E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, 20-vjeçari arratiset nga komisariati, riprangoset

Arratiset nga komisariati një
i ri, i cili ishte shoqëruar pas
një debati me një punonjës
policie. Ngjarja ka ndodhur në
kryeqytet, ndërkohë që policia ka
mundur ta kapë sërish një orë
pas arratisjes. Protagonisti i ngjarjes,
Selim Rama, i cili është i
njohur si kontingjent për policinë
e Tiranës, kishte disa ditë
që bëhej shqetësues në ambientet
e jashtme të shkollës së
Yzberishtit. Burimet zyrtare nga
Drejtoria e Policisë së Tiranës
bënë të ditur se ngjarja e ka
zanafillën që mesditën e së
premtes. 20-vjeçari Rama, i cili
ka qenë i dënuar më parë për
kanosje, ka dalë xhiro te shkolla
e mesme e Yzberishtit, ku edhe
jeton. Aty ka filluar të shqetësojë
me fjalë disa gjimnaziste dhe për
këtë është vënë në dijeni punonjësi
i policisë, Krenar V., 38 vjeç, i
cili ishte me detyrë ruajtjen e
rendit dhe qetësisë në shkollë.
Ky i fundit e ka thirrur 20-
vjeçarin për ta këshilluar, por
gjatë takimit mes tyre ka pasur
një debat të ashpër, duke kaluar
edhe në kundërshtim të punonjësit
të policisë. Në ato momente,
punonjësi i policisë ka
thirrur përforcime, duke bërë të
mundur shoqërimin e të riut në
ambientet e Komisariatit të Policisë
nr. 6, që ndodhet në Kombinat.
Në këto kushte, Selim Rama
është izoluar në dhomat e shoqërimit
dhe është mbajtur në ruajtje
nga punonjësi i policisë
Agim B., 43 vjeç, i cili po kryente
detyrën e oficerit rojë. Por, gjatë
kohës së pritjes së oficerit të policisë
gjyqësore, i cili do të merrte
deklaratën e të riut në lidhje
me konfliktin te shkolla, 20-
vjeçari ka thurur planin për t‘u
arratisur. Duke përfituar nga
mungesa e lëvizjeve, ai është nisur
të largohet nga dera e komisariatit,
por në ato momente është
zbuluar nga oficeri roje Agim
B. Ky i fundit i ka bërë thirrje disa
herë të riut të ndalonte, por ai
është larguar me shpejtësi, duke
tentuar të fshihet mes pallateve.
Menjëherë në komisariat është
dhënë alarmi dhe janë nisur
patrullat për gjetjen e të arratisurit.
Policia e Kombinatit ka rrethuar
gjithë zonën, duke izoluar
linjat e largimit të mundshëm të
Selim Ramës. Pas rreth një ore
kërkimi, policia ka mundur të
gjejë pas një pallati të riun, i cili
ka tentuar sërish të largohet. Por
shumë shpejt ai është izoluar
dhe është dërguar në qeli. Duke
marrë shkas nga kjo "arratisje",
policia ka bërë arrestimin e tij me
akt motivimi të veçantë. Sipas policisë,
ai akuzohet për veprën penale
të "kundërshtimit të punonjësit
të policisë", si dhe për "mos-
bindje ndaj urdhrit të punonjësit
të policisë". Burimet shpjeguan se
kjo ngjarje është marrë nën hetim
edhe nga Drejtoria e Shërbimit të
Kontrollit të Brendshëm për të
zbuluar nëse ka pasur abuzim të
detyrës nga ana e punonjësve të
policisë. Sipas hetimeve, dyshohet
se ka qenë mungesa e vëmendjes
nga ana e punonjësve të
policisë, që ka ndikuar në largimin
nga komisariati të Selim Ramës,
megjithëse çështja është rikuperuar
në një kohë të shkurtër.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›