E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet çmitizuar Skënderbeu?

Botimi i monografisë mbi
Skënderbeun i Oliver Jens
Shmitit (Oliver Jens Schmitt)
ka ndezur debatin mbi personazhin
dhe mitin e Skënderbeut. Libri ka
shërbyer si një katalizator i debatit,
si një ngacmim për shpërthimin e
diskutimeve, paçka se pakkush e ka
lexuar deri tani (libri ka afro 500 faqe
pa përfshirë bibliografinë). Nga
çfarë është shprehur në shtyp, ky
libër na jep një Skënderbe "ndryshe",
më "tokësor" sesa Skënderbeu
i deritanishëm, "qiellor" e mitik, të
cilin në përgjithësi e kemi mësuar
prej shkollës, librave, shtypit e nga
burime të tjera. "Skënderbeu" i
Shmitit është paraqitur prej përkthyes-
botuesit dhe të tjerëve si një
çmontim (ose çmitizim) i "Skënderbeut"
mitik të historiografisë shqiptare
dhe kjo ka ngjallur reagime
nga disa intelektualë. Nëse dikush
e mendon këtë studim si një sulm
"të huaj" kundër heroit shqiptar, e
ka gabim. Herë pas here edhe në
letrat shqiptare është shprehur
nevoja për të pasur një jetëshkrim
më "realist", në terma jetësorë, të
heroit tonë kombëtar. P.sh. Qemal
Stafa në hartimet e tij shkollore në
vitet 1930 kërkonte të mësonte më
shumë për "Skënderbeun njeri":
"Skënderbeu fëmi, djalosh, dashurues,
babë fëmijësh. Këtë e lanë në
heshtje jetëshkruesit egoistë të
zatetun kryesisht nga dëshira të na
paraqesin luftëtarin. Janë për t‘u
studjuem çastet e idhnimit, të dëshpërimit,
të fatkeqësivet". Kur lexoja
këto fjalë të Qemal Stafës, në qershor
të këtij viti, mendja më shkonte
te ndihmesa që mund të jepte
Shmiti në këtë drejtim, sepse botimi
i ardhshëm i librit ishte paralajmëruar
në shtypin shqiptar. Në
këtë kuptim, ndihmesa e tij është e
mirëpritur dhe çdo lexues i librit do
të mund të gjykojë vetë për të. Fakti
që Shmiti mund të ketë arritur në
përfundime të ndryshme nga ato të
historianëve shqiptarë, duhet të
përbëjë një sfidë për këta të fundit.
Shkenca, përfshirë historiografinë,
është e hapur, që do të thotë se pranimi,
ose hedhja poshtë e tezave
shkencore varet nga bashkësia e shkencëtarëve
dhe verdikti i tyre nuk
mund të jetë kurrsesi përfundimtar,
por vetëm i përkohshëm. Siç thotë
edhe sociologu Maks Veber (Max
Weber), shkencëtari i mirëfilltë, ai që
ndien një thirrje për shkencën, ia
kushton jetën e tij zbulimit të së
vërtetës, duke qenë i ndërgjegjshëm
se tezat e tij mund të hidhen
poshtë në të ardhmen. Ky
mësim vlen sidomos për shkencat
shoqërore. Tema qendrore e debatit
në fakt ka të bëjë me pyetjen: "A duhet
çmitizuar Skënderbeu?", prandaj
ai është një kthim te debatet e
ngjashme që janë zhvilluar edhe më
parë mbi Skënderbeun pas rënies
së komunizmit. Pra, debati mund të
ishte zhvilluar edhe pa studimin e
Shmitit. Do të gjendej një shkak
tjetër, por pyetja do të ngrihej sërish,
sikurse do të ngrihet edhe në të
ardhmen, sa herë që dikush të ndiejë
dhe të shprehë nevojën për një
Skënderbe më "tokësor". Pra, kemi
të bëjmë me një debat mbi rolin e
miteve, të miteve kombëtare dhe,
specifikisht të miteve të Skënderbeut
në kulturën dhe politikën shqiptare.
Për një palë të debatit,
Skënderbeu duhet çmitizuar, kurse
për palën tjetër, çmitizimi është një
sakrilegj. Duke qenë se po debatojmë
mbi mitet, si një bazë për ndërhyrjen
time do të shfrytëzoj përmbledhjen
që i ka bërë diskutimeve
të deritanishme Fatos Lubonja në
artikullin "Bëhu i ditur që të jesh i
lirë" ("Korrieri", 30.11.2008), sepse
edhe ai debatin e gjykon në këtë
prizëm, të çmontimit ose jo të mitit
të Skënderbeut. Ndërsa pajtohem
në përgjithësi me argumentet e tij,
këtu kërkoj të theksoj se nuk mund
t‘i iket mitizimeve të figurës së
Skënderbeut dhe se mitizimi e çmitizimi
i figurave dhe ngjarjeve historike
janë procese të vazhdueshme
dhe të bashkëshoqërueshme në
kohën moderne.
Për një çast le ta harrojmë Shmitin
dhe Skënderbeun e le të shpjegojmë
ca gjëra mbi natyrën e mitit dhe
mitin kombëtar (në mënyrë të pashmangshme
më duhet të përsëris
atë që kanë thënë të tjerët, prandaj
lexuesi i interesuar për këtë temë le
të drejtohet te numri 15-16 i revistës
"Përpjekja", të redaktuar nga Lubonja,
që u kushtohet miteve kombëtare
shqiptare). Është thënë nga studiuesit
se miti është një rrëfenjë e cila
ka një kuptim të caktuar moral për
një bashkësi njerëzore. Zakonisht, ai
bazohet në një ngjarje historike, por
mund të jetë edhe trillim i mirëfilltë.
Vërtetësia historike e përmbajtjes së
mitit nuk ka shumë rëndësi, për sa
kohë që ai përcjell kumte të caktuara
tek anëtarët e bashkësisë. Pak
rëndësi ka për mitin e Vilhelm Telit,
nëse personazhi ka ekzistuar vërtet
ose jo, sepse vlera e tij qëndron te
kumtet morale që u përcjell zviceranëve
që e rrëfejnë. Pa dyshim që
Shileri është nisur prej kumtit të
sakrificës vetjake në mbrojtje të lirisë
që përcjell ky mit, për të vendosur
që të shkruajë dramën në vargje
"Vilhelm Teli", për ta komunikuar
këtë kumt në një trajtë tjetër artistike.
Sa më e madhe të jetë një bashkësi
njerëzore, sa e më shtrirë në
hapësirë dhe sa më e larmishme që
të jetë ajo, aq më i rëndësishëm
bëhet roli i miteve, që kryejnë rolin e
përfaqësimit të bashkësisë në fjalë
në ndërgjegjen e anëtarëve të saj.
Kjo sepse me anë të miteve ndikohet
te ndërtimi i botëkuptimit të një
bashkësie, të vlerave morale që
kanë të përbashkëta anëtarët e saj.
Ndër bashkësitë më të mëdha në
botë janë ato fetare, anëtarët e të
cilave, pavarësisht nga përkatësia
etnike, kulturore dhe nga formimi i
tyre ideor, së paku besojnë te mite/
rrëfenja të njëjta fetare. Kështu, jeta
dhe mrekullitë e Jezu Krishtit mund
të konsiderohet një mit, sepse forma
e rrëfimit të tyre komunikon
vlera dhe një moral të caktuar. Miti
nuk mohon që Jezusi të ketë ekzistuar
vërtet dhe shkenca mund të
japë shpjegime të tjera mbi mrekullitë
e Biblës. Po kështu, përtej diskutimit
nëse është e vërtetë se profeti
i islamit brenda një nate fluturoi
në Jerusalem, iu fal së bashku me
engjëllin e zotit dhe u kthye sërish te
bashkësia e vet, kumti i këtij miti
është se islami përbën një vazhdim
të feve abrahamike.
Nga sa u tha më sipër, del se miti
i fiton kuptimet e tij me anë të komunikimit.
Studiuesi Rolan Bart
[Roland Barthes] e ka shpjeguar
formimin e miteve si një efekt të
përdorimit konotativ të shprehjeve
gjuhësore. Çdo shenjë përmban aspektin
material dhe atë ideor. P.sh.
kur themi "lis" shqiptojmë fonemat
l-i-s dhe përfytyrojmë një pemë të
caktuar, që është e lartë, jetëgjatë
dhe me dru të qëndrueshëm. Në një
nivel të dytë, atë konotativ, shenja e
lisit shërben për të shënjuar një kuptim
tjetër, si p.sh. në vargun "si lis i
naltë i rrëzuem përdhe". Në këtë rast
krijohet një bashkëpëlqim midis Pashko
Vasës dhe lexuesve të poemës
së tij se kombi shqiptar është një lis,
domethënë ka vetitë që i vishen lisit.
Në këtë kuptim, mund të krijohen
mite të pafundme, pa qenë e
nevojshme që t‘i referohesh historisë,
mjafton kultura e përditshme
moderne. Vetë Barti ka analizuar disa
mite të kulturës franceze të masave
në vitet 1950: mundja keç, pluhuri
larës, lodrat për fëmijë, vera dhe
bifteku, vajzat striptiza, vetura "Citroen"
etj. Kombi, duke qenë se është
një bashkësi e përfytyruar, ka
nevojë për mite. Një ndër studiuesit
më të njohur bashkëkohorë të nacionalizmit,
Entoni Smith (Anthony
D. Smith) ka vënë në dukje se shumica
e kombeve kanë një pjesë ose
të gjithë prej këtyre miteve etnike:
mite të prejardhjes, mite të territorit,
mite të kohës së artë, mite të kohës
së rënies dhe mite të rigjenerimit.
Teza e Smithit është se megjithëse
kombet kanë konstrukte moderne
dhe jo një vazhdim të drejtpërdrejtë
i etnive paramoderne, prapëseprapë
procesi i përzgjedhjes dhe i
krijimit të simboleve dhe i miteve
kombëtare prej elementeve kulturorë
të bashkësive etnike paramoderne
është thelbësor për themelimin
e kombeve. Me anë të përfytyrimeve
të përbashkëta dhe
kumteve morale që përcjellin mitet,
krijohet solidariteti i nevojshëm për
çdo komb që të quhet dhe të veprojë
si i tillë.
Cilët janë krijuesit apo
montuesit e miteve
kombëtare?
Në krijimin e miteve kombëtare,
një rol kryesor luajnë elitat politike
dhe kulturore, por jo vetëm ato.
Edhe masat popullore luajnë një rol
aktiv, duke i përqafuar, refuzuar,
apo harruar mitet. Mit-bërja nuk
mund të jetë e suksesshme nëse
nuk u përgjigjet masave, nëse nuk
korrespondon me imagjinatën dhe
shpresat e popullit. Mitet kombëtare
nuk mund të krijohen në
çdo kohë. Periudha më e përshtatshme
kur mitet kombëtare "ngjisin"
në përfytyrimet masive është
atëherë kur njerëzit gjenden para
sfidave të mëdha dhe kanë nevojë
për modele udhëheqjeje morale e
shpirtërore. Jo çdo personazh apo
ngjarje historike mund të kthehet në
mit, por ata personazhe që ndodhen
në mes të ngjarjeve dramatike,
të cilat rrëfehen në atë mënyrë që
fitojnë një përmasë jashtëkohore
dhe historike. Shembulli i Adem Jasharit,
"Komandantit Legjendar",
është domethënës. Konteksti ishte
dramatik dhe vetë ngjarja e
masakrimit të familjes Jashari përbënte
një tragjedi, e cila, e rrëfyer si
një vetëflijim për hir të kombit, është
kthyer në një mit kombëtar.
Në krijimin e një miti kombëtar
që ka në qendër një ngjarje apo personazh
historik, qëllimisht lihen
jashtë ose nuk theksohen aspekte
që nuk vlejnë për synimet, ose me
kalimin e kohës këta aspekte harrohen
vetvetiu, rrëshqasin nga
kujtesa popullore dhe kujtohet
vetëm miti. Ndodh që këto aspekte
rizbulohen dhe sillen në vëmendjen
e publikut gjatë procesit të
çmontimit të mitit. Një miti të pranuar
gjerësisht, me kalimin e kohës i
shtohen shtresa kuptimore të tjera,
sepse është strategjikisht e volitshme
të investosh politikisht në
mite tashmë të vendosura sesa të
krijosh të reja. Në këtë mënyrë ka
raste kur ka interpretime
kundërvënëse të një miti kombëtar:
ai mund të përdoret nga forcat konservatore
për të ruajtur gjendjen
ekzistuese, por edhe nga forca reformiste
apo revolucionare për ta
ndryshuar të tashmen. Institucionet
shtetërore edhe ato të shoqërisë
civile, luajnë rol kyç në
përhapjen dhe përbrendësimin e
miteve kombëtare, por kjo nuk do
të thotë që çdo mit që ka pas vetes
shtetin do të përbrendësohet për
një kohë të gjatë nga masat. Miti i
Enver Hoxhës si "Komandant" dhe
shpëtimtar i Shqipërisë nuk i
qëndroi dot rënies së komunizmit.
Skënderbeu
Le të vijmë te miti i Skënderbeut.
Kryengritja e Skënderbeut në shek.
XV ishte një dështim. Qëllimi i saj,
qoftë hakmarrje personale, kryqëzatë
apo ruajtja e zgjerimi i zotërimeve
të tij, nuk u arrit. Shumë kohë pas
vdekjes së tij, kujtimi i Skënderbeut
në Shqipëri nisi të harrohej. Kryengritjet
në zonat malore nuk patën sukses
dhe një popullatë që shkallëshkallë
po myslimanizohej nuk kishte
pse të investonte në kujtimin e një
luftëtari të krishterë që i ishte
kundërvënë padishahut. Miti i
Skënderbeut u krijua nga Rilindja
Kombëtare Shqiptare qindra vjet
më vonë vdekjes së tij. Qëllimi i Rilindjes
ishte krijimi i shtetit kombëtar
shqiptar dhe miti i Skënderbeut i
shkonte për shtat: periudha e
Skënderbeut u kujtonte shqiptarëve
ekzistencën e shtetit mesjetar;
Skënderbeu kishte luftuar
kundër Perandorisë Osmane; me
mitin e Skënderbeut si "mbrojtës i
Evropës" mund të kërkohej nëpër
kancelaritë evropiane përkrahje për
të drejtat e kombit shqiptar. Në njëfarë
mënyre, Rilindja Kombëtare e
zbuloi mitin e Skënderbeut nga vetë
shkrimtarët evropianë të Rilindjes
Evropiane që e kishin krijuar atë.
Kuptohet që rilindësit, në krye Naimi,
linin mënjanë aspektet fetare të
kryengritjes së Skënderbeut, sepse
kumti i tyre ishte "feja e shqiptarit
është shqiptaria".
Miti rilindës i Skënderbeut si
heroi kombëtar i shqiptarëve pati
sukses dhe ai u bë edhe mit legjitimues
i shtetit shqiptar. Institucionet
shtetërore dhe shoqërore, në
krye ato arsimore dhe artistike, e
ngulitën figurën e Skënderbeut si
simbolin e vetë kombit shqiptar.
Është e vërtetë që mbreti Zog I u
përpoq që gjenealogjinë familjare ta
lidhte me atë të Kastritotit, por edhe
kundërshtari i tij Fan Noli është
frymëzuar gjatë gjithë jetës nga
Skënderbeu dhe i kushtoi edhe një
monografi. Kur regjimi komunist u
instalua në Shqipëri, miti i Skënderbeut
ishte tashmë i gjithëpranuar
dhe Enver Hoxha nuk bëri tjetër
veçse e interpretoi kryengritjen e
Skënderbeut në atë frymë që i përshtatej
sundimit të tij personal. Jo
vetëm historiografia, por i gjithë aparati
kulturor-artistik nën kontrollin
shtetëror u vunë në punë për këtë
qëllim. Skënderbeut dhe periudhës
së tij iu kushtuan jo vetëm monografi
historike, por edhe: romane, tregime,
opera, balete, drama, filma,
piktura, murale, buste, monumente,
filma, këngë, deri edhe
muze. Regjimi komunist paraqitej si
një realizues i atij ideali që thuhej se
kishte pasur edhe Skënderbeu: krijimi
i shtetit kombëtar shqiptar. Sidomos
pas prishjes së marrëdhënieve
të Shqipërisë me Bashkimin
Sovjetik dhe Kinën, regjimit i
nevojitej një burim i brendshëm
ideologjik legjitimimi dhe Skënderbeu
ishte më i përshtatshmi. Romani
"Kështjella" i Ismail Kadaresë
është një paralelizëm me Shqipërinë
socialiste të rrethuar prej
imperialistëve dhe revizionistëve
dhe te romani "Pashallëqet e
mëdha" të po këtij autori shkruhet
se Ali Pasha nuk mund të jetë princi
shpëtimtar, një Skënderbe i ri, që
shqiptarët po prisnin në shekuj,
sepse ky do të shfaqej më vonë dhe
aludohet për Enver Hoxhën. Në
paskomunizëm, miti i Skënderbeut
po përdoret si një udhëheqës për
procesin e integrimit në NATO dhe
BE. Është sërish Kadareja ai që kryengritjen
e Skënderbeut e interpreton
si një pararendës të Aleancës së
Atlantikut të Veriut (Dantja i pashmangshëm)
dhe që së fundi ka kritikuar
çmontimin e mitit të Skënderbeut
si përpjekje për tjetërsimin e
shqiptarëve nga identiteti shqiptar
dhe ai evropian: "Kjo i bën keq Shqipërisë,
u bën mirë të gjithë atyre
që duan ta shohin mundësisht kombin
shqiptar të përmbysur dhe
jashtë Evropës. Është debat antishqiptar
dhe antievropian. Skënderbeu
nuk është vetëm njeri i shpatës,
por edhe i vizioneve të mëdha proevropiane.
Është vizionari më modern,
jo vetëm i Shqipërisë, por edhe
i Ballkanit. Ǒështë Ballkani sot, po
psherëtin mezi po pret të hyjë në
Evropë. Kush nga të parët prijës të
Ballkanit ktheu sytë nga Evropa?
Nuk ka tjetër si Skënderbeu". Ndaj
përdorimeve komuniste dhe paskomuniste
të mitit të Skënderbeut
drejtohet edhe kritika e Fatos Lubonjës.
Sipas tij, miti si konstrukt
ideologjik është sinonim i robërisë
mendore, injorancës, mashtrimit,
kurse çmitizimi, me anë të dijes shkencore,
është emancipim,
pjekurim dhe ecje drejt lirisë e së
vërtetës. Prandaj, ai e miraton që
Skënderbeu mitik të ulet nga piedestali
dhe të shqyrtohet si një personazh
historik me virtytet dhe veset
e veta, me sukseset dhe dështimet
e veta. Kadareja mendon të
kundërtën: "Të çmitizosh figurën e
Gjergj Kastriotit do të thotë të bësh
sulm kundër konceptit të lirë". Cili
ka të drejtë në këtë debat? Në planin
teorik çmitizimi është një thirrje
e arsyes ndaj pasioneve, një shikim
i ftohtë i distancuar dhe shumëplanësh
për të na shfaqur në dritë
mënyrat se si janë formuar
paragjykimet dhe bindjet tona, të
përforcuara me anë të miteve. Në
këtë mënyrë, procesi i çmitizimit
mund të interpretohet si një emancipim.
Si të thuash, çmitizimi i ngjan
shprehjes së Niçes "të filozofosh me
çekiç", d.m.th. me çekiçin të
trokasësh në trupin e idhujve për të
treguar se brenda janë të zbrazët.
Mirëpo çmitizimi ka kufizimet e veta,
sepse nuk ofron gjë në shkëmbim.
Çmitizimi bazohet te metoda e
çmontimit (dekonstruktimit), e cila
nuk njeh kufij dhe teorikisht mund
të çmontosh të gjitha konstruktet
ideore të njeriut. P.sh., mund të çmontohet
integrimi evropian, koncepti
i lirisë, të drejtat e njeriut, ideja e
njerëzimit, besimi te Zoti, por edhe
besimi te shkenca. Madje mund të
ndërmerret edhe çmitizimi i besimit
te arsyeja, duke treguar bazën e
paarsyeshme të arsyes njerëzore
(d.m.th. arsyeja si diçka e dhënë dhe
jo e zgjedhur me arsye). Në këtë
vazhdë, lind pyetja se përse duhet
marrë si i vërtetë një rrëfim historik,
kur e dimë se vetë historia, sa më
thellë në kohë të shkosh, është bërë
me dëshmi gjithmonë më të pakta,
të mbetura dhe të shpërndara
andej-këndej, të cilat historiani
përpiqet t‘i lidhë me njëra-tjetrën.
Sociologu Mishel dë Serto [Michel de
Certeau] mbi mjeshtërinë e historianit
thotë: "Sikurse Robinson Kruzoi,
duke qëndruar përpara gjurmës
në rërë të një këmbe të zbathur,
edhe historiani udhëton përgjatë
brigjeve të së tashmes; ai viziton ato
plazhe ku tjetri shfaqet vetëm si një
shenjë e asaj që ka shkuar. Këtu ai
ngre sipërmarrjen e tij. Bazuar në
gjurmët që tashmë janë të heshtura
(ajo që ka shkuar nuk kthehet më
dhe zëri i saj ka humbur përgjithnjë)
ai fabrikon tekstin e tij". Në këtë kuptim
ekziston rreziku që çmitizimi i besimeve
tona të shihet si një akt robërie,
sepse i pamundëson njeriut të
lidhet me një bashkësi dhe, së bashku
me njerëz të tjerë, të ndërmarrë
një projekt domethënës për të ardhmen,
duke e lidhur në këtë mënyrë
pas një të tashmeje të pandryshueshme
dhe të përjetshme.
Sigurisht që Lubonja nuk mendon
një çmitizim për hir të çmitizimit,
sepse më poshtë në artikull del
qartë që ai, mitit të Skënderbeut i
kundërvë një qëllim dhe një sistem
vlerash: "Problemi është që të
bëhen shqiptarët e shekullit XXI, shqiptarët
me një ndjenjë qytetare të
kohës që jetojmë". Pra, ka shkuar
koha e shekullit XIX, kur krijoheshin
mitet kombëtare, tani ato janë një
pengesë për të shqyrtuar pa komplekse
dhe pa mburrje veten tonë
lakuriq, ashtu siç jemi në mjerimin
tonë të përditshëm. Konceptit të
shqiptarit si pjesë e kombit ai i
kundërvë konceptin e shqiptarit si
qytetar. Përpjekja e sotme, thotë
Lubonja, nuk është çlirimi nga
armiku i jashtëm, siç ishte në kohën
e Rilindjes, por "çlirimi nga armiku i
brendshëm, që janë shqiptarët vetë
- në thelb padituria e tyre". Lubonja
e pranon se mitet ndihmojnë në krijimin
e bashkësive dhe të identiteteve,
mirëpo këta të fundit mund
ta robërojnë individin duke e ngurosur
dhe shtypur me anë të miteve;
në rastin tonë, identiteti kombëtar
mund të përdoret për të shtypur individin,
siç ndodhte në komunizëm,
kur miti i Skënderbeut u bë pjesë e
aparatit ideologjik të diktaturës.
Edhe pse Lubonja ka të drejtë që
ngre shqetësimin për këtë rrezik, që
e justifikon domosdoshmërinë e
çmontimit të herëpashershëm të
miteve kolektive, kjo nuk do të thotë
se miti i Skënderbeut e ka përfunduar
funksionin e tij. Duam apo nuk
duam ta pranojnë shqiptarët, akoma
në shek. XXI proceset e emancipimit
qytetar të shqiptarëve janë
të lidhura me emancipimin kombëtar
dhe këtë e kanë vërtetuar
ngjarjet e dhjetëvjeçarëve të fundit
në Kosovë dhe IRJM. Në Shqipëri
çmontimi i identitetit shqiptar (ajo
që ndonjëherë quhet krizë e identitetit
e shqiptarëve) nuk po na sjell
ndonjë emancipim të madh qytetar,
vetëm intensifikimin e politikave
alternative të identitetit, që kanë për
bazë fenë ose etninë. Diku miti i
Skënderbeut si "Atlet i Krishtit" po
përdoret si thirrje për konvertime të
shqiptarëve myslimanëve në krishterim,
diku kryetari i një bashkie
Skënderbeun e bën grek, diku tjetër
sajohen varre për ushtarët grekë, si
shtylla për të mbajtur në këmbë
mitet e "çlirimit të Vorio-Epirit". Nuk
është e thënë që përgjigjja e shqiptarëve
ndaj këtyre dukurive duhet
të jetë patjetër dhe gjithmonë
referimi te miti i Skënderbeut, aq sa
ai të na zërë hapësirën qytetare dhe
mendimin kritik, mirëpo në krahun
tjetër identifikimi me bashkësinë
shqiptare, me gjithë shndërrimet e
pashmangshme që sjellin kohërat
dhe kontekstet e reja, ka si derivat të
vetin interpretimet e pareshtura të
figurës së Skënderbeut, sepse një
bashkësi që quhet "shqiptare" nuk
mund të ekzistojë në hapësirë dhe
në kohë pa simbolin e Skënderbeut.
Po bëhet në Kosovë një përpjekje
për krijimin e një qytetarie pa identitet
të spikatur kombëtar e pa mite
kombëtare (shih p.sh. shkrimet e
publicistit Halil Matoshi), mirëpo
është akoma herët për të parë rezultatet.
Lubonja e pranon pashmangshmërinë
e miteve kur thotë se
"koha e sotme kërkon mite e heronj
të rinj... edhe shikimin e miteve të
vjetra sa nën filtrin e dijes shkencore,
aq edhe në funksion të frymës së
kohës dhe aspiratave të kohës". Patjetër
që kështu është. Veçse nuk
mjafton angazhimi vetëm i elitave
që përpiqen të komandojnë e orientojnë
kujtesën kolektive. Mitet jetojnë
dhe harrohen nga jehona që
kanë te masat popullore dhe shumë
faktorë veprojnë mbi kujtesën kolektive,
që bëjnë të pamundur parashikime
shumë të sakta për të ardhmen.
Në përgjithësi mund të themi
që stabilizimi i pozitës së shqiptarëve
në Ballkan, zgjidhja e
çështjes së tyre kombëtare do të bëjë
që edhe mitet kombëtare të mos
jenë dhe aq të spikatura në kulturën
e tyre. Kjo do të thotë që për sa kohë
që shqiptarët do të perceptojnë
rreziqe dhe pasiguri që i kanosen
kombit të tyre, do të ndiejnë nevojën
e mobilizimit me parullën "Jemi
Një". Në çaste të tilla, pavarësisht
prej punës së palodhur të çmontuesve
të mitit kombëtar të Skënderbeut,
ky i fundit do të thirret në
skenë si pikë referimi për veprimin e
përbashkët të shqiptarëve.
Gjithashtu, mbetet për t‘u parë
nëse do të bëjë jehonë në kulturën
shqiptare përdorimi i mitit të
Skënderbeut për integrimet euroatlantike.
Sado që duken të sforcuar,
madje qesharakë, përfytyrimi i
Skënderbeut si pararendës i NATOs
dhe përfytyrimi i shqiptarëve me
ballkanasit e tjerë si "komando evropianizuese"
në gjirin e Perandorisë
Osmane (Kadare tek Identiteti evropian
i shqiptarëve), ai është produkt
i qasjes mitike dhe identitare ndaj
integrimit në BE nga ana e elitave
politike dhe intelektuale, ndërkohë
që sondazhe të përvitshme tregojnë
se një pjesë e madhe e shqiptarëve
të thjeshtë integrimin në BE e barazojnë
me liberalizimin e vizave,
sepse shumë prej tyre duan të ikin
sa më parë prej kësaj Shqipërie të
sotme. Mitizimi i integrimit evropian
në shërbim të elitave politike të
papërgjegjshme që kanë humbur
legjitimitetin në popull po dëmton
pikërisht evropianizimin e Shqipërisë.
Si përfundim, le ta lexojmë
me qetësi librin e Shmitit dhe mirupjekshim
në debatet e ardhshme
mbi rolin e mitit të Skënderbeut.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›