra për informalitetin, thotë Ilir Beqja drejtor i ISSH”. Sikur gjithçka të mbyllej me këtë fjali, gjithçka do të ishte në rregull. Por Beqja shton se, kjo është e pamundur për këtë vit dhe për vitin që vjen. Arsyeja është se ata që mbledhin taksën ( që nga mesi i viti të kaluar mbledhja bëhet nga tatimet) ende nuk e kanë konsoliduar projektin. Pra, pengesa janë tatimorët. Qeveria e ka në plan afatmesëm që ta bëjë diçka të tillë, shton Beqja, i cili nga ana e tij nuk është i sigurtw se ulja e taksës mund të sjellë efekte pozitive. “E kemi bërë diçka të tillë në vitin 2002, thotë ai, por ndonëse taksën e ulëm me rreth 7 për qind, nuk patëm në atë kohë ndonjë efekt pozitiv”. Sigurisht që efekte pozitive nuk mund të priten sa kohë mungon vullneti dhe puna konkrete për të mbledhur taksën. Tani që ajo vilet nga tatimet, shtohen shpresat por nga ana tjetër, ministri i financave, i nxori gati gjysmat e tatimorëve të paaftë. Në këtë kuptim, shanset për përmirësime, edhe këtu janë të pakta. E vetmja rrugë mbetet stimulimi i njerëzve për të paguar e sa kohë që taksa nuk ulet, është shumë e vështirë të besohet se kjo do të ndodhë. Ky nuk është një përfundim i rastësishëm pasi, atë e përsërisin institucionet më të rëndësishme ndërkombëtare.

FMN, skema në rrezik

Shqiptarët janë të shtrënguar me ligj, që të paguajnë kontributin për sigurimet shoqërore më të lartë ndër vendet e Evropës. Ky fakt i rëndësishëm, është zyrtarizuar edhe në studimet e Fondit Monetar Ndërkombëtar. Studimi për pensionet, duket se është edhe një përgjigje përfundimtare dhe e specializuar për dilemën fallco, të ngritur nga specialistë të dy anëve politike shqiptare. Por nuk mjafton vetëm ky fakt. Studimi sjell edhe një shifër tjetër pesimiste. Ndonëse kemi nivelin më të lartë zyrtar të kontributit që duhet derdhur në këmbim të një pensioni të ardhshëm, buxheti i shtetit përfiton shumë pak, sipas studimit vetëm 3.8 për qind të prodhimit të përgjithshëm kombëtar. Kjo shkallë e ulët veçse është një tregues i qartë i nivelit të lartë të korrupsionit në këtë drejtim, fakt ky i përmendur disa herë, edhe nga të tjera organizata e studime, qw sjell edhe një të keqe tjetër edhe më të madhe. Ekspertët e FMN shprehen qartë se “Mbledhja e kontributeve në nivelin aktual, rrezikon qëndrueshmërinë e skemave sociale në Shqipëri”. Studimi i bën një përshkrim edhe ndarjes së kontributeve dhe masës së tyre. Kështu, skema në fuqi e sigurimeve kërkon që punëdhënësit të mbajnë kontributet e të punësuarve të tyre nga paga bruto, e më pas ti derdhin ata më llogari të sigurimeve. Kështu, nga 42.5 për qind që është masa e sigurimit shoqëror, 32.5 është kontributi që punëdhënësi duhet të paguajë vetë për të punësuarin, ndërsa 10 për qind duhet të hiqet nga paga e vetë punonjësit. Ndërkohë, këto të fundit duhet të paguajnë edhe 4 për qind të pagës si kontribut për sigurimin shëndetësor. Që të tre treguesit në vlerësimin e FMN, janë më të lartët në Evropë. Dhe ky nivel duket se shkakton edhe probleme në mbledhjen e kontributeve. FMN vlerëson se vetëm rreth 40 për qind e të punësuarve i paguajnë kontributet, dhe se evazioni i lartë, është një dukuri e shpeshtë për sektorin privat. Kështu nga 10 kontribues 4 janë të sektorit publik. Kjo e nxjerr të qartë atë që ndodh në sektorin privat ku si format më kryesore të fshehjes së pagesave të detyruara për tu derdhur, evidentohen mosregjistrimi i punonjësve dhe deklarimi i të ardhurave shumë poshtë nivelit real të tyre. E, ndërkohë që cilësohet si i dobët bashkëpunimi mes enteve regjistruese, shpëtimi aktualisht po kërkohet në kalimin e mbledhjes së të ardhurave në tatime.

OECD

“Nëndeklarimi sistematik i pagave dhe i rrogave është një dukuri e përhapur”. Kështu thuhet fjalë për fjalë në raportin e OECD për ekonominë informale në Shqipëri. Sipas raportit, ky nëndeklarim shumë i përhapur, bëhet duke abuzuar me klauzolën e minimumit të pagës. Kontributi i lartë i stimulon të punësuarit që më mirë të marrin para në dorë, sesa të kontribuojnë në skemën ku pensionet janë minimale. Kështu, skema futet në një rreth vicioz prej së cilës në kushtet aktuale, është vështirë të dilet. Duket se situata është e stimuluar edhe nga shkalla e gjerë e operimit në cash në ekonominë e vendit. “Përhapja e gjerë e përdorimit të pagesës me para në dorë në transaksionet mes kompanive dhe në pagesën e rrogave, nuk lënë asnjë mundësi regjistrimi për inspektorët e taksave të punës”, thuhet në të njëjtin raport. Pasojat që rrjedhin nga situata, sipas raportit, janë tejet negative: regjimi i taksave de fakto, është jooperues në sektorin privat dhe diskriminon punonjësit e sektorit publik, siguria sociale dhe sistemi i pensioneve është i paqëndrueshëm në një periudhë afatmesme dhe tregu i punës është i shtrembëruar dhe jotransparent.

Natyrshëm, pas kësaj analize vjen dhe rekomandimi “Eksperienca e vendeve të OECD sugjeron se është i nevojshëm një reduktim i mëtejshëm i kontributeve të sigurimeve shoqërore nga niveli i lartë i tanishëm dhe nga ana tjetër, të futen insentiva që inspektorët e taksave të jenë të interesuar për ti mbledhur ato”. Pothuaj i njëjti sugjerim si ai i FMN.

Përfundimi

Po tu referohemi shifrave, shumiva e biznesit privat nuk paguan kontribute. Nëse sipas FMN, 4 në çdo 10 kontribues janë punonjës të sektorit publik, nuk është e vështirë të përllogarisësh se, skemat sociale në Shqipëri, mbahen nga 270 mijë të punësuar prej të cilëve 110 mijë janë punonjës të sektorit shtetëror që dashje pa dashje, janë të shtrënguar të paguajnë. Skemës, kështu i humbin gjysma e të punësuarve, po të kemi parasysh që niveli zyrtar i papunësisë në vend vërtitet rreth 15 për qind. Por, sasia e parave që rrjedh, nuk vjen vetëm nga mosregjistrimi i punonjësve i tipit të kompanive të ndërtimit që ndërtojnë pallate me 15 kate ,vetëm me një punëtor të regjistruar. Hileja e përdorimit të dy bilanceve, një për përdorim të brendshëm e një për deklarim të taksave, është e përhapur në të gjitha bizneset. Por, kjo argumenton edhe një herë faktin se deklarimi minimal nuk e rrezikon uljen e masës së taksës, pasi zyrtarët e dinë shumë mirë se në sektorin privat askush nuk preferon të punojë me pagë më të ulët se 20 mijë lekë. Këtë e dinë edhe tatimorët, por nuk kanë mundur ta evitojnë. Nga ana tjetër, të presësh që skema e mbledhjes të konsolidohet, do të thotë që të vësh minat në themelet e skemës së pensioneve ose të veprosh ashtu si deri më sot, të shperndash pensione që nuk mbulojnë as faturën mujore të energjisë elektrike.

Tabela

Sigurimet shoqërore në rajo

Vendi Masa e taksës Mledhja e kontributit

(% e pagës) (% e GDP)

Shqipëri 45.9 për qind 3.8 për qind

Maqedoni 30.1 10.7

Bullgari 38.7 7.8

Kroaci 37.2 12.9

Slloveni 38.0 15.5

Rumani 52.5 12.4

Hungari 35.0 12.9

Ceki 47.5 14.8

Burimi FMN

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›