E Shtunë, 31 Tetor 2026

A duhet të dorëhiqet Ina Rama?

Blendi Kajsiu 

Tashmë është e qartë se  Prokuroria e Përgjithshme dhe sistemi ynë i drejtësisë kanë dështuar në zbardhjen e skandaleve madhore politike. Çështja Durrës – Kukës nuk u gjykua, por u mbyll, po kështu edhe rasti Fazlliç. Ndërkohë dështimi më madhor i Prokurorisë mbetet çështja e Gërdecit, një krim që vazhdon të mbetet i pazbardhur, ndonëse pasojat e tij çdo ditë nxijnë hapësirën mediatike. Ama për nga vetë përmasat, shkaqet dhe pesha politike, Gërdeci nuk është një krim ku drejtësinë mund ta vendosë vetëm Prokuroria Si krim shtetëror Gërdeci mbetet sot dhe gjithë ditën një krim madhor politik, dhe si i tillë ai mund dhe duhet të dënohet së pari politikisht. Ai nuk mund të zbardhej dhe dënohej për sa kohë në pushtet ishte e njëjta qeveri përgjegjëse për të. Dorëheqja e ekzekutivit të përfshirë në këtë masakër direkt apo indirekt, me apo pa dashje, duhet të kish qenë kushti minimal për zbardhjen e Gërdecit. Dhe ky ishte një kusht që nuk mund të garantohej nga prokurori, por nga opozita socialiste. Fatkeqësisht kjo e fundit çështjen e Gërdecit e reduktoi tek një shantazh politik për të arritur një sërë objektivash të ngushta si ndryshimet kushtetuese dhe sistemi elektoral. Të kuptohemi, problemi i opozitës nuk ishte përdorimi politik i Gërdecit sikurse e akuzon shumica. Përkundrazi Gërdeci duhej trajtuar politikisht, pasi mbi gjithçka ishte një krim politik dhe jo ordiner. Prandaj eksponentë të së majtës janë të pasinqertë si kur e kritikojnë, ashtu edhe kur i dalin në krah Ina Ramës. Opozita socialiste nuk ka moral për ta kritikuar Prokurorinë, pasi në emër të pavarësisë i hoqi asaj mbështetjen politike pa të cilën asnjë prokurori nuk mund të jetë e suksesshme në Shqipëri. Në fakt mbështetjen më të madhe Prokuroria jonë e ka marrë nga Ambasada Amerikane sesa nga opozita. Në këto kushte edhe mbrojtja ndaj Prokurorisë dhe sulmet ndaj shumicës bëhen hipokrite, pasi nëse PS-ja ishte realisht e shqetësuar për zbardhjen e Gërdecit do kish ushtruar presionin dhe jo kompromisin politik me pushtetin. Të kërkosh nga Prokuroria dënimin dhe hetimin e ekzekutivit në pushtet do të thotë t’i ngecësh përgjegjësitë e tua politike një institucioni juridik. 
Edhe më hipokrite janë sulmet ndaj Prokurorisë që vijnë djathtas si nga eksponentët politikë ashtu edhe nga ata të shoqërisë civile. Për eksponentët politikë nuk ia vlen të flasim, sepse sulmet e kryeministrit ndaj sistemit të drejtësisë flasin vetë. Që këto sulme ndonëse të veshura me ‘dekomunistizim’ nuk kishin fare të bënin me ish-prokurorët e komunizmit në drejtësi, është e qartë tashmë që këta ish-prokurorë dhanë një vendim pro qeverisë dhe kryeministri pushoi së sulmuari. Por edhe eksponentët e djathtë që kritikojnë Ina Ramën se dështoi nuk janë të sinqertë, pasi ata nuk i hante aspak meraku i suksesit të Ina Ramës. Përkundrazi shqetësimi i tyre kryesor, dhe jo i pabazë, ishte se Prokuroria mund të dënonte eksponentët politikë të së djathtës, ndërkohë që dosjet e politikanëve të majtë kanë zënë pluhur. Më shumë sesa nga dëshira për zbulimin e të vërtetës, ky qëndrim frymëzohet nga urrejtja ndaj eksponentëve politikë të së majtës. Ama është hipokrizi të kritikosh Prokurorinë se nuk arrin të zbardhë pisllëqet e një pushtetit, të cilit i ke dalë në krah.
E megjithatë ne sot përballemi me dështimin e Prokurorisë së Përgjithshme, që nesër do të jetë akoma edhe më i qartë. Ky është një dështim që natyrisht nuk mund t’i faturohet thjesht Prokurorisë, por të gjithë sistemit. Është dështim i një sistemi që djersin padrejtësi në çdo pore të tij dhe më pas nxjerr një Silvia Konti që t’i bëjë fresk. Është një sistem politik që i kërkon Prokurorisë të zhbëjë padrejtësinë që ai vetë e prodhon pafund. Kështu Prokuroria vendoset në qendër të procesit politik, në një pozitë ku ajo nuk mund të jetë e suksesshme, e pavarur dhe aq më pak apolitike. A do të thotë kjo se i gjithë faji është i sistemit dhe është e kotë që të kërkojmë përgjegjësi dhe aq më pak dorëheqje të Ina Ramës?   Fatkeqësisht jo rrallë abuzohet me idenë e sistemit për të anashkaluar përgjegjësitë individuale. Që sistemi kushtëzon shumë nga veprimet dhe rezultatet tona, nuk do të thotë që ne nuk kemi zgjedhje edhe brenda këtyre kufizimeve. 
Në rastin konkret ishte mëse e qartë që misioni i Ina Ramës ishte i pamundur që në nisje. Por problemi nuk është pranimi i një misioni të tillë. Edhe një mision i pamundur duhet provuar. Problemi qëndron kur vazhdon një mision të dështuar, edhe pse jo për fajin tënd. Në momentin që shumica filloi të sulmonte atë dhe sistemin e drejtësisë, në momentin që u bë e qartë se hetimi nuk mund të bëhej i plotë për nga vetë shtrirja e tij në nivelet më të larta të pushtetit, Ina Rama mund të ish larguar me shumë dinjitet. Në fakt akti i vetëm madhor publik i Ina Ramës, ndryshe nga paraardhësit e saj dhe nga shumë zyrtarë institucionesh të pavarura, do kish qenë dorëheqja si pasojë e pamundësisë për të realizuar ndershëm detyrën e saj. Me këtë dorëheqje ajo do i kish thënë shqiptarëve atë të vërtetë që ata tashmë e dinin; ‘u përpoqa, por nuk më lanë’. Ky do kish qenë një nga ato rastet e rralla ku një zyrtar publik dorëhiqet, sepse dëshiron ta bëjë ndershëm detyrën e saj. Dorëheqja përballë pamundësisë për ta kryer ndershëm detyrën ndoshta ishte i vetmi sukses që mund të arrinte Ina Rama që në momentin që u emërua në postin e saj.  Ky akt do i kish kushtuar asaj ambicien profesionale, rrogën, ndoshta edhe karrierën, në mos më shumë. Ama një akt i tillë do kish qenë i vërtetë. Po a mundemi sot t’i kërkojmë ndokujt të sakrifikojë kaq shumë për hir të një parimi, apo për hir të së vërtetës?  
Vështirë në një shoqëri si kjo e jona, ku më shumë sesa me të vërtetën jetojmë me shtirjen. Kryeministri shtiret se shqetësohet për komunistët në drejtësi, ndërkohë që në këtë pikë atë e shqetëson thjesht drejtësia. Ministrat dhe deputetët e PD-së bëjnë sikur afera e Gërdecit është sajim i opozitës, që mund të pastrohet duke nxjerrë në pah pisllëqet e Ramës me Delijorgjin. PS-ja bën sikur dëshiron të zbardhet e vërteta, ndërkohë që deri tani çdo aksion i saj politik ka zbardhur vetëm interesat e Ramës. Ina Rama bën sikur heton krimet si Gërdeci, ndërkohë që në këtë pikë më shumë se hetime duhet të bëjë kompromise për të mbijetuar në krye të institucionit. Shoqëria bën sikur pret zbardhjen e Gërdecit, ndërkohë që të gjithë e dimë se krimet madhore nuk mund t’i dënojë dot drejtësia pa i dënuar më parë e gjithë shoqëria.  Vetë shoqëria jonë sot përbëhet nga individë që bëjnë sikur jetojnë bashkë, ndërkohë që urrehen veç e veç. Kemi ndërtuar tashmë një sistem hipokrizie, ku burrat e ndershëm shtiren, ndërsa të vërtetat i thonë vetëm maskarenjtë. Në një shoqëri të tillë askush nuk e ka moralin të kërkojë dhe askush nuk e ka vullnetin të japë një dorëheqje thjesht për të ruajtur raportin me të vërtetën, thjesht për të mos u shtirur.
Nuk është hera e parë që ndodhemi në këtë situatë. Shoqëria shqiptare duke u shtirur mbajti gjallë sistemin komunist shumë kohë pasi ai kish vdekur. Të gjithë bënin sikur nuk e shihnin kufomën e sistemit, edhe pse kish filluar të vinte erë, pasi ishin tejet të zënë me mbijetesën personale, dikush me karrierën në parti, dikush me pasaportizimin, dikush me një bursë studimi. Disa bënin sikur shpartallonin imperializmin, disa bënin sikur tejkalonin planin, disa bënin sikur punonin, disa sikur paguheshin dhe të gjithë bënim sikur nuk i shihnim padrejtësitë dhe krimet e diktaturës ku jetonim ’të lumtur’.  Problemi si dje edhe sot mbetet se një shoqëri ku të gjithë shtiren herët a vonë bëhet e shtirshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›